Nga Agron Gjekmarkajt
Sigurisht me Butrintin, restorantet në të dhe sallamin Hako që vërshon nuk po merrem, po ia lë zonjës Zhupa, e cila është mjaft specialiste në këtë çështje, por ju zoti ministër, nëse nuk e keni lexuar, sigurisht e keni dëgjuar dramën duke pritur Godonë të Samuel Beketit, ku kishte një pikëpyetje të madhe nëse do vijë Godoja, po vononte shumë dhe pastaj njerëzit filluan të vijnë në diskutim, ekziston apo nuk ekziston Godoja.
Në këtë pikë arritëm edhe ne me ju zoti ministër.
Na jepej lajmi që po vjen ministri, dilnim ne si komision në Rinas, disa me buqeta me lule ju thaheshin në duar, nuk vije.
Vinte lajmi që vinte lajmi, vinte lajmi që po vjen nga rruga e Arbërit, dilnim te shkallët e Ujanit, por edhe atje zbrazëti.
Na thonin që po vjen nga Elbasani, dilnin në Sauk, po ju askund.
Erdhët sot, bereçavers. Faleminderit se edhe mos mund të vinit tek e fundit, marrëdhëniet që keni vendosur me parlamentin është çështje qejfi, çështje emocionesh, është një mendësi që po krijohet, që parlamenti nuk duhet.
Unë shpresoj që ju të keni momente të gëzuar në jetë, jo momente të vështira si ky leximi i këtij teksti sot, që ishte një rrugë Golgote për ju. Kuptohet që nuk kishit asnjë lidhje organike me atë tekst. Nuk po bëj bast, po jam i bindur që nëse qëmtoni në disqet, kasetat e Ministrisë së Kulturës, një pjesë e madhe e atij fjalimi ka qenë dhe vjet dhe parvjet edhe para ca vitesh.
Unë kam një eksperiencë para njëzet vitesh të shkurtër në Ministrinë e Kulturës, e di që aty ka profesionistë, në qoftë se nuk i keni hequr, zëvendësuar me patronazhistë. Keq do ishte. E di që kudo nëpër Shqipëri ka njerëz, institucione që prodhojnë kulturë, dhe e mbrojnë kulturën, e duan kulturën.
Por, buxheti që ju paraqisni është një aberacion i madh propagandistik. Unë konstatoj kudo një vdekje kulturore në fakt në vend, një disproporcion të jashtëzakonshëm ndërmjet provincës dhe metropolit. Në qytetet shqiptare nuk ka më jetë kulturore. Ka një zvetnim.
Nuk ka mbështetje le të themi, ose ka më shumë fjalë dhe pak vepra.
Le të marrim Tiranën.
Po e fillojmë me Bibliotekën Kombëtare, e cila rrezikohet nga rastësitë, rrezikohet nga mosha, rrezikohet nga agjentët atmosferikë, nga zjarri, nga shiu, dhe në 12 vite e keni premtuar 12 herë, jo ju, por qeveria, një të re. Nuk ka askund. Nuk dihet.
Dihet kur u shkatërrua një Teatër Kombëtar dhe rahmetliu shkoi pas tij. Nuk dihet kur do mbarojë i riu. Është i vetmi kryeqytet që i ka rrasur në një magazinë artistët për të dhënë shfaqje dhe askush nuk ndjen përgjegjësi.
Para ca ditësh patëm këtu zonjën zëvendësministre për ligjin e librit dhe me pafajësi, por edhe me kurajo, zonja zëvendësministre na njoftoi se prej një viti s’ishte bërë asgjë, ishte në sirtar ligji i librit, përtej premtimit. Nuk është faji i saj. Keni pasur shumë punë, sigurisht libri nuk mund të rrinë në kalendat greke, nuk është i rëndësishëm.
Por meqënëse s’e keni bërë ende, unë kam qenë në panair këto ditë, kam takuar shumë botues. Do ishte mirë që në ligjin e ri të përfshihen të gjithë komponentët kulturorë të këtij vendi, ato shkrimtarë që kanë mbetur dhe të pambështetur, që krijojnë dhe shkruajnë, pavarësisht thatësirës ku tekstet e tyre bien. Të përfshihet shoqata e botuesve dhe botuesit, t’u merret mendim, sepse ligji duhet të jetë kryesisht për ta dhe për lexuesit. Të përfshihet fakulteti Histori-Filologjisë, ndoshta si mekanizmi kryesor ku menaxhon dhe prodhon kulturën në këtë vend.
Më bën përshtypje identifikimi që kjo qeveri dhe ju në përgjithësi keni me trashëgiminë kulturore. Të krijohet përshtypja sikur Kalanë e Krujës e ka ndërtuar Edi Rama, Kalanë e Beratit e keni ndërtuar ju, duke i hyrë në hak Teodor Muzakës. Atë të Shkodrës Mamica. Dhe ende nuk ka një informacion kur do të mbarojë ai cikël i turpshëm që dikur quhej rrjetezim, i kthimit të kalave shqiptare në akçihane, ku vjen era supë, era gjellë, era qepë, ku piqet fërrliku Skënderbeg, ku kemi supën Vranakonti, ku kemi pilafin Pal Maneshi. Të krijohet përshtypja që Shqipëria është bërë falë jush, është e tillë falë jush, kishat dhe xhamiat i keni ndërtuar ju, kalatë po e po, luftrat i keni bërë ju. Jo ju personalisht, ju ndoshta nuk luftoni shumë se edhe mosha tani tek ne bën të veten, nuk jemi luftëtarë të zot.
Dua të theksoj që ajo që bie në sy në këto 12 vitet e menaxhimit të kulturës nga ana juaj është krijimi i intelektualit të hurit dhe të litarit, poetit të sëpatës dhe të hanxharit, shkrimtarit të grushtit dhe i kanabisit. Është ky aleat, ky një lloj njeriu i ri, ky stakanovist që ju ndihmon në çdo fushatë, ju ndihmon në Vorë, ju ndihmon në Tiranë, ndihmon në Shkodër, në Elbasan, në Durrës dhe modifikon shartet e demokracisë shqiptare dhe e shndërron atë në një autokraci. Por kjo nuk ju shqetëson.
Tani po ndalem konkretisht në dy gjëra. Zoti ministër, keni ardhur edhe këtu para një viti, ju kam pyetur për Ismail Kadarenë. Si ka mundësi që një premtim i bërë solemnisht nga Edi Rama në kohën e zisë që në shtator do të kishte një varr solemn, një ceremoni të denjtë për patriarkun e letrave botërore dhe shipe.
Ju belbëzuat, nuk më dhatë një përgjigje. Jam i sigurtë që s’do ma jepni as sot se nuk varet nga ju. Por, e di që ndoshta ne që jemi këtu nuk kemi ndonjë mëkat, po e mbajmë këtë turp që gjeniu i letrave shipe nuk është respektuar si duhet nga kombi dhe gjuha e tij.
Dhe e fundit diçka që ka të bëjë me zonën e Lezhës.
Atje është një urë, Ura e Zogut quhet. Shembet dhe humbet terren dita pas dite. Pastaj ju e keni edhe merak krahasimin me vitin 1938 në çdo bilanc. Kështu që, të paktën atë urë e cila është pak më e vjetër se ’38-ta, që është një krenari e trashëgimisë, bëni diçka që mos ta rrëmbejnë ujërat e Matit dhe furia e propagandës së Rilindjes.







