Ballina Aktualitet Viti 2024, rriten shtrimet në spitale, bien vizitat në qëndrat shëndetësore

Viti 2024, rriten shtrimet në spitale, bien vizitat në qëndrat shëndetësore

91
0

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë se spitalet, si një hallkë kyçe e sistemit shëndetësor, kanë përballuar një fluks më të lartë pacientësh krahasuar me vitin paraardhës. Në total, në vend funksionuan 65 spitale, prej të cilave 41 publike dhe 24 private. Vetëm në institucionet publike u shtruan 299.318 pacientë, një rritje prej 4,8% krahasuar me vitin 2023. Kapacitetet spitalore kanë mbetur të qëndrueshme, me 8.911 shtretër në dispozicion dhe një shkallë shfrytëzimi prej 176,7 ditësh për shtrat, ekuivalente me 48,4% të ditëve të vitit. Pacientët kanë qëndruar mesatarisht 4,7 ditë në spital dhe çdo shtrat është përdorur rreth 38 herë gjatë vitit. Edhe ndërhyrjet kirurgjikale kanë ruajtur një ritëm të qëndrueshëm, duke arritur në 65.302 raste, pak më shumë se në vitin 2023.

Në të njëjtën kohë, kujdesi shëndetësor parësor ka përjetuar ulje të vizitave. Gjatë vitit 2024 u realizuan gjithsej 8.951.864 vizita në qendrat shëndetësore, ambulanca dhe poliklinika, një rënie prej 3,1% në krahasim me një vit më parë. Përtej shpërndarjes së vizitave sipas institucioneve, vihet re se më shumë se një e treta e tyre, rreth 35,4%, janë kryer nga persona mbi 60 vjeç – një tregues i qartë i rritjes së kërkesës së kësaj grupmoshe për shërbime shëndetësore. Rënie e ndjeshme është vërejtur edhe në konsultorin e gruas, ku janë regjistruar 184.801 vizita, ose 9,2% më pak se në vitin 2023. Pjesa më e madhe e vizitave kanë qenë obstetrikale, ndërsa vizitat gjinekologjike kanë zënë rreth një të pestën e totalit. Gjatë vitit ka pasur një rritje të lehtë të vizitave obstetrikale të para, të cilat kanë përbërë gati 16% të totalit, ndërkohë që gjysma e vizitave obstetrikale janë kryer me asistencë të mjekut specialist.