Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me shkarkesa elektrike që kanë përfshirë Lezhën prej mesnatës së kaluar, kanë krijuar probleme në disa zona.
Sistemi i kanalizimeve në qytetin e Lezhës nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë vërshim të ujërave në bllokun e banimit “11 Janari” dhe “11.2 Hektare” në lagjen “Besëlidhja”. Niveli i ujit arriti deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
Shërbimet e emergjencës u angazhuan për të ndihmuar në largimin e ujit dhe për të shmangur dëmtimet në katet e para të banesave.
Prezencë uji pati edhe në disa pika të rrugës Lezhë–Shëngjin, ndërsa një pemë u rrëzua dhe vështirësoi qarkullimin. Gjithashtu, kanali i ujërave të larta në Zadrimë doli nga shtrati dhe përmbyti disa hektarë tokë bujqësore në zonën e Kallmetit.
Autoritetet lokale njoftojnë se grupet e emergjencës dhe mjetet e pastrimit janë në terren për të normalizuar situatën, ndërsa apeluan qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura.
Nga reshjet e dendura të shiut, probleme raportohen edhe në Bashkinë e Kurbinit. Vërshimi i ujit solli vështirësi në qytetin e Laçit, ndërsa raportohen përmbytje në Gjorm dhe Zheje. Ndërkohë, moti i keq ka dëmtuar rrjetin elektrik në disa zona, duke sjellë mungesë energjie kryesisht në fshatra. Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut.
Në HEC-et e Qafë Mollës dhe Ulzës, prurjet janë rritur ndjeshëm, por sipas autoriteteve nuk është arritur niveli kritik që kërkon hapjen e portave, ndërsa situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e Mbrojtjes Civile.







