Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Arabinë Saudite të dielën në mbrëmje, kur një autobus që transportonte 46 pelegrinë myslimanë, mes tyre shtetas indianë, u përplas me një kamion cisternë pranë qytetit të shenjtë të Medinës, duke u përfshirë menjëherë nga flakët. Sipas policisë saudite, 45 persona humbën jetën, ndërsa vetëm një udhëtar arriti të shpëtonte nga automjeti i përfshirë nga zjarri.
Mes viktimave, 23 ishin anëtarë të dy familjeve, përfshirë fëmijë të moshës 18 muajshe dhe 5 vjeç.
Reagimi i autoriteteve indiane
Ambasada e Indisë në Arabinë Saudite e përshkroi ngjarjen si “tragjike” dhe deklaroi se strukturat diplomatike janë angazhuar menjëherë për të ofruar mbështetje për pelegrinët e prekur. Konfirmohet se në bord ka pasur shtetas indianë, por emrat dhe numri i saktë i viktimave ende nuk janë bërë publikë.
Kryeministri indian, Narendra Modi, reagoi në platformën X:
“Jam thellësisht i trishtuar nga aksidenti rrugor në Medinë ku u përfshinë shtetas indianë. Mendimet e mia janë me familjet që humbën të dashurit e tyre.”, tha ai. Ai shtoi se po lutet për shërimin e shpejtë të të plagosurve, duke theksuar se ambasada në Riad dhe konsullata në Xheda po ofrojnë “gjithë ndihmën e mundshme”. Autoritetet saudite po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie të rëndë, e cila ka prekur thellë komunitetin e pelegrinëve dhe familjet e tyre.







