Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord që në Parlament të zhvillohet një mocion me debat mbi luftën kundër krimit. Seanca do të mbahet më 18 dhjetor dhe debati është parashikuar të zgjasë 120 minuta.
Mazhoranca kishte propozuar shtyrjen e debatit për një sesion tjetër parlamentar, por kjo u kundërshtua nga opozita. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se rregullorja përcakton zhvillimin e mocionit brenda 30 ditëve.
Ai shtoi se mocioni lidhet me masat e qeverisë ndaj krimit të organizuar dhe vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që evidentojnë rritjen e tij. Bardhi propozoi që debati të shtohet në rendin e ditës së seancës së 18 dhjetorit, ku do të diskutohet mbi masat e qeverisë në këtë fushë.







