Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka bërë një vlerësim të fortë për Sali Berishën gjatë një interviste në A2 CNN, duke theksuar se ai mbetet figura më e mirë brenda PD-së, pavarësisht debateve të brendshme.
“Mund të them që zoti Berisha, nga çfarë unë kam parë në PD, është më i miri në PD. E them me plot bindje, jo si zëdhënëse e PD. Ai është me dritë-hije. Ka gabimet e veta, por punon më shumë se kushdo tjetër, ka forcë karakteri më shumë se kushdo dhe nuk mendoj që Berisha është problemi i PD, siç mund ta thonë të tjerë,” u shpreh Garo.
Duke iu referuar garës së hapur brenda partisë, ajo shtoi: “Gara është e hapur kush të dojë të garojë. Shumë thonë ‘garoj, po të iki Berisha’; kjo nuk është e drejtë.”
E pyetur për marrëdhënien profesionale me Berishën, Garo tha se ish-kryeministri kërkon shpesh mendimin e saj, por mbetet vendimmarrës i pavarur.
“Mendoj që e kërkon mendimin tim në raste të caktuara. Në disa periudha ai do të dijë çfarë mendoj dhe ka momente që është shumë i qartë. Nuk është shumë i lexueshëm si natyrë. Ai do mendim, por vendimet i merr vetë. Brenda partisë jo të gjithë janë të drejtpërdrejtë e të hapur me të,” tha Garo.
Deklaratat e saj vijnë në një moment tensioni të brendshëm në PD, ku debati për lidershipin mbetet i hapur.







