Ballina Kulturë Panairi i librit 2025/ Ja si janë ndarë çmimet këtë sezon

Panairi i librit 2025/ Ja si janë ndarë çmimet këtë sezon

78
0

Panairi i Librit 2025 ka ndarë çmimet vjetore, duke vlerësuar autorë, studiues dhe përkthyes që kanë spikatur me veprat e tyre gjatë vitit. Juria ka vlerësuar krijime të rëndësishme në fushën e studimeve, letërsisë bashkëkohore, përkthimit dhe letërsisë për fëmijë, duke evidentuar kontributet që pasurojnë kulturën dhe letërsinë shqiptare.

Çmimet e Panairit 2025

Çmimi “Autori i librit më të mirë studimor”, i jepet z. Ali Xhiku, për veprën Faqeve të historiografisë shqiptare, botuar nga “Onufri”, për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe, në një vepër ku ndërthuren njohja e thellë e sistemit letrar shqiptar, analiza e teksteve themelore të historisë së letërsisë sonë dhe angazhimi i përkushtuar jetësor në studimet letrare.

Çmimi “Autori më i mirë i vitit”, i jepet z. Artan Fuga, për romanin Ndëshkimi i dytë i Evës, botuar nga “Papirus”, një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës,  dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë. Ndërthurja e dimensionit filozofik dhe psiko-social me një letraritetit të spikatur dëshmojnë një të kuptuar të thellë të njeriut, të shoqërisë dhe të kohës, kur jetojmë.

Çmimi “Përkthyesi më i mirë i vitit” – I jepet z. Virgjil Muçi për përkthimin mjeshtëror të veprës Xhejmsi të Percival Everett,  fitues i Çmimit Pulitzer 2025, botuar nga “Dituria”, ku reflektohen njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talenti i tij prej shkrimtari. Gjuhësimi me zhdërvjelltësi të admirueshme i dy regjistrave të idiomës së romanit, e bën këtë vepër madhore të bashkëkohësisë t’i flasë lexuesit shqiptar, duke ruajtur ngjyresat dhe kompleksitetin e tekstit origjinal.

Çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë” – I jepet znj. Valbona Banka për romanin për fëmijë Aria, në dorën time, botuar nga “Dita Books”, për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit dhe të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël, dhe edukimin emocional përmes letërsisë.

Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip – I jepet Z. Urim Nergutit për përkthimin e romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i çmimit Goncourt 2024, botuar nga “Buzuku”.  Përmes nuancimeve të larmishme të fjalës e sintaksës së zhdërvjellët përkthyesi sjell besnikësërisht në shqip një histori drithëruese duke ruajtur stilin e autorit me heshtjet, belbëzimet dhe shumësinë e zërave të këtij romani tronditës.