Nga Mirela Karabina
Zgjedhjet e pjesshme të së dielës në pesë bashki dëshmuan qartë se qytetarët janë larguar nga establishmenti politik. Pjesëmarrja e ulët nuk ishte thjesht shenjë apatie, por një tregues i fortë i mungesës së besimit në procesin zgjedhor dhe në sistemin e përfaqësimit politik në vend.
Nga njëra anë, kemi një pushtet të konsoliduar në duart e një strukture oligarkike dhe klienteliste, e cila përdor çdo instrument të shtetit për të ruajtur kontrollin. Ndërsa në anën tjetër, qëndron një opozitë e kapur, sidomos PD, e pafuqishme dhe e dorëzuar dhe që ka humbur funksionin e saj themelor të përfaqësojë shpresën për ndryshim.
Lidershipi i Partisë Demokratike pësoi një humbje të turpshme në këto zgjedhje, jo vetëm për rezultatin e dobët, por edhe për mungesën e vetëdijes politike. Nuk pati fushatë, mobilizim apo përgjegjësi. Kandidatët e pavarur u lanë në mëshirë të fatit, pa mbështetje, pa strukturë dhe pa strategji. Kjo tregon qartë se PD nuk përfaqëson më një alternativë, as si ide dhe as si organizatë.
E braktisur nga demokratët e lodhur dhe e përçarë nga ethet e brendshme për pushtet, kjo parti po shndërrohet në një opozitë jofunksionale.
Shpërbërja e strukturave pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit dhe zhgënjimi i qytetarëve u reflektuan qartë në zgjedhjet e pjesshme, duke e kthyer PD-në në hije të vetvetes.
Kjo situatë është rrënuese jo vetëm për opozitën, por për të gjithë sistemin politik shqiptar.
Shqipëria ndodhet sot në krizën më të thellë politike të 35 viteve pluralizëm.
Qeveria dhe opozita nuk e fshehin më që janë në të njëjtin front, të bashkuar për të ruajtur pushtetin dhe për të penguar drejtësinë.
Në këtë realitet të zymtë, humbësi i vërtetë nuk është një parti apo një kandidat, por qytetari shqiptar, i cili nuk ka më as kë të besojë dhe as kë të ndjekë.
Me një opozitë fasadë, pa përmbajtje dhe që shërben si dekor, pushteti i Ramës vazhdon pa kontroll, ndërsa korrupsioni, klientelizmi dhe arbitrariteti po thellojnë degradimin institucional.
Zgjedhjet u zhvilluan pa ofertë të vërtetë, pa debat dhe pa përballje, duke e lënë qytetarin jashtë procesit të vendimmarrjes. Braktisja që qytetarët i bënë klasës politike është shenjë e qartë se ata janë pozicionuar kundër saj.
Kjo krizë e thellë mosbesimi ndaj pozitës dhe opozitës përbën pengesën më serioze për zhvillimin e vendit.
Nëse ky degradim vazhdon, Shqipëria rrezikon të hyjë në një fazë të re tranzicioni, më të rrezikshme se ajo e viteve ’90, ku qytetarët nuk besojnë më në asnjë forcë politike dhe ku ndryshimi bëhet i pamundur.
Shpresa për një riformatim të vërtetë politik është domosdoshmëri. Qytetarët e kërkojnë ndryshimin, por indiferenca e tyre nuk mjafton. Sa kohë që PS dhe PD ruajnë me lehtësi rolet e tyre të ngurtësuara tashmë, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë formale, vendi nuk mund të ecë përpara.
Ndryshimi do të ndodhë vetëm atëherë kur qytetarët të zgjedhin përfaqësues të ndershëm, të pakorruptuar dhe me vizion, njerëz që nuk janë pjesë e establishmentit të konsumuar.
Vetëm kështu do të rikthehet shpresa se pushteti mund të ndryshojë dhe se rruga europiane e zhvillimit të Shqipërisë mund të bëhet realitet.







