2006, triumfi fantastik brenda në Berlin, është një kujtim i largët për tifozët “azzurr”, që nga ai sukses Botërori është kthyer në një mallkim për katër herë fituesit e këtij turneu. Italia ka luajtur vetëm 6 ndeshje në Botëror, që nga ajo kohë pasi në 2010 dhe 2014 doli që nga faza e grupeve, ndërsa pjesën tjetër e ka parë nga divani. Italia dështoi në dy Botëroret e fundit pasi nuk arriti të kualifikohej, në të dy rastet është eliminuar në fazën “play-off”.
Ky trend negativ tremb sërish Italinë pasi Gattuso, në bashkëpunim me Spallettin, dështuan të kualifikohen direkt për në Botëror, edhe këtë herë fati i Italisë kalon nga “play-off”. 7 nga 8 ekipet përfaqësuese që kanë fituar Botërorin janë kualifikuar edhe në këtë edicion të FIFA-s, në apel mungon vetëm Italia.
Gattuso dhe pjesa tjetër e stafit “azzurr”, kanë nisur duke bërë llogaritë për rivalët e mundshëm që mund të kenë në “play-off”, një prej tyre mund të jetë edhe Maqedonia e Veriut, një rival që katër vite më parë i nxori në mënyrë befasuese nga Botërori.
Në rrugën e Italisë për në Botëror mund të jetë edhe Shqipëria, gjithnjë nëse dy ekipet përfaqësuese kalojnë në fazën finale të “play-off “dhe shorti do t’i vendoste përballë.







