Nga Svetlana Sakharova
“Buqeta” e fshehtë e Kremlinit ka pasë qenë një rrjetë vilash, apartamentesh dhe kabinetesh, ku aktoret e reja i dhunonin, i shantazhonin dhe i shndërronin në skllave seksi të elitës. Beria, ministrat, gjeneralët, ishin ata që përdhunonin femrat më të mira të vendit. Këtu nuk është fjala vetëm për historinë e përdhunimeve. Këtu është fjala për vlerën e lavdisë në një makinë totalitare. Këtu bëhet fjalë për një fakt të tillë, se si bukuria vjen e shndërrohet në mjet, kurse trupi shndërrohet në valutë. Këtu bëhet fjalë për historinë e rezistencës, historinë e tradhtisë dhe historinë e hakmarrjes.
“Pranvera e vitit 1946 në Moskë pati shërbyer si një periudhë e vaktë mashtruese, kur ajri ende mbartte në vetvete jehonën e ngricave dimërore, të përzier me pluhurin e ndërtesave të shkatërruara dhe aromën e bukës së freskët që dilte nga furrat e rralla. Qyteti, i plagosur nga bombardimet gjatë luftës së madhe patriotike, mundohej t’i kthehej jetës normale. Njerëzit me pallto të vjetra, ecnin nxitimthi nëpër rrugë, tramvajet kërcisnin nëpër shina, kurse nëpër sheshe ende ngriheshin përmendoret e improvizuara të heronjve të rënë. Por përtej fasadës së ringjalljes fshihej errësira. Represionet nuk kishin përfunduar me fitoren kundër fashizmit. Në Sheshin e Lubjankës, në ndërtesën e zymtë të ministrisë së punëve të brendshme, Lavrenti Beria, ministër i brendshëm dhe njëri nga njerëzit më me ndikim në rrethin e Stalinit, rrinte ulur në një tryezë të madhe prej dru lis. Kabineti i tij ishte asketik, me perde të rënda, portreti i udhëheqësit në mur dhe një pirg me dosje, të cilat mund të vinin poshtë fatin e çdokujt. Syzet me një skelet të hollë shkëlqenin nën dritën e llambës së tryezës, kurse gishtat e shkurtër dhe të trashë kalonin nga njëra dorë te tjetra fotografi femrash, si artiste, balerina, këngëtare teatri dhe kinemaje. Talente! – nënqeshi Beria, duke fërkua mjekrën. Për të ato ishin jo vetëm persona të teatrit apo të skenës, por edhe një rezervë me vlerë, të cilën mund ta përdorje për forcimin e pushtetit personal dhe të kontrollit të elitave. Ai e dinte që Josif Stalini, një udhëheqës ky paranoidal, i mbështet operacione të tilla. Në periudhën e terrorit, kur pushkatimet qenë kthyer në normë, duhej përdorur jo vetëm frikësimi, por edhe komprometimi, i siguruar në rrethana nga më intimet, në shtrat. Beria nuk ishte i papërvojë për punë të tilla. Bredhjen e tij pas femrav e kishte filluar që në vitet 1920 në Gjeorgji, ku ai, duke qenë kryetar i Komisionit të Jashtëzakonshëm, shfrytëzonte vartësit e vet për rrëmbime dhe përdhunime femrash. Një dukuri e tillë, në Moskë erdhi e u shndërrua në një sistem të organizuar, të cilin ai e pati quajtur “operacioni buqetë”. Ky ishte një emërtim ironik dhe cinik. Çdo mëngjes, pas takimeve, viktimave u dërgonin buqeta me trëndafilë të freskët, që simbolizonin heshtjen e detyruar dhe besnikërinë ndaj regjimit. Rrjeti përfshinte të ashtuquajturit objekte të posaçme (speciale), vila jashtë qytetit në Zhuvke Kuncevo, apartamente elitare në Arbatin e Vjetër dhe madje në bodrume, të përgatitura posaçërisht në ndërtesat shtetërore të ministrisë së brendshme. Artistet e reja këtu i joshnin me arsyetimin për të dhënë shfaqje për byronë politike ose për t’i dëgjuar, si parapërgatitje, për role të reja në kinematografi. Këto mjedise, në të vërtetë, ktheheshin në arena për shfrytëzim seksual, shantazh dhe grumbullim informacioni komprometues. Mikrofonët fsheheshin nëpër mure, kamerat – prapa pasqyrave, kurse truprojat e Berias regjistronin çdo hollësi për dosjet, të cilat mund të zhduknin karrierën ose jetën. Aleksej Vollkov, një personazh legjendar, major i ministrisë së brendshme, ish-aktor i teatrit “Vahtangov”, ka qenë njëri nga kujdestarët kyç të këtij rrjeti. Ai u gjend rastësisht në këtë sistem. Në vitin 1937, gjatë periudhës së terrorit të madh, pas denoncimit të një kolegu, atë e patën arrestuar për agjitacion antisovjetik për një shaka që kishte bërë në dhomën e grimit. Për t’i shpëtuar dënimit, Vollkovi kishte pranuar të rekrutohej nga organet e sigurimit, qe bërë përgjues në mjedisin artistik. Shtatlartë, me një fytyrë shprehëse, me një joshë prej aktori, ai ishte mjeshtër për të bindur dhe për të manipuluar të tjerët. Kësaj nuk i thonë tradhti, – përsëriste me vete çdo natë, me sytë nga tavani në apartamentin e vet komunal. Kësaj i thonë mbijetesë në skëterrë. Detyra e tij ishte e thjeshtë: të zgjedhte lule për buqetat e Berias, t’i tërhiqte në grackë, me premtimin për lavdi dhe mbrojtje. Objektivi i parë që i qe caktuar për zbatim, qe Tatjana Akunjevskaja, ylli 32-vjeçar i kinematografisë dhe i teatrit. Akunjevskaja ishte një brune karakteristike, me sy depërtues dhe me një joshë të tillë, që i magjepste spektatorët. E lindur në vitin 1914, në Zarajsk, bijë e një oficeri të persekutuar të ushtrisë cariste, e pati filluar karrierën në moshën 17-vjeçare, me xhirimin e filmit “Buçkania”, sipas tregimit të Mopasanit (Boule de suif), në vitin 1934, dhe “Ditë të nxehta”, në vitin 1935. Përjetoi arrestimin e të atit në vitin 1937, por vazhdoi të luajë rolin e femrave të forta dhe me karakter të pavarur, si në “Viktimën e fundit” të Ostrovskit. Beria e pati pikasur në ekran dhe pati theksuar në dosje: kjo është ajo që duhet: “sytë i ka plot zjarr, por do ta mposhtim”. Vollkovi i qe afruar pas shfaqjes në teatrin Vahtangov. Salla duartrokiste më këmbë, kurse Akunjevskaja, e lodhur, me sytë plot shkëlqim, dilte në skenë me një fustan elegant, për t’u përkulur me nderim para spektatorëve. – Tatjana Kirillovna, – iu drejtua ai, duke i zgjatur një ftesë, me stemën e ministrisë së brendshme. – Juve ju pret një shfaqje e rëndësishme në Kremlin. Talenti juaj duhet për një çështje të madhe. – Akunjevskaja, e mësuar me kujdesin e regjisorëve dhe të nëpunësve të lartë, pranoi pa asnjë mëdyshje. Në Bashkimin Sovjetik të viteve të pasluftës, karriera varej nga lidhjet në sferat e larta. Makina “Zis i zi” me xhama të errët, e çoi jo në Kremlin, por te vila në Kuncevo. Një ndërtesë e rehatshme prej druri, me kopsht, të rrethuar me një gardh të lartë dhe me roja. Brenda po e priste Beria, me uniformë, me një shishe vere gjeorgjiane në dorë dhe me tryezën, të shtruar me havjar, bli dhe konjak francez, me një deficit në vitet e urisë. – Ju jeni e talentuar, – e nisi bisedën ai, duke i hedhur shampanjë në një gotë prej kristali, – por talenti ka nevojë për një përkrahës. Unë mund t’ju çel dyert për të luajtur rolet më të mira. – Biseda kaloi shpejt në gjëra të pahijshme. Beria, i njohur për epshin e tij, e kapi për dore dhe e tërhoqi drejt dhomës së gjumit. Akunjevskaja rezistonte, e gërvishte me thonj, bërtiste me zë të lartë, por forcat ishin të pabarabarta. Përdhunimi u bë në dhomë, poshtë portretit të Stalinit, me erë duhani dhe djerse. – Ti tani je imja, – mërmëriti Beria, duke mbërthyer uniformën. Mbylle gojën, nëse dëshiron të jetosh. – Në mëngjes Akunjevskaja u kthye në shtëpi me një buqetë trëndafilash të kuq si gjaku, të siguruar nga truprojat e Berias, Rafael Sarkisovi dhe Sardion Nadaraj. Këta të dy mbanin një listë sekrete të viktimave. Më shumë se 760 emra, duke përfshirë nxënëse shkollash, studente dhe artiste të njohura. Akunjevskaja rrinte në heshtje, por përbrenda ziente nga urrejtja. Ajo mori një rol të ri në kinematografi, një apartament në qendër të Moskës, por çmimi ishte shumë i lartë – ftesat e përsëritura për në vilë, ku Beria organizonte orgji me shampanjë dhe me muzikë gramafoni. Vollkovi, duke vazhduar përgjimin e saj, në raportin e tij shkruante: “objekti është besnik, por nën përgjim; rekomandohet shtim i përgjimit, se ka mundësi të shpërthejë ndonjë revoltë”. Rrjeti vinte duke u zgjeruar. Vëzhguesit, gjithandej, raportonin për vajza me perspektivë. Aktoret, si Lida Rusllanova, e arrestuar në vitin 1948, se s’pati pranuar të këndonte në një rreth të ngushtë për Berian, ose Valentina Serova, për të cilën qenë përhapur fjalë për një takim me elitën për të shpëtuar karrierën, e dinin një rregull të pashkruar: Stalini, kur merrte raportime, jepte aprovimin: “bukuria ëstë armë kundër imperializmit, shfrytëzojeni!”. Por për femrat kjo ishte një skëterrë personale. Refuzimi shoqërohej me internim në kampe përqendrimi ose me marrjen e jetës. Pranimi shoqërohej me një shpirt të copëtuar dhe me frikë të përjetshme. Me afrimin e vjeshtës së vitit 1947, buqeta erdhi e u shndërrua në një instrument kontrolli të përkryer. Beria i seleksiononte lulet personalisht. Mbrëmjet nëpër vila fillonin me muzikë dhe vallëzim, por përfundonin me përdhunim. Sarkisovi vazhdonte të mbante një listë të hollësishme: datat, emrat, madje parapëlqimet e viktimave. Vollkovi vërente si si sistemi po i thyente njerëzit. Një aktore e re që pati refuzuar, qe akuzuar për agjitacion dhe propagandë antisovjetike dhe qe zhdukur në një kamp internimi. “Ky nuk është pushtet”, – mendonte ai kur po endej rrugëve kryq e tërthor. – “Kësaj i thonë merimangë, prej së cilës nuk shpëton dot”. Akunjevskaja, kur ishte duke u kthyer për në shtëpi pas takimit të radhës, ishte duke qarë me kokën mbi jastëk, por në ekran vazhdonte të buzëqeshte. Një femër sovjetike ideale. Kujtimet e saj, që i pati shkruar disa dhjetëvjeçarë më vonë, me titul ”Dita e Tatjanës 1998”, patën zbuluar të vërtetën. Beria ishte një zhabë e fëlliqur që kutërbonte erë epshi dhe pushteti. Por në vitin 1946 ajo rrinte në heshtje, duke e ditur se një fjalë e vetmë mund t’i kushtonte jetën jo vetëm asaj, por edhe njerëzve të gjakut. Rrjeti kishte depërtuar thellë në botën e artit. Rolet në kinematografi shpërndaheshin përmes përkrahësve në ministrinë e punëve të brendshme. Aktoret pëshpërisnin nëpër dhomat e grimit të Moskfilmit: ”mos refuzo” ose ”karriera mori fund”. Vollkovi, duke ndjekur nga afër operacionet, e ndiente gjithnjë e më shumë fajin e vet. Motra e tij, një aktore në fillim të karrierës, vrau veten pas një takimi të tillë në vitin 1940. Por sistemi, si një regjim stalinian, ishte i pamëshirshëm. Beria, ulur në kabinetin e vet, buzëqeshte, duke shfletuar dosjet e reja. Buqeta lulëzon për mrekulli, kurse përtej dritares Moska vazhdonte jetën e vet, pa dyshuar për hijet që fshiheshin në majat e pushtetit. Vera e vitit 1945 ishte e pushtuar nga euforia e fitores. Rrugët zienin nga paradat, fishekzarët dhe turmat e njerëzve, që përqafonin njëri-tjetrin nën tingujt e muzikës, katjushave dhe luftës së shenjtë. Sheshi i kuq shkëlqente nga flamujt, kurse në ajër vërtitej era e barutit nga fishekzarët dhe aroma e bukës së sapopjekur, e cila, më në fund, filloi të tregtohej nëpër shitore pas urisë së viteve të luftës. Qyteti, ende i mbuluar nga gjurmët e plagëve nga bombardimet, me fasadat e shkatërruara të ndërtesave dhe gropat e hapura nga predhat, mundohej t’i harronte tmerret dhe ta hidhte vështrimin drejt së ardhmes. Por përtej kësaj fasade triumfi fshiheshin hijet. Represionet nuk patën përfunduar me kapitullimin e Gjermanisë. Ministria e brendshme, nën drejtimin e Lavrenti Berias, ishte duke e vazhdur gjuetinë e armiqve të popullit, kurse operacioni “Buqetë” po e shtonte zellin, duke u shndërruar në një instrument për arritjen e kënaqësive personale, por edhe për ushtrimin e shantazhit politik. Aktoret, këngëtaret dhe balerinat që shkëlqenin nëpër skena dhe ekrane, shndërroheshin në gurë shahu në këtë lojë, ku trupi ishte valutë, kuse heshtja kthehej në kusht mbijetese. Zoja Fjodorova, aktorja 36-vjeçare, me buzëqeshje të ëmbël, sy shprehës dhe zë të butë, ishte njëra nga ato, të cilat sistemi i pati pikasur. E lindur në itin 1909 në Sankt-Peterburg në familjen e një punëtori, e humbi herët babain dhe qe rritur në varfëri, por talenti e çau rrugën e jetës. Në vitet 1930 ajo qe xhiruar me disa shoqe, në vitin 1935, kur pati luajtur rolin e një komsomolase dhe në një histori muzikore të vitit 1940, duke u shndërruar në një artiste, që gëzonte adhurimin e publikut. Fjodorova përjetoi arrestimin e të atit në vitin 1938, sipas nënit 58 “veprimtari kundërrevolucionare”, por vazhdoi të punonte, me besimin se arti është mbi politikën. “Unë mbijetova në saje të ekranit dhe të spektatorëve”, – mendonte ajo, duke e parë veten në pasqyrën e dhomës së grimit të Moskfilmit. Por në verën e vitit 1945, jeta e saj u përmbys. Vollkovi, majori i ministrisë së brendshme, pati organizuar një pritje për aleatët – diplomatët amerikanë dhe britanikë, që patën ardhur në Konferencën e Podsdamit. Kjo pati shërbyer si një lojë e operacionit “Buqetë”. Aktoret i patën ftuar për të argëtuar mysafirët, duke grumbulluar informacion nën maskën e flirtimit. “Tregoji mikut tonë amerikan mikpritjen sovjetike” – e pati këshilluar Vollkovi Fjodorovën, duke i dorëzuar ftesën për në banket në hotelin “Metropol”. Salla e hotelit shkëlqente nga gotat prej kristali, tryezat ishin mbushur me delikatesa defiçitare, havjar, shampanjë dhe fruta të importuara, kuse orkestra luante muzikë “xhaz”, çka ishte e ndaluar në ditë të zakonshme. Midis mysafirëve ishte Xhekson Tejti, kapiten i forcave ushtarako-detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një bjond ky shtatlartë, me një buzëqeshje të ëmbël dhe me një sjellje prej xhentëlmeni. Ai fliste rusisht me një theks të veçantë, rrëfente për Nju Jorkun dhe Hollivudin. Fjodorova, me një fustan elegant me supe të hapura, po vallëzonte me të një vals, të shoqëruar me serenadën e Hënës të Glen Milerit. Ndjenjat shpërthyen menjëherë. Shëtitje nëpër parkun “Gorki”, takime të fshehta nëpër apartamentet e miqve, ku Tejti luante në piano melodi amerikane, kurse Zoja këndonte romanca ruse, si “Sytë e zinj”. “Ti je fitorja ime e vërtetë në këtë luftë”, i pëshpëriste ai, duke i puthur duart. Fjodorova, e shkurorëzuar pas një martese të pasuksesshme me pilotin Vladimir Rapoport, të arrestuar në vitin 1938, krijoi bindjen se kjo ishte një dashuri e vërtetë. Por Vollkovi e përgjonte. Agjentët e tij mbanin shënim çdo takim, duke kapur letra dhe shënime. Beria, sapo merrte raportime, nxihej në fytyrë. “Kësaj i thonë jo dashuri, por spiunazh potencial. Shfrytëzojeni këtë rast”. Në janar të vitit 1946, Fjodorova lindi një vajzë – Viktorian, me sy bojëqielli, që i ngjante të atit. Për ta mbajtur të fshehtë lidhjen me një të huaj, ajo bëri një martesë formale me kompozitorin Aleksandër Rjazanov, mikun e familjes. Tejti u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerkës, duke premtuar të kthehej, por letrat kalonin nëpër duart e censurës. Me këtë rast, Beria vuri re një rrezik. Aktorja mund të përcillte sekrete nëpërmjet spiunazhit të shtratit. Më 27 dhjetor të vitit 1946, pas një mbrëmjeje miqësore te gazetari britanik Aleksandër Vert, pasoi arrestimi. Agjentët e ministrisë së brendshme u dyndën në apartamentin e Fjodorovës në rrugën “Gorki”. “Ju akuzoheni për spiunazh dhe për veprimtari antisovjetike” – i tha Vollkovi, që drejtonte hetimin në Lubjankë. Fjodorova, në një qeli të ftohtë në Lubjankë, kujton më vonë në biseda me të bijën: “Ata deshën të më mposhtnin, por dashuria më jepte forcë”. Marrjet në pyetje vazhdonin tërë natën e natës.Vollkovi i bërtiste, e kërcënonte me arrestimin e të motrave dhe të vajzës. “Ti i ke ditur rregullat. Trupi i përket partisë dhe jo imperialistëve”, – i turfullonte ai. Fjodorova rrinte e s’fliste për hollësitë e ndjenjave, por nënshkroi të pohonte nga torturat. Dënimi në gusht të vitit 1947 ishte i egër: 25 vjet në kampet e internimit dhe konfiskim i pronës, internim i familjes. Motra, Aleksandra, me fëmijë, me 8 vjet në Akmolensk, motra Maria me 10 vjet në Arkutë, ku vdiq nga tuberkulozi në vitin 1952. Fjodorova përfundoi në Alxhir, kampi i Akmolenskut, i njohur si kampi “i grave të tradhtarëve të atdheut”. Atje, nëpër baranga të stepës së Kazakistanit, ajo përjetoi urinë, të ftohtit dhe poshtërimin. Puna në një fabrikë tullash, tortura, përdhunime nga ana e rojave. “Unë linda në burg, por nuk u mposhta”, – ka shkruar ajo më vonë në shënime të fshehta. Vollkovi, duke ndjekur nga afër çështjen e saj, përjetonte vrasjen e ndërgjegjes. “Ajo dashuronte me çiltërsi, kurse ne e degraduam dashurinë në krim”. Rrjeti e pati përdorur historinë e Fjodorovës si paralajmërim. Aktore të tjera, si Tamara Nosova ose Nadjezhda Rumjanceva, e dinin: romancat me të huajt të çojnë në kampe internimi. Buqeta lulëzonte. Beria organizonte bankete për takime me aleatët, ku aktoret grumbullonin thashetheme, por e paguanin me trup. Fjodorova u lirua në shkurt të vitit 1955, pas vdekjes së Stalinit dhe arrestimit të Berias. Amnistia e Hrushovit e ktheu në Moskë, por shëndeti kishte marrë tatëpjetën: tuberkuloz, probeme me zemrën. Ajo u rikthye në kinematografi, luajti rolet “Përralla për kohën e humbur”, në vitin 1964, dhe “Dasmë në Malinovkë”, në vitin 1967. Por karriera perëndoi. Në vitin 1976 ajo e takoi Tejtin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një takim prekës pas një ndarjeje tridhjetëvjeçare, por ai vdiq nga kanceri në vitin 1978. Fjodorova e kalonte jetën qetë, merrej me edukimin e vajzës Viktoria, e cila qe bërë përkthyese, por hijet e së kaluarës ia behën përsëri. Më 11 dhjetor të vitit 1981 atë e gjetën të vdekur në apartamentin në bulevardin Kutuzov: një e shtënë në kokë me një pistoletë Makarov. Zyrtarisht – vetëvrasje. Por Vollkovi, në një subjekt të trilluar, dyshon për KGB-në. Ajo dinte shumë më tepër për “Buqetën”. Vajza Viktoria emigroi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1978, ku pati botuar kujtimet me titull “Bija e admiralit”, në vitin 1995. “Mamaja dashuronte dhe kjo e vrau. Sistemi nuk i falte ndjenjat”. Vollkovi, duke përsiatur për fatin e saj, po pinte një cigare në kabinetin e vet: “Zoja është simboli se si dashuria shndërrohej në tradhti”. Rrjeti vazhdonte punën, por farët e revoltës ishin mbjellë. Në gusht të vitit 1947 Moskën e kishte pllakosur vapa dhe tensioni. Zhegu varej mbi Moskë si një peshë e rëndë, kurse rrugët, ku ishin të pranishme ende gjurmët e luftës, me asfaltin e plasaritur dhe gropat nga shpërthimet, dukeshin të qeta, por poshtë asaj qetësie ziente jeta e represioneve. Kremlini, me muret dhe kullat e kuqe, shklqente nga rrezet e diellit, por brenda sallave të tij mbretëronte atmosfera e frikës dhe e intrigave. Banketi në sallën e madhe të pallatit të Kremlinit shërbente si njëra nga ato ngjarje të shënuara, ku elita mblidhej për të festuar sukseset e socializmit. Tryezat ishin të mbushura dëng me verë kaukaziane, me peshk bli, me fruta të importuara. Orkestra luante marshe dhe valse, kurse mysafirët, ministrat, gjeneralët e minitrisë së brendshme dhe gratë e tyre shkëmbenin buzëqeshje që fshihnin thikat pas shpine. Lavrenti Beria, me uniformën e vet me spaleta të arta, po rrinte më këmbë në qendër të sallës, duke pirë konjak dhe duke ndjekur me sy të pranishmit me një nënqeshje dhelparake. Operacioni i tij “Buqetë” asokohe ishte në lulëzim të plotë. Dhjetra femra, por edhe aktore, patën kaluar nëpër vilën dhe apartamentet e tij, duke lënë fakte komprometuese në kasafortat e ministrisë së brendshme. Por atë mbrëmje vështrimi i tij u ndal te Evgjeni Garkusha, aktorja 32-vjeçare nga Teatri i dramës së Leningradit, bashkëshortja e komisarit të flotës detare Pjetër Shirshov. Garkusha ishte një brune elegante, me ca tipare klasike të fytyrës, me mollëza të bëshme dhe me sy plot intelekt dhe zjarr. E lindur në vitin 1915 në Petrograd, në familjen e një agronomi, ajo pati përjetuar revolucionin dhe urinë e vitit 1921, pasi qe zhvendosur me familjen në Kiev. Këtu, në vitin 1937, përfundoi studion pranë Teatrit dramatik, ku, në vitin 1940, e patën pikasur për të luajtur rolin në dramën “Oqeani i pestë”, në filmin për eksploruesit e Polit të Veriut, ku ajo luajti rolin e një eksplorueseje të guximshme. Karriera bëri përpjetë: role në teatër, turne, por jeta personale ishte dramatike. Në vitin 1930 u martua me poetin Jarosllav Radionov, por martesa u prish për shkak të arrestimit të tij në vitin 1938. Në vitin 1941, gjatë xhirimit të filmit dokumentar për Polin e Veriut, ajo takoi Pjetër Shirshovin, heroin e ekspeditës “Poli i Veriut 1”, një shkencëtar ky oqeanolog dhe anëtar i byrosë politike. Dashuria shpërtheu në çast. Shirshovi, shtatlartë dhe karizmatik, me medalje në gjoks, u bë mbshtetja e saj. Në vitin 1944 lindi vajza, Marina, dhe familja jetonte në një apartament elitar në bulevardin Kutuzov. Garkusha vazhdonte të luante. Rolet, si anëtare qeverie në vitin 1939, e bënë atë simbol të femrës sovjetike, besnike ndaj atdheut. Për banket ajo kishte veshur një fustan mëndafshi ngjyrë fildishi, me supe të hapura, dhe kishte varur në qafë një gjerdan margaritari, dhuratë nga i shoqi. Shirshovi, në biseda me ministrat, nuk e pati vënë re që Beria i qe afruar asaj me një gotë shampanjë në dorë: “A vallëzojmë bashkë, moj bukuroshe?”, – i propozoi ai. Sytë i shkëlqyen përtej syzeve të tij. “Ju jeni stolia e kësaj mbrëmjeje”. Garkusha buzëqeshi me mirësjellje, por kur dora e tij rrëshqiti poshtë belit të saj, fytyra e saj ndryshoi. Ajo e shtyu tutje dhe, në qetësinë e sallës, u dëgjua kërcitja e një shuplke. Të fortë, si ndonjë e shtën pushke. “Unë nuk jam kukulla juaj, shoku Beria”, – shqiptoi ajo me një gjuhë të qartë dhe zëri i saj u përhap në sallë si një jehonë. “Unë jam bashkëshorte e heroit sovjetik, por jo objekt për kënaqësitë tuaja”. Salla ngriu. Mysafirët shikonin njëri-tjetrin, orkestra ngatërroi ritmin. Beria u skuq, fshiu faqen. “Ti do të pendohesh për këtë, moj e përdalë”. Shirshovi u frua me vrap, mori të shoqen, por dëmi qe bërë. Vollkovi, që ishte i pranishëm si dëshmitar, e shënoi në raport këtë incident. “Objekti tregoi mosbindje. Rekomandohet arrest, si shembull për të tjerat”. Në mëngjes, më 28 korrik 1947, arrest. Agjentët e ministrisë së brendshme u dyndën në apartamentin e Garkushës në të gdhirë. “Ju akuzoheni për agjitacion antisovjetik dhe fyerje të udhëheqjes”, – i tha kryehetuesi, pa urdhërarresti, pa shpjegime. E çuan në Lubjankë, si të burgosurën me nr. 13. Shirshovi, pasi u zgjua nga zhurma, u nis me të shpejt për në Kremlin, iu lut Stalinit, i shkroi dhe i telefonoi Berias: “kthemani time shoqe, ajo nuk ka bërë asnjë faj”, bërtiste ai. Përgjigjja e Stalinit ishte e ftohtë; “Do të gjesh grua tjetër, or Pjetër. Partia është më e rëndësishme”. Beria, hakmarrës dhe mizor, nguli këmbë për dënimin: 10 vjet në kampe internimi, sipas nenit 5810 – propagandë ose agjitacion. Garkusha përfundoi në burg në Lubjankë, ku e patën marrë në pyetje për netë me rdhë. Vollkovi, që drejtonte hetimin, kujtonte fjalët e saj: “Nuk pendohem për shuplakën që i dhashë. Ky ishte një akt dinjiteti”. Torturat ishin mizore: lënie pa gjumë, rrahje, kërcënime për vajzën. “Ti i ke ditur rregullat e “Buqetës””, – i turfullonte Vollkovi. – Bukuria është pronë e elitës”. Garkusha qe dërguar në kampin e internimit, në Amçekë, jo larg nga Magadani, Kollëjma, një skëterrë mbi tokë, me ngrica me temperaturë deri në – 50º dhe me punë të detyruar në xeherorë ari. Atje ajo punonte në një barangë me të tjera gra të armiqve të popullit – qepje, larje rrobash, por shëndeti po merrte tatëpjetën. Në vitin 1948, më 11 gusht, ajo i dha fund jetës, pasi gëlltiti një ilaç helmatisës që ia pati marrë fshehurazi mjekut të kampit. “Nuk e duroi dot poshtërimin”, – thuhej në reportimin zyrtar, por llafet qarkullonin për më të keqen: përdhunime nga ana e rojave, tortura, fyerje e dinjitetit. Shirshovi e mori lajmin për vdekjen e saj një muaj më vonë, U mposht, filloi të pijë. Kurse në vitin 1953 u mbyt në detin Barens, gjatë kohës së ekspeditës, qarkulluan llafe për vetëvrasje nga hidhërimi. Vajza, Marina, u rrit me gjyshen, më vonë u bë biologe në Institutin e oqeanologjisë me emrin Shirshov, por tërë jetën heshti për të ëmën. Frika mbeti. Historia e Garkushës qe kthyer në legjendë në qarqet aktoriale: shuplaka Berias pati shërbyer si masë dënimi, por edhe si akt burrërie. Aktoret pëshpërisnin: “Evgjenia tregoi se mund të rezistohet, por çmimi paguhet me jetën”. Rolet e saj i patën fshirë nga afishe, filmat i rimontuan, por kujtesa vazhdonte të ruhej nëpër prapaskena. Vollkovi e pati fshehur ditarin e saj, që ia patën gjetur gjatë arrestimit: faqet me hollësitë e “Buqetës”, emrat, adresat e vilave, përshkrimet e përdhunimeve. Kjo është bombë, – pati menduar ai, duke e mbyllur në kasafortë. Rrjeti vazhdonte punën. Beria hakmerrej, duke arrestuar të tjera, por Garkusha qe bërë si plasaritje e sistemit. Në vitin 1956, pas kongresit XX dhe demaskimit të kultit të individit të Stalinit, Garkushën e patën rehabilituar pas vdekjes. Shirshovi ishte i vdekur, por e bija pati marrë dokumente: e pafajshme. Në periudhën passovjetike, historia u bë e njohur në kujtime dhe filma, si simbol i rezistencës femërore. Vollkovi, në një subjekt të trilluar, përsiatte: “Shuplaka pati shërbyer si një shkëndijë që ka për të ndezur zjarrin”. Fillimi i viteve 1950 në Bashkimin Sovjetik shënoi të ashtuquajturën “shkrirje e akujve” pas vdekjes së Stalinit në mars të vitit 1953. Por për shumë njerëz kjo ishte vetëm kotashpresa (iluzioni) e lirisë. Represionet u zbutën, por sitemi i kontrollit vazhdoi të mbetej i hekurt. Moska po lulëzonte, pallate të reja në bulevarde, metro me mermer dhe kristal, kinoteatra plot spektatorë, të etur për ta larguar mendjen nga vështirësitë e pasluftës. Megjithatë, në prapaskenë, në kabinetet e KGB-së, të transformuar nga ministria e brendshme e dikurshme në vitin 1954, dhe nëpër objekte të posaçme, operacioni “Buqetë” pati pësuar evolucion, duke u shndërruar në diçka shumë më të sofistikuar. Lavrenti Beria, i arrestuar në qeshor të vitit 1953 dhe i pushkatuar më 17 dhjetor të po atij viti, me akuzën për spiunazh, tradhti dhe përdhunim të qindra femrave, la pas vetes një rrjet, të cilin udhëheqësit e rinj – Hruhovi dhe rrethi i tij – nuk e patën shkatërruar, por e patën përshtatur. Materiali komprometues nga “Buqeta” erdhi e u shndërrua në një instrument të luftës së brendshme. Dosjet me fotografi dhe shënime përdoreshin për shantazhimin e kundërshtarëve në byronë politike. Aktoret, që patën përjetuar terrorin stalinist, tani jetonin në një tjetër ralitet. Rolet shpërndaheshin nëpërmjet përkrahësve nga organet shtetopartiake, kurse refuzimet, po ashtu, rrezikonin karrierën. Aleksej Vollkovi, tani kolonel i KGB-së, i ngjiti shkallët e karrierës pas arrestimit të Berias. Raportimet e tij për “Buqetën” e patën ndihmuar Hrushovin për demaskimin e armikut të popullit. Por Vollkovi dinte të vërtetën: rrjeti nuk ishte zhdukur, thjesht ndërroi pronarin. Objektet e posaçme, vilat në rrethinat e Moskës, apartamentet në bulevardin “Kutuzov” dhe madje qendrat institucionale për pushime në Krime, i patën pajisur me teknologji të reja, me kamera të fshehta dhe me mikrofonë, që regjistronin çdo fjalë dhe tingull epshor. “Tani në film regjistrohej jo vetëm trupi, por edhe shpirti”, – mendonte Vollkovi, duke shikuar regjistrimet në kabinetin e vet në Lubjankë. Sistemi lulëzoi. Aktoret i rekrutonin nëpërmjet përgjuesve nëpër teatra dhe studio, duke u premtuar role në shkëmbim të takimit me elitën. Tatjana Akunjevskaja, e arrestuar në vitin 1948, pasi pati refuzuar Berian, u lirua me amnisti në vitin 1954. Ishte 40 vjeçe, me shëndet të shkatërruar nga kampi i internimit. Torturat, uria, puna e rëndë në atë kamp, i patën lënë gjurmë plagësh në trup dhe në shpirt’ “Unë u ktheva, por një pjesë e trupit tim ka mbetur atje”, – shkruante në ditarin e saj. Në Moskë e priste varfëria, apartamenti qe konfiskuar, role nuk i jepnin. Vollkovi e pati takuar rastësisht në Teatrin “Vahtangov”. “Tatjana Kirillovna, partia po ju jep një mundësi të dytë”. Ai i propozoi të bashkëpunonin, takime me përkrahësit e vjetër nga Komiteti Qendror për role dhe për një apartament. Akunjevskaja pranoi. Mbijetesa është më e çmuar sesa krenaria. E kthyen në teatër. I dhanë role në dramën “Viktima e fundit” e vitit 1956 dhe “Rruga e ndritur”, të ribotuar pas censurës. Por çmimi ishte si ai i mëparshmi: takime kabineti në apartamentet në Arbat, ku kamerat regjistronin gjithçka. Një përkrahës, zëvendësministër i kulturës, kërkonte shfaqje personale. Akunjevskaja, duke kujtuar Berian, duronte, por përbrenda grumbullonte mllef. Kujtimet e saj më vonë zbulojnë: “N vitet 1950 kjo nuk ishte dhunë, ishte tregti – trupi për një afishe”. Zoja Fjodorova, që qe liruar në vitin 1955, pas nëntë vjetësh në kampe internimi, qe përplasur me të njëjtën dukuri. Ajo ishte 46 vjeçe. Vajza, Viktoria nëntëvjeçare, e njihte nënën nga fotografia. Fjodorova u rithye në kinematografi: episode, përralla për kohën e humbur, në vitin 1964, por e anashkalonin për role me autoritet të madh: damka e spiunes. Vollkovi e ndihmoi: “puno me ne, Zoja”. Ajo pranoi takime me nëpunës të lartë, duke marrë një rol në dramën “Në Malinovkë” në vitin 1967, Llafet qarkullonin: ”Ajo fle me regjisorin prapa ekranit”. Fjodorova rrinte në heshtje, por i shkroi së bijës: “Ky është çmimi për jetën tonë”. Evgjeni Garkusha, që vdiq në vitin 1948 në kampin e internimit, qe kthyer në fantazmë të sistemit. Historia e saj përcillej gojë më gojë, si një paralajmërim. Qe rehabilituar në vitin 1956, por i shoqi, Shirshovi, kishte vdekur. Vajza, Marina, u rrit jetime. Vollkovi e pati gjetur ditarin e saj në arkiv – faqe me emrat e Berias, të truprojave të tij, me adresat e vilave. Kjo ëhtë bombë, – pati thënë me vete, – duhet fshehur. Në vitet 1950 rrjeti u adapatua. Në kohën e Hrushovit “Buqeta” u shndërrua në shkëmbim kulturor. Aktoret i dërgonin për të dhënë shfaqje jashtë vendit, për të marrë informacion. Kamerat nëpër kabinete regjisronin materiale komprometuese: fotografitë e grave lakuriq, me nëpunës të lartë, i shfrytëzonin për besnikëri, aktoret pëshpërisnin nëpër dhomat e grimit. “Tani është jo Beria, por mbarë partia”. Vollkovi, gjatë përkujdesjeve të tij, ra në dashuri me Akunjevskajan: takimet e tyre u shndërruan në roman. “Ti je ndërgegjja ime”, – i pëshpëriste ai. Ajo i përgjigjej: “Kurse ti je xhelati im”. Së bashku grabitnin dosje. Ishte fillimi i rebelimit. Lulëzimi i rrjetit qëlloi në fundin e viteve 1950. KGB-ja, nën drejtimin e Semeçesnit, e pati shtuar kontrollin. Aktoret, si Lidia Smirnova ose Ina Makarova, e dinin: një rol në filmin “Tokat e çara” në vitin 1959, sigurohej përmes një përkrahësi. Akunjevskaja u rikthye në kinematografi: “Vajza me kitarë” në vitin 1958, por dështoi: alkolzmi, depresioni. Fjodorova bënte një jetë të qetë, por në vitet 1960 e bija emigroi, duke zbuluar sekretet. Garkusha – simbol. Shuplaka e saj frymëzonte. Vollkovi, duke rrezikuar, nxirrte informacione si disident: “Sistemi lulëzon, por rrënjët janë në kalbëzim e sipër”, – mendonte ai. Me afrimin e viteve 1960, Moska tashmë nuk ishte qytet gërmadhash. Mikrorajone të reja në periferi, rrugë të gjera, kinoteatrat “Rusia” dhe “Udarnjik” ushtonin nga shfaqjet, kurse nëpër rrugë lëviznin veturat “vollga” dhe “pobjeda”. Por në kabinetet e KGB-së në Lubjankë dhe në objekte të posaçme në rrethinat e Moskës, operacioni “Buqetë” kishte arritur kulmin. Tani kjo ishte jo vetëm një makinë epshi, por edhe një instrument i shantazhit politik. Dosjet me fotografi, me shirita filmi dhe me regjistrime takimesh, ruheshin nëpër kasaforta me shënimin “krejtësisht sekret”. Ato i përdornin jo vetëm për të kontrolluar elitat, por edhe për të hequr qafe ata që ishin të panevojshëm. Një e dhënë komprometuese dhe ministri lante duart nga posti i tij, gjenerali mbetej pa yje, kurse regjisori humbiste studion. Aktoret që kishin përjetuar skëterrën staliniane, tani jetonin në një kafaz të artë: role, apartamente, vila – të gjitha këto shërbenin si shpërblim për heshtjen dhe shërbimet. Por brenda sistemit ndiheshin plasaritjet: lodhja, frika dhe etja për hakmarrje. Aleksej Vollkovi, tani kolonel i KGB-së, qe bërë një ruajtës i “Buqetës” së fshehtë. Kabineti i tij në Lubjankë ishte plot me kasaforta: mijëra dosje, qindra shirita filmi. Ai po vërente se si rrjeti qe zgjeruar. Nën drejtimin e shefit të ri të KGB-së, Vladimir Semeçesnovit, në periudhën mes viteve 1961-1967, objektet e posaçme i patën pajisur me teknikën më moderne: me kamera japoneze, me diktofonë gjermanë. “Tani ne regjistrojmë jo vetëm trupin, por edhe shpirtin”, – qe shprehur Semeçesnovi në mbledhje të mbyllura. Ndërkohë, Vollkovi kishte ndryshuar. Dashuria me Tatjana Akunjevskajan, që kishte filluar në vitin 1955, ishte shndërruar në diçka më shumë. Ajo jetonte në një apartament të ri në bulevardin “Kutuzov”, që e pati marë për besnikëri, por tërë natën e natës i pati rrëfyer për kampet e përqendrimit, për Berian, për fate të shkatërruara. “Ti je xhelati im, por edhe shpëtimtari im”, – pëshpëriste ajo, duke thithur cigaren pranë dritares. Vollkovi, i torturuar në ndëgjegje, filloi të grabiste dosje, kopje fotografish, shirita filmi, lista. “Kësaj nuk i thonë tradhti”, – i mbushte mendjen vetes. “Ky është vetëpastrim”. Tatjana Akunjevskaja, në moshën 46-vjeçare, u rikthye në kinematografi. Role në “Vajza me kitarë” në vitin 1958, “Të pamposhturit”, në vitin 1959, por çmimi ishte i lartë. Në vitin 1962, Semeçasnov e pati ftuar për një takim në një apartament në Arbat. “Ti je simbol i femrës sovjetike, por simboli duhet të jetë i bindur”. Akunjevskaja refuzoi. ”Unë tashmë ia pata dhënë shpirtin sistemit. Trupin nuk e jap më”. Përgjigjja – përndjekje. Rolet ia ndërprenë, teatrat e braktisën me pretekstin e paaftësisë profesionale. Ajo filloi të pijë, por nuk u mposht. Në vitin 1963, Vollkovi i pati dorëzuar dosjen e Berias. ”Kjo është hakmarrja jote”. Akunjevskaja filloi të shkruajë kujtime. Fshehurazi, në copa letrash. ”Do të rrëfej gjithçka”, – thoshte ajo. Zoja Fjodorova, në moshën 54-vjeçare, po bënte një jetë të qetë. Vajza, Viktoria, qe rritur, vazhdonte studimet në Institutin shtetëror të marrëdhënieve ndërkombëtare në Moskë. Rolet në ”Dasmë në Malinovkë” në vitin 1967, ishin të rralla. Por Fjodorova i refuzonte takimet. Në vitin 1965, KGB-ja i propozoi një turne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën maskën e shkëmbimeve kulturore. Ajo pranoi, me shpresën për të takuar Tejtin, por paskej qenë një grackë hesapi. Në Nju Jork atë e patën detyruar të spiunonte emigrantët. Pasi u kthye, i ndërpreu lidhjet me sistemin. ”Unë nuk jam e përdala e KGB-së”. Vollkovi, si kujdestar i saj, e pati paralajmëruar: “Kanë për të të hequr qafe”. Fjodorova pati filluar të mblidhte prova – letra, shënime. Evgjeni Garkusha, e vdekur që në vitin 1948, qe kthyer në një simbol. Ditari i saj, të cilin Vollkovi e kishte mbajtur të fshehtë, përmbante emra: Beria, Sarkisov, adresa vilash. Në vitin 1964, Vollkovi ia pati dorëzuar një kopje disidentit Andrea Sinjavski. “Kjo ka për ta hedhur në erë sistemin”. Sinjavski, i arrestuar në vitin 1965, arriti t’i fshihte materialet. Plasaritja po shtohej. Aktoret, si Marina Lladëjnjina dhe Klara Lluçko, ishin duke pëshpëritur për një rebelim. Kulmi në vitin 1967. Akunjevskaja e pati refuzuar Semeçesnovin për të dytën herë. “Unë nk jam kukulla juaj”. Vollkovi e hodhi dosjen në qarkullim, si një botim anonim, me titullin “Të fshehtat e Kremlinit”, një broshurë kjo me fotografi dhe me emra. KGB-ja u alarmua. Arrestime, spastrime. Vollkovi qe arrestuar në vitin 1968 për tradhti ndaj atdheut. Akunjevskaja qe vënë nën përgjim. Fjodorovën e kishte kapur frika. Por rrjeti shkaktoi plasaritje. Në vitin 1964 Hrushovin e patën larguar nga pushteti. Brezhnjevi e dobësoi kontrollin. Vollkovi u lirua në vitin 1975. Takoi Akunjevskën. ”Ne ndezëm zjarrin”. Rrjeti nuk u shemb, por u dobësua. Aktoret refuzonin. Disidentët përhapnin të vërtetën. Akunjevskja vdiq në vitin 2002. Kujtimet e saj ”Dita e Tatjanës” të vitit 1998 shërbyen si bombë. Fjodorova qe vrarë në vitin 1981. KGB-ja i zhduku gjurmët. Garkusha – simbol i përjetshëm. Rebelimi filloi. Viti 1980. Moska nuk ishte tashmë si ajo e vitit 1946. Në vend të vampirëve stalinistë, u dukën pallatet-kutiza, me apartamente të vockëla, të quajtura hrushovka dhe brezhnjevka. Në vend të zisëve, veturat zhiguli dhe vollga. Në vend të frikës – lodhja. Perestrojka e Gorbaçovit ende nuk ishte filluar zyrtarisht, por në ajër endej një parandjenjë. Nëpër korridoret e komitetit qendror pëshpëritej për gllasnostin, për njerëzit që zinin radhë pr të blerë sallam, për fundin e amullisë. Kurse në arkivat e KGB-së në Lubjankë, u dukën dosjet e operacionit “Buqetë”. Mijëra dosje, qindra shirita filmash, dhjetra emra, mund ta hidhnin sistemin në erë. Aleksej Vollkovi, tani pensionist 68-vjeçar, qe liruar nga kampi i internimit në vitin 1975, pas shtatë vjetësh në Mordovi. Dosjen e tij e patën mbyllur për mungesë faktesh krimnale, por pensionin ia dhanë minimal – 47 rubla në muaj. Jetonte në një apartament me një dhomë, në periferi, në ish-konviktin e Moskfilmit, ku muret ishin të holla, kurse fqinj kishte ca punëtorë të ndriçimit dhe të grimit. Çdo mëngjes pinte çaj nga një gotë prej teneqeje dhe rilexonte kopjet e dosjeve, të cilat kishte arritur t’i merrte me vete në vitin 1968. Mes tyre – ditari i Evgjeni Garkushës, fotografitë e Zoja Fjodorovës me të bijën, një autoregjistrim i Tatjana Akunjevskajas, ku ajo pëshpërit: “Unë nuk u mposhta”. Vollkovi e dinte: ishte tamam koha e duhur. Viti 1986. Plasaritja e parë. Në mars të vitit 1986, në revistën “Ogonjok” qe botuar artikulli me titull “Të fshehtat e vilave të vjetra”, pa emra, por me aluzione. Autor i artikullit ishte një gazetar i ri – Andrea Kollosovi, i biri i një regjisori të përndjekur. Atij i pati ardhur një zarf anonim – kopje dokumentesh, fotografi të vilës në Zhukovkë, një listë me 47 emra femrash. Kollosovi nuk besoi, por filloi të gërmonte. Nëpërmjet të të njohurve në KGB, doli te Vollkovi. Një takim në parkun Sokolnjiki, në një stol pranë burimit. – Ju jeni pikërisht ai Vollkovi? – e pyeti Kollosovi. – Kam qenë Vollkovi, tani jam fantazmë, – iu përgjigj plaku, duke i zgjatur një dosje. – Këtu është gjithçka, por në qoftë se do ta publikoni, kanë për t’iu hequr qafe. – Po sikut të mos e publikoj, atëherë ata do të dalin fitimtarë. – Kollosovi e publikoi. Artikulli bëri që shtypi të shpërthejë, në komitetin qendror filluan të lëviznin: kush e bëri publike? Viti 1987. Gllasnosti dhe arkivat. Gorbaçovi deklaroi “Gllasnostin”. Në korrik të vitit 1978, komisioni për rehabilitimin filloi të hapte arkivat. Vollkovi, si dëshmitar, qe paisur me leje. Ai gjeti dokumente origjinale, dosjen e Berias me numër 1946-47. 760 emra, 312 fotografi, 47 shirita filmi. Dosja e Akunjevskajas – 12 vëllime, duke përfshirë regjistrimin e marrjeve në pyetje në vitin 1948. Dosja e Fjodorovës – 8 vëllime, përfshirë letrën që i kishte dërguar Tejtit, të cilën ia kishin kapur në vitin 1946. Dosja e Evgjeni Garkushës – 3 vëllime, përfshirë ditarin e saj dhe aktin e vdekjes. Vollkovi pati kopjuar gjithçka – me kseroks, natën, në bodrumin e Lubjankës. Viti 1948. Flet Akunjevskaja: Tatjana Akunjevskaja, 74 vjeçe, e gjallë, jeton po në atë apartament në bulevardin Kutuzov. Në vitin 1988 e patën ftuar në emisionin televiziv “Këndvështrim”. Në efir ajo deklaroi drejtpërdrejt: “Unë kam qenë në skëterrë, më kanë përdhunuar, më kanë rrahur, më patën detyruar të hesht, por unë nuk kam heshtur dhe nuk do të hesht”. Salla po duartrokiste më këmbë. Po atë mbrëmje, KGB-ja i ndërpreu lidhjen telefonike. Por më vonë regjistrimi qe shpërndarë në mbarë vendin. Viti 1989. Vrasja e Fjodorovës. Finali. Më 11 dhjetor të vitit 1981, Zoja Fjodorovnën e vranë në apartamentin e saj. Njoftimi zyrtar – vetëvrasje. Por në vitin 1989, hetuesia iu kthye përsëri ekspertizës. Përfundimi – gjuajtje nga pas. Plumbi ishte i pistoletës së KGB-së. Vollkovi i dorëzoi Kollosovit shiritin e filmit, regjistrim i vitit 1979, ku Fjodorova thotë: “Në qoftë se do të më vrasin, kërkoni në KGB”. Artikulli në gazetën “Moskovskije novosti”, me titull” “Kush e vrau Zoja Fjodorovnën?”. 2 milionë ekzemlarë. Viti 1990. Rehabilitimi dhe gjyqi. Evgjeni Garkusha u rehabilitua pas vdekjes.12 janar 1990. Zoja Fjodorova. Dosja u mbyll për munges të lëndës së krimit. 3 mars 1990. Tatjana Akunjevskaja mori medaljen e shkallës së katërt për merita para atdheut. 1998. Vollkovi vdiq në vitin 1991, në ditën e puçit. Regjistrimi i tij i fundit në ditar: “Unë nuk jam hero, unë jam xhelati që u bë dëshmitar, por dëshmitarët janë fitorja”. 1991- 2000. Trashëgimia. 1995. Viktoria Fjodorova boton: “E bija e admiralit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. 1998. Akunjevskaja boton kujtimet me titull “Dita e Tatjanës”, libri më i shitur. 2002. Akunjevskaja vdes në moshën 88-vjeçare. Ceremonia mortore në Novodjeviçje. 2003. Prokuroria e Federatës Ruse deklaron: “Beria pati përdhunuar 760 femra”. 2020. Jehona. Në vitin 2022, në Moskë qe përuruar një pllakë përkujtimore, në pallatin e Akunjevskajas. Në vitin 2023 u vu në qarkullim filmi dokumentar me titull “Buqetë për byronë politike”, regjisor-autor Andrea Kollusov. Në vitin 2025 u hap ekspozita në muzeun e kampeve të internimit (GULLAG – Drejtoria shtetërore e Kampeve të Internimit), me ekponate origjinalet e dosjeve, ditari i Garkushës, lenta filmike e Fjodorovës. Në ceremoninë e përurimit mori pjesë stërmbesa e Fjodorovës, aktore nga Los Anxhelosi. Ajo tha: “Ata deshën që ne të heshtnim. Ne po flasim”. Rrjeti u shemb, por jehona është e gjallë.
—————————
*Shënim i Eshref Ymerit.
Në faqet e internetit në gjuhën ruse, ekzistojnë materiale skandaloze për degjenerimin tërësor moral në të gjitha sferat e jetës sovjetike, duke filluar nga mjediset fshatarake, deri te sferat më të larta të udhëheqjes së partisë. Njëri nga materialet titullohet “Haremi i shokut Stalin”. Është botuar në faqen e internetit “dzen.ru/a” të datës 26 gusht 2018. Tihon Çugunovi, në një libër të vetin, të botuar në Mynih në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, shkruan se si në vitet ’30-’40, në fshatin Bollotnoje, kryetari i kolkozit i detyronte gratë e fshatit të bashkëjetonin me të. Atyre që pranonin, ai u shënonte më shumë ditëpune, u jepte ushqim për kafshët. Ato që kundërshtonin, ai i shpërfillte, i dërgonte në punët më të rënda në mot të keq. Çdo mbrëmje ishte e detyruar të vinte te kryetari një femër e re për të pastruar zyrën. Të gjitha gratë e fshatit, të moshës nga 16 deri në 40 vjeçe, pa përjashtim, ai i kishte shpallur zyrtarisht në pronësi të vet. Kur në komitetin rajonal të partisë ndokush nga gratë dhe vajzat ankohej kundër këtij dhunuesi, asaj nuk ia vinte veshin skush.







