Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyrjen e paraqitjes së tij në këtë Strukturë lidhur me dosjen e “21 Janarit”.
Ka qenë avokati i tij, Genc Gjokutaj, ai i cili së fundmi është paraqitur pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme ku dhe ka depozituar kërkesën e tyre për shtyrjen e marrjes në pyetje të klientit të tij.
Burime për mediat bëjnë me dije se kjo kërkesë nga ana e Berishës ka ardhur me argumentin, pasi ditën e premte nuk do të jetë në Shqipëri.
Më herët, këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se ish-kryeministrit Berisha ia dorëzuan në dorë fletëthirrjen për t’u paraqitur pranë këtij organi si person në dijeni lidhur me ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011, ku në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u vranë katër protestues të pafajshëm.
SPAK bëri me dije se lideri i të djathtëve gjatë paraqitjes së sotme për zbatimin e masës së sigurisë sa i përket dosjes “Partizani”, ka firmosur edhe fletëthirrjen për “21 Janarin”.
“Sot më datë 17.11.2025, gjatë zbatimit të masës “detyrim paraqitje” në Prokurorinë e Posaçme, z. Sali Berisha është njohur dhe ka nënshkruar urdhër-thirrjen lidhur me procedimin penal nr.138 të vitit 2024 (çështja e 21 Janarit), përmes të cilës, i kërkohet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, në datën dhe orën e caktuar”, thuhej në njoftimin e SPAK.
Ditën e premte Sali Berisha refuzoi që të paraqitjen në SPAK duke pretenduar se nuk kishte marrë asnjë fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme.
Madje i pyetur ditën e sotme nga gazetarët, Berisha tha se ai nuk është thirrur asnjëherë nga drejtësia lidhur me ngjarjen e përgjakshme të 21 Janarit të 2011 ku u vranë padrejtësisht 4 protestues pasi sipas tij kanë “frikë nga dëshmia ime”.
“Njoftim quhet kur një person merr përsipër ta njoftojë ose kur njoftohet direkt personi. Asnjë person nuk më ka ardhur të më thotë orë dhe datë e të më dorëzojë një letër. Asnjë person nuk ka marrë asnjë letër në emrin tim. Kam dy posta elektronike. Një timen dhe një të Parlamentit që e kam përdorur vetëm një herë. Në bisedat e mia në Whats App apo sinjal, nuk më ka ardhur asgjë. Nuk më kanë thirrur asnjë herë sepse kanë pasur frikë nga dëshmia ime”, tha Berisha.







