Nga Elton Qyno
Tenderi me vlerë 2 milion euro, që parashikoi mbikëqyrjen e punimeve që po kryheshin nga kompania “Gjoka Konstruksion” për hapjen e tunelit të Llogarasë, konsiderohet në SPAK si një nga skemat më flagrante të abuzimit financiar dhe klientelizmit.
Një skemë që tregon qartë se tenderi ishte dhe u hap në 2021 nga Ministria e Infrastrukturës së Belinda Ballukut, kryetar Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ishte vartësi i saj Evis Berberi.
Berberi, takonte nëpër kafenetë e Tiranës dhe në zyrën e shtetit, inxhinierin Grek, Ioannis Kirkinezis të “Hill Internacional V.N”, të cilit i kërkonte fiksimin e çmimit të supervizimit dhe trukimin e garës tenderuese, duke ja ngjizur si ortak shqiptarin e “Net-Group” të Valter Begaj.
Hetimi i SPAK, ka provuar përmes mesazheve dhe dëshmisë së inxhinierit Grek, se e gjithë gara ishte e luajtur shumë keq. Pasi të njëjtën personazhe që kanë fiksuar kushtet e lojës, të njëjtët vlerësonin dhe gjykonin, si dhe të njëjtët personazhe shpalleshin fitues.
Një aleancë Greko-Shqiptare, që e ngjizi Evis Berberi me miratimin e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Ndërsa në terren një pjesë të mirë të punës së supervizimit nga viti 2022 deri në vitin 2023, siç del edhe në letrat e SPAK e kanë kryer 4 inxhinierët Endri Stafa, Enerti Begaj, Enton Bani dhe Tomorr Spahiu të kompanisë “DAAM”, e cila ja kishte dhënë hua përmes skemës së nënkontraktimit, shoqërisë tjetër “Net Group”.
Si kompania “DAAM” e Evis Lamit dhe “Net Group” e Valter Begaj, janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën dhe kontrollohen në hije nga ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi, ky i fundit i besuari i Belinda Ballukut.
Sipas dosjes hetimore në lidhje me angazhimin e inxhinierit Tomorr Spahiu, në ofrimin e shërbimeve të mbikëqyrjes në punimet e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, në dokumentacionin “Raporte mujore” konstatohet se ky inxhinier është deklaruar në organigramën e mbikëqyrësit në periudhën qershor 2022- gusht 2022.
I pyetur në lidhje me shërbimet që ka ofruar në mbikëqyrjen e punimeve të tunelit të llogarasë, Tomorr Spahiu ka deklaruar se ka punuar për disa muaj në fillim të lidhjes së kontratës së mbikëqyrjes, ku ka ofruar shërbimet e tij si inspektor terreni.
Shpërblimi i tij ishte 150,000 lekë neto në muaj, të cilin e merrte si pagë në llogarinë e tij bankare nga shoqëritë “DAAM” dhe “Net Group”.
Për sa më sipër, referuar procesverbalit të këqyrjes dhe marrjes së listë-pagesës së inxhinier Tomorr Spahiu, ku vërehet se punësohet në shoqëritë “DAAM” dhe “Net Group” në muajin qershor 2022 dhe paga e këtij inxhinieri në këto shoqëri vjen duke u rritur deri në gusht 2022.
Ndërsa më pas ulet përsëri, por sipas raporteve mujore të mbikëqyrësit, ky inxhinier deklarohet si pjesë e stafit të mbikëqyrësit në periudhën 3 mujore të muajve qershor 2022, korrik 2022 dhe gusht 2022.
Në deklarimin që inxhinieri si dhe deklarimit të tij që ka punuar për pak kohë në fillim të lidhjes së kontratës, rezulton se Tomor Spahiu, i ka ofruar shërbimet e tij për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë vetëm gjatë muajve qershor 2022, korrik 2022 dhe gusht 2022.
Në këto rrethana, kosto e shoqërisë “DAAM”, gjatë periudhës maj 2022 deri në mars 2023, periudhë në të cilën përfiton pagesa nga shoqëria “Net Group” për ofrimin e inxhinierëve për mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit të tunelit të Llogarasë, është në vlerën financiare prej 1 milion e 824 mijë lekë.
Për sa më sipër, për periudhën nga lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor deri në mars të vitit 2023, referuar përshkrimeve të faturave, për shërbimet e ofruara deri në muajin mars të vitit 2023, shoqëria “DAAM”, ka përfituar vlerën prej 192 milion e 289 mijë lekë të vjetra, ku si përshkrim të faturave ka vendosur “Specialist për tunelin e Llogarasë”.
Pra duke supozuar që ka dhënë me nënkontrakim stafin e saj për shoqërinë “Net Group” në mënyrë që stafi të ofrojë shërbimet e mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.
Nga hetimi rezulton se shoqëria “DAAM”, i ka ofruar shoqërisë “Net Group” vetëm inxhinerët Endri Stafa, Enerti Begaj, Enton Bani dhe Tomorr Spahiu, duke pasur si kosto vlerën e pagesës së pagave për këta inxhinierë në shumën 16 milion e 920 mijë lekë të vejtra, vlerë që përbëhet nga pagat gjatë periudhës gusht 2022-mars 2023).
Pra, sipas SPAK fitimi i shoqërisë “DAAM” nga kjo marrëdhënie fiktive me shoqërinë “Net Group” të Valter Begaj është në vlerën 175 milion e 369 mijë lekë të vjetra.
Sipas SPAK, këto vlera që ka përfituar shoqëria “DAAM” nëpërmjet faturave fiktive si fryrjes së faturave janë përfitime të parregullta të shtetasit Evis Berberi.







