Stuhia e fuqishme “Claudia” ka lënë tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në Portugali, ndërsa në Britani ekipet e shpëtimit po kryejnë evakuime për shkak të përmbytjeve në Uells dhe Angli.
Portugalia dhe pjesë të Spanjës janë goditur prej disa ditësh nga moti ekstrem, e cila të shtunën mbërriti edhe në Britani dhe Irlandë.
Dy nga viktimat në Portugali ishin një çift i moshuar, trupat e të cilëve u gjetën në shtëpinë e tyre të përmbytur në Fernao Ferro, pranë Lisbonës. Sipas ekipeve të emergjencës, ata po flinin dhe nuk arritën të largoheshin pasi niveli i ujit u rrit gjatë natës.
Ndërkohë, të shtunën, një tornado goditi zonën turistike të Albufeirës në jug të Portugalisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Pamje të publikuara online tregonin karavane të shkatërruara në një kamping, ku humbi jetën një grua britanike 85-vjeçare. Komandanti rajonal i mbrojtjes civile, Vitor Vaz Pinto, deklaroi se 28 persona u plagosën në një hotel, ndërsa dy prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas raportimeve, qyteti Monmouth në Britani dhe zona përreth në juglindje të Uellsit u goditën rëndë nga përmbytjet. Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Uellsit të Jugut konfirmoi se po zhvillonte operacione shpëtimi, evakuime dhe kontrolle të sigurisë.







