Ballina Ekonomia Italia dhe Kosova braktisin eksportet shqiptare, rënia më e thellë e viteve...

Italia dhe Kosova braktisin eksportet shqiptare, rënia më e thellë e viteve të fundit

89
0

Eksportet e mallrave shënuan përmirësim të lehtë në tetor 2025 duke u rritur me 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por si 10-mujor, treguesi shënoi rënie me 7%.

Në këtë 10-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 291 miliardë lekë, duke u ulur me 22 miliardë lekë ose 7 %.

Më herët, INSTAT kishte raportuar se për  mujorin vlera zyrtare e eksporteve ishte rritur me 3.5% në 8-mujor. Kjo rritje kishte ardhur tërësisht për shkak të përfshirjes në llogaritje të mallrave që kalojnë nga Shqipëria tranzit drejt Kosovës, çka pothuajse dyfishoi artificialisht shitjet drejt Kosovës, duke ndikuar dhe në përmirësimin e shifrës totale.

Por, rritja e fortë e eksporteve me Kosovën kishte të bënte me faktin se që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte, duke ndikuar në zgjerimin e fortë të eksporteve në vlerë, konkretisht të grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji.

Sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT, ndikimin në tendencën rënëse si në shtator dhe për 10 mujorin e ka dhënë grupi materiale ndërtimi e metale, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të Kurum dhe më pak minerale, lëndë djegëse e energji. Eksportet e tekstileve e këpucë u rikuperuan në shtator dhe për 9-mujorin janë me një rënie mospërfillëse.

Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 291 mld lekë, duke u ulur me 7,0 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 737 mld lekë, duke u ulur me 0,8 %, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë muajit tetor 2025, në rritjen e eksporteve prej 1,0 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,8 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,4 pikë përqindje. Negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me – 2,1 pikë përqindje, etj.

Deficiti tregtar arriti vlerën 445 mld lekë, duke u rritur me 3,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024. Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:

Eksporte e tekstile e këpucë në rënie të vazhdueshme

Eksportet e tekstile e këpucë kanë shënuar luhatje të shumta përgjatë muajve të parë të këtij viti, me rënie e rritje të lehta. Në tetor eksportet në këtë grup ranë me 7%, pas rritjes se lehtë në shtator. Bizneset e sektorit pohojnë se situata po bëhet gjithnjë e më vështirë nga rënia e kërkesës në tregjet ndërkombëtarë dhe rritja e kostove të brendshme që po largon klientët nga Shqipëria. Për 8-mujorin tendenca është negative e lehtë, me një rënie prej -1% me bazë vjetore.

Sektori është në vështirësi dhe falimentet po shtohen dita e ditës. Sipas tyre prodhimi i veshjeve dhe këpucëve në të gjithë Europën dhe në Shqipëri është në vështirësi për shkak të konkurrencës së veshjeve nga aplikacionet Kineze Shein dhe TEMU.

Materiale ndërtimi i kthehen rritjes në tetor

“Materialet e ndërtimit dhe metalet”  pas një rënie të vazhdueshme këtë vit u rriten ndjeshëm në tetor. Gjatë muajit të kaluar eksportet në këtë grup u rriten me 33 për qind. Për 10–mujorin, ky grup ra me 29.5%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

Ushqime pije e duhan vijuan rritjen

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit po shënon rritje. Në janar-tetor, ky grup u rrit me 7.1%,  teksa në tetor eksportet në këtë grup u rriten me 4.7%  Eksportet e ushqimeve  dhe pijeve u rriten në sasi  më shumë se në në vlerë në janar -tetor me rreth 9 për qind më shumë se njëjta periudhë e vitit të mëparshëm, për shkak të shtimit të shitjeve jashtë vendit të shalqirit. Rritja e eksporteve të bostanorëve shtoi sasinë por jo vlerën, pasi një kilogram prej tyre shitet me lirë se sa një kilogram perime.

Minerale, lëndë djegëse, energji, përmbyset rritja!

Deri për 8 mujorin, INSTAT raportoi një rritje prej 51% për grupin e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që në fakt u ndikua nga llogaritja e ri eksporteve drejt Kosovës, si eksporte shqiptare.

Pas rishikimit të shifrave, për 10 mujorin, iNSTAT raportoi që shitjet e këtij grupi, që realisht ndikohen kryesisht nga nafta e Bankers Petroleum dhe energjia elektrike, kanë rënë me -7.2%, duke u kthyer në realitet. Në tetor eksportet në këtë grup shënuan rënie vjetore me 15.4%.

Bien makineritë e pajisjet

Grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”  vijoi rënie në tetor me rreth 8%,  pas përmirësimit që kishte shfaqur muajt e fundit, ndërsa për 9- mujorin zgjerimi është 5.7%. Ky grup po vuan zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Rritet deficiti tregtar

Deficiti tregtar i këtij muaji është 49 mld lekë, duke u rritur me 5,4%, krahasuar me Tetor 2024 dhe me 1,6%, në krahasim me Shtator 2025. Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 291 mld lekë, duke u ulur me 7,0%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 737 mld lekë, duke u ulur me 0,8%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 445 mld lekë, duke u rritur me 3,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

Eksportet bien me Italinë e Kosovën

Në muajin Tetor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2024 janë: Greqia (10%), SHBA (5 herë), Spanja (28,9%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (13,2%), Kosova (2,7%), Gjermania (0,9%), etj.

Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (11,1%), Kosova (12,6%) dhe Kina (0,1%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Greqia (6,7%) Gjermania (4,9%) dhe Spanja (27,6%).

Rriten importet nga Italia dhe Kina

Në muajin Tetor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (6,1%), Kina (31,2%) dhe Greqia (4,2%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Turqia (20,3%), Gjermania (2,4%), SHBA (33,4%) etj. Gjatë këtij dhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (1,8%), Turqia (14,9%) dhe Gjermania (5,9%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritje më të madhe janë: Kina (24,3%), Greqia (4,0%) dhe Spanja (10,9%)./Monitor