Ballina Bota Aeroplani kinez “C919” bën debutimin në Lindjen e Mesme në Ekspozitën Ajrore...

Aeroplani kinez “C919” bën debutimin në Lindjen e Mesme në Ekspozitën Ajrore të Dubait 2025

81
0

Kjo veprimtari pesëditore filloi të hënën në “Dubai World Central” dhe është një nga ekspozitat më të rëndësishme aerohapësinore në botë, me shfaqje mahnitëse të teknologjisë dhe pajisjeve të përparuara të aviacionit. Edicioni i sivjetshëm, me temën “E ardhmja është këtu”, ka shënuar një rekord të ri për përmasat këtë vit, duke tërhequr më shumë se 1 500 kompani aerohapësinore dhe të mbrojtjes nga 47 vende e rajone, ndërsa numri i vizitorëve pritet të arrijë në 148 000. 

Për herë të parë, dy nga avionët reaktivë “C919” të Kinës po shfaqen në këtë ekspozitë ajrore, së bashku me një avion “C909”. 

Një “C919 ” në ekspozitë, një model me konfigurim me tre klasa dhe 164 vende, nga “China Southern Airlines”, ka një dizajn të brendshëm unik me “elegancë orientale” të krijuar për të shtuar komoditetin. Në ditën e hapjes, pjesëmarrësit pritën në radhë të gjata për të hipur në avion, për të eksploruar kabinën e tij dhe për të bashkëvepruar me ekuipazhin e fluturimit në kabinën e pilotit. 

Deri më tani, janë dorëzuar gjithsej 26 avionë reaktivë “C919”, të cilët operojnë në mbi 30 itinerare fluturimi dhe kanë transportuar më shumë se 2 milionë udhëtarë që nga vënia në funksionim komercial. 

Përveç “C919”, ka edhe një gamë e gjerë produktesh të aviacionit kinez për qëllime civile dhe ushtarake. Një model në shkallë 1:1 i dronit “Wing Loong-X” ekspozohet jashtë vendit për herë të parë, duke tërhequr vëmendjen me aftësitë e  tij për ngarkesa të rënda dhe rrezen e gjatë të fluturimit. Aeroplanë të tjerë përfshijnë avionin luftarak “J-10CE”, avionin luftarak të pakapshëm nga radarët “J-35A” dhe avionin e madh të  transportit “Y-20”. 

Në sektorin e motorëve, Korporata Kineze e Motorëve të Mjeteve Ajrore merr pjesë gjithashtu për herë të parë, duke shfaqur disa produkte kyçe, si motorët “Taihang” e “AES100” dhe turbinat me gaz, çka thekson vizionin e kompanisë për t’u integruar në mënyrë aktive në zinxhirin global të industrisë së aviacionit dhe për të zgjeruar vazhdimisht hapjen e nivelit të lartë.