Ballina Ekonomia KLSH: Detyrimet e papaguara të bizneseve dhe sektorit publik ndaj qytetarëve për...

KLSH: Detyrimet e papaguara të bizneseve dhe sektorit publik ndaj qytetarëve për sigurimet shoqërore arritën 20.2 miliardë lekë në 2024

62
0

Detyrimet e bizneseve dhe sektorit publik për sigurimet shoqërore të papaguara u rritën më tej në vitin 2024, duke arritur mbi 20.2 miliardë lekë.

Sipas raportit të KLSH për auditimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në sektorin publik, numri i subjekteve debitorë ka rënë nga 823 në 724, me -99 subjekte gjithsej. Megjithatë, pavarësisht uljes së numrit, vlera e borxhit publik është rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 794.6 milionë lekë në 2023, në 1.26 miliardë në 2024, një rritje prej 469 milionë lekësh. Brenda sektorit publik, debitorët buxhetorë janë ulur me -72 subjekte, por vlera e debisë së tyre është rritur me rreth 70 milionë lekë, ndërsa debitorët jobuxhetorë janë ulur me -27 subjekte, por detyrimet e tyre pothuajse janë dyfishuar me një rritje prej rreth 400 milionë lekësh.

Ndryshe nga sektori publik, sektori privat ka shënuar rritje të ndjeshme si në numër, ashtu edhe në vlerën e detyrimeve. Numri i subjekteve debitorë është rritur me 10,606, nga 109,306 në 119,912, ndërsa vlera totale e debisë është rritur me 1.3 miliardë lekë, duke kaluar nga 17.6 miliardë lekë në 18.9 miliardë lekë. Në biznesin e madh, numri i debitorëve është rritur me 2,877, ndërsa vlera e borxhit është shtuar me 422.8 milionë lekë. Në biznesin e vogël, rritja ka qenë edhe më e madhe: 7,729 debitorë më shumë dhe një rritje e borxhit prej 877.6 milionë lekësh.

Në total, numri i përgjithshëm i debitorëve publik dhe privat është rritur me 10,705 subjekte, ndërsa vlera totale e debisë ka shënuar rritje prej 1.76 miliardë lekësh. Sektori publik tregon tendencë përkeqësimi për sa i përket vlerës së borxhit, sidomos tek debitorët jobuxhetorë ku detyrimet janë pothuajse dyfishuar, duke reflektuar probleme serioze në administrimin e financave publike. Në sektorin privat, rritja e fortë e detyrimeve – sidomos e bizneseve të vogla – është tregues i vështirësive financiare dhe likuiditetit që përballin operatorët ekonomikë.

Sipas raportit, detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore dominohen nga subjektet juridike (54.9%) dhe biznesi i vogël (38.9%), ndërsa subjektet buxhetore dhe jobuxhetore mbeten minoritare në peshë. Totali i detyrimeve (detyrim + gjoba + interesa) arrin në 20.2 miliardë lekë. Detyrimet e papaguara dërgohen në ISSH çdo 3 muaj sipas marrëveshjes ndërinstitucionale.

Nga të dhënat tremujore, subjektet aktive debitore janë 51,653, ose 42.8% e totalit, me një vlerë detyrimi prej 9.3 miliardë lekë, ose 46% të shumës totale prej 20.2 miliardë lekësh. Vetëm për borxhin bazë (pa gjoba e interesa), subjektet aktive përbëjnë 48.7% të totalit. Për detyrimet e papaguara të sigurimeve shoqërore të subjekteve aktive, biznesi i madh mban peshën kryesore me 54.1% të totalit, i ndjekur nga biznesi i vogël me 39.6%, ndërsa subjektet buxhetore mbajnë 3.0% të borxhit dhe jobuxhetoret 3.3%. Totali i borxhit aktiv është mbi 9.3 miliardë lekë. SHPK-të përbëjnë pjesën kryesore të detyrimeve, me 12,277 subjekte dhe borxh mbi 4,6 miliardë lekë. Debitorët e biznesit të madh SHPK aktiv në 2024 kanë detyrime prej 656 milionë lekësh, duke përfaqësuar 14.3% të totalit të kësaj kategorie.

Sa u përket subjekteve pasive, biznesi i madh privat përbën 67.6% të borxhit total, i ndjekur nga biznesi i vogël me 29.7%, ndërsa subjektet buxhetore dhe jobuxhetore mbajnë përkatësisht 1.8% dhe 0.9%. Totali i borxhit pasiv është mbi 9.7 miliardë lekë, ndërsa numri i debitorëve SHPK pasiv arrin në 14,570, me vlerë detyrimi mbi 5.6 miliardë lekë. Për biznesin e madh SHPK pasiv, detyrimet arrijnë në 887 milionë lekë, duke përbërë 15.8% të totalit të kategorisë.

Nga të dhënat e ISSH-së, detyrimet e mbetura në organet e sigurimeve shoqërore deri më 31.12.2024 arrijnë në 6.1 miliardë lekë, duke zënë 35.6% të totalit të detyrimit (pa gjoba e interesa) të të gjithë subjekteve debitorë nën përgjegjësi të DPT-së, një vlerë që përputhet plotësisht me pasqyrat financiare të konsoliduara në llogarinë ekonomike 470 “Të tjera kërkesa debitore”.

Të dhënat e vitit 2024 sinjalizojnë qartë se borxhi tatimor dhe ai i sigurimeve shoqërore është në rritje, sidomos në sektorin privat, ndërsa sfidat financiare kanë përfshirë edhe institucionet publike jobuxhetore. Tendenca e rritjes së detyrimeve konfirmon presionin mbi administratën fiskale dhe rrezikun në rritje të mospërmbushjes së detyrimeve nga një numër gjithnjë e më i madh subjektesh./ekofin.al