Ballina Opinion Shqiptarët duhet të ngrihen kundër aleancës së nonsensit

Shqiptarët duhet të ngrihen kundër aleancës së nonsensit

150
0

Jo, nuk ekziston një komplot Sorosian, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër të botës. Jo, hebrenjtë nuk e kontrollojnë botën. Po kështu, nuk ekziston një komplot përmes të cilit arabët dhe myslimanët synojnë të pushtojnë Perëndimin me lindshmëri më të lartë. Jo, emigrantët nuk bëjnë fëmijë për të përfituar nga sistemi i kujdesit social në vendet me mirëqenie sociale.

Jo, nuk ekziston asnjë komplot gejësh për të shkatërruar kombin. Nëse kombi po tretet nga emigrimi, kjo ndodh për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. Korrupsioni është shkaku, keqqeverisja është pasoja. Keqqeverisja, ndonëse po zhduk mundësinë për jetë normale në një vend normal, nuk e ka për qëllim në vetvete këtë dhe kjo nuk përbën komplot. Është efekt anësor i etjes për pushtet.

Jo, integrimi evropian nuk është një proces, në fund të së cilit meshkujt duhet të përdhunohen (dhe të shprehen të lumtur për këtë) për t’u klasifikuar si të denjë për anëtarësim. Ajo çfarë kërkohet është respekti për të drejtat e njeriut.

Jo, Eqrem Çabej nuk është tradhtar i kombit dhe vijon të jetë studiuesi më i madh i gjuhës shqipe që ka ekzistuar ndonjëherë. Pretendimet që Thott-i fliste shqip, e të tjera si këto, janë fantazi. Nëse doni të kuptoni diçka për origjinën e gjuhës shqipe, lexoni Hyrje në historinë e gjuhës shqipe.

Jo, Harry Potter nuk është furnizuar me energji në Berat. Në fantazinë e J.K. Rowling, Voldemorti, (i sjellë në shqip nga Amik Kasoruho me emrin Fluronvdekja) u fsheh në Shqipëri kur u rrëzua nga pushteti në botën paralele të magjistarëve dhe magjistricave të Anglisë. Ndokush me të drejtë mund të thotë se J.K. Rowling e ka nga fantazia Voldemortin të fshehur në një pyll në Shqipërinë e jugut. Pra çfarë problemi mund të kem unë me fantazinë e dikujt tjetër? Në fakt nuk kam asnjë problem me fantazinë, përveç problemit që prezantohet si fakt.

Ekosistemi informativ në Shqipëri, ai që duhet të informojë qytetarët për çështje të rëndësishme me qëllim që qytetarët të bëjnë vendime të arsyeshme, për të votuar, për t’u organizuar në grupe, shoqëri, palë apo parti, është duke u helmuar çdo ditë me një recetë nonsensesh për të krijuar një situatë neurotike.

Segmente të ndryshme të opozitës kanë përqafuar nonsenset e komplotit Sorosian dhe komplotit të gejëve kundër kombit, si zgjedhje e dëshpëruar në situatën kur udhëheqësi i saj 80-vjeçar nuk dëshiron të dalë në pension. Në mungesë të një alternative reale ndaj qeverisë, me të cilën bashkëpunon rregullisht dhe bën marrëveshje, Berisha natyrisht që do të fshihet nëpër cepat e ekstremizmave për të pasur një grusht sado të vogël mbështetësish të zhurmshëm. (Është gjithashtu e vërtetë se shumë nga deputetët e opozitës, ndonëse nuk denoncojnë publikisht politikat e nonsensit të Berishës dhe Metës, duket se po flasin me heshtjen e vet, duke mos dhënë deklarata absurde ose, në raste të kufizuara, duke zgjedhur thjeshtë të mos marrin pjesë në votimin e të shumëdebatuarit ligj Për Barazinë Gjinore.)

Ekzistenca e një opozite që përqafon ide ekstremiste siç patriotizmi është streha e fundit e batakçinjve, nuk do të na shkaktonte kaq shumë telashe nëse nuk do të mbështetej nga segment i dytë i aleancës së nonsensit, një numër televizionesh të cilat, ndërsa jetojnë falë kontratave koncesionare kontroverse, dhe të skualifikuara nga skena mediatike normale e cila doemos nënkupton një media kritike me qeverinë, kanë përqafuar politikën e nonsensit si mjeti i të dëshpëruarit për të tërhequr vëmendje.

Të qenit irreleant po i shtyn këto media proqeveritare të angazhohen në debate homofobike dhe të mbushin emisionet me një turli nonsensesh të tjera, nga turbofolku, ai muzikor dhe ai tjetri, llafollogjik, te diskutimet me fallxhoret me nam në Fier, te debatet apokaliptike me fundin e familjes dhe forcat e errëta të nëntokës, të cilat, nuk njihen nga shkenca, por prezantohen me forcë në televizionet që pretendojnë se janë serioze, në emisione të debatit politik që janë zbrazur nga politikanët për t’u mbushur me nonsense.

Ishte në një televizion të tillë, i cili supozohet nuk duhet të cysë çështje të tilla që bien ndesh me interesin e paguesit të vet, (përpos detyrimit nga licenca për të mos përhapur gjuhë urrejtjeje) ku një e ftuar pati këtë koment në lidhje me Ligjin Për Barazinë Gjinore: “Nuk na mbetet tjetër veçse të tredhim edhe këtë tridhjetë përqindësh të burrave që na kanë mbetur,” para se të konkludonte në mënyrë bombastike se “vendi ka nevojë për burra të vërtetë si Ismail Qemali dhe Skënderbeu.” Komenti i saj bombastik, i cili lidh ligjin Për Barazi Gjinore me “tredhjen e burrave” dhe supozon se 70% e burrave shqiptarë janë tredhur sakaq, u mbështet nga një koment i dytë në studio i në gruaje apo vajze tjetër, e cila hodhi hipotezën se “të qenit gej është bërë modë”.

Politika e nonsensit është rrjedhojë logjike e kalcifikimit të sistemit të korrupsionit dhe ilaçi i zgjedhur nga politikanët për të shmangur debatet mbi çështje reale, dhe për të luftuar forcën organizative të shoqërisë përmes mbushjesh së boshllëkut nga zëvendësimi i asaj që është politike, me një sistem gjigant klientelist, me turbofolk, pseudnacionalizëm, protoshovinizëm dhe besime pseudofetare.

Në një vend ku nuk ekzistojnë plane urbanistike normale, me rrugë, shkolla, kopshte e spitale, ku shërbimi shëndetësor nuk gjendet as përkundrejt pagesës, me rrugë të zëna kaps nga nonsensi i zhvillimit urban për interes të korrupsionit politik dhe asgjë tjetër përveç korrupsionit politik, është e kuptueshme që receta e nacionalizmit primitiv, me origjinën tonë iliro-pellazge, me mosekzistencën e grekëve, me anglishten që është dibrançe e shqiptuar keq si dhe, para së gjithash, me shumë homofobi, islamofobi dhe gjithëfarëlloj fobish të tjera do të jenë ushqimi bazë, zëvendësuesi për kujdesin shëndetësor të munguar dhe për rrugët që nuk të çojnë gjëkundi, apartamentet me çmime në qiell dhe reforma uji që nuk sjellin ujë.

Politikanët, të cilët nuk dalin dot në asnjë studio përballë edhe gazetarit më të blerë, sepse çfarëdo që të thonë, bie ndesh me çfarë bëjnë, po zëvendësohen në arenën kombëtare të debatit me llafollogë, nxitës të urrejtjes, fallxhorë dhe pseudoshkencëtarë, pseudopatriotë dhe shumë idiotë, në një aleancë që ka bërë bashkë shumë nonsense kundër shqiptarëve, aleancë ndaj të cilës shqiptarët e arsyeshëm bëjnë mirë të organizohen dhe të përballen./BIRN