Mjekë nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kryer ndërhyrjen e parë kirurgjikale të kontrolluar në distancë në botë, një arritje që është cilësuar si një ngjarje historike në mjekësi.
Kirurgët në një spital në Dundee të Skocisë, përdorën një robot për të hequr një mpiksje gjaku nga një kufomë njeriu që ndodhej në një laborator universitar në anën tjetër të qytetit.
Disa orë më vonë, dhe mbi 6400 kilometra larg, në Jacksonville të Floridës, doktori Ricardo Hanel përdori të njëjtën teknologji revolucionare për të operuar në të njëjtin trup.
“U ndje sikur po shihnim një pamje të së ardhmes,” tha profesorja Iris Grunwald nga Universiteti i Dundee-t për BBC Scotland.
“Ajo që dikur dukej si fantashkencë, tani e provuam se mund të kryhet në çdo hap të procedurës.”
Shkencëtarët shpresojnë se kjo teknologji transformuese me robotë do të revolucionarizojë trajtimin e goditjeve në tru, duke u mundësuar pacientëve të marrin ndihmë të shpejtë dhe shpëtimtare edhe nëse ndodhen qindra kilometra larg spitalit.
“Prej shumë kohësh, njerëzit që jetojnë në zona të thella dhe të izoluara nuk kanë pasur akses në trombektomi,” tha për BBC-në drejtoresha e fondacionit Stroke Association, Juliet Bouverie.
Të dyja ndërhyrjet, në Skoci dhe në Florida, u kryen muajin e kaluar me ndihmën e robotëve të zhvilluar nga kompania lituaneze Sentante. Shpresohet që provat klinike të fillojnë që vitin e ardhshëm.
Në SHBA, një goditje në tru ndodh çdo 40 sekonda, dhe gati 90% e rasteve janë të tipit ishemik, që ndodh kur bllokohet rrjedhja e gjakut drejt trurit.
Trajtimi më i mirë për goditjen ishemike është trombektomia, pra heqja e mpiksjes së gjakut.
“Kjo është pa dyshim një nga risitë më emocionuese në trajtimin e goditjeve në tru gjatë dhjetëvjeçarit të fundit,” tha profesore Grunwald-i.
“Më habiti më shumë ndjesia reale gjatë operacionit. Duart e mia u ndien njësoj si në një trombektomi tradicionale,” shtoi ajo.
“Ndërhyrja neurologjike në distancë do të na lejojë të ngushtojmë hendekun dhe të arrijmë më shumë pacientë me një nga procedurat më të rëndësishme për njerëzimin, trombektominë,” tha dr. Hanel për BBC News.
“Të operosh nga SHBA në Skoci me vetëm 120 milisekonda vonesë (sa hap e mbyll sytë) është vërtet e jashtëzakonshme,” shtoi ai.







