Ballina Lifestyle Elon Musk i përgjigjet Billie Eilish pasi ajo e quajti “i mjerë”...

Elon Musk i përgjigjet Billie Eilish pasi ajo e quajti “i mjerë” dhe “frikacak”

93
0

Një debat ka shpërthyer online mes Elon Musk dhe këngëtares Billie Eilish, pasi artistja publikoi një story kritik ndaj miliarderit, duke e akuzuar për mungesë angazhimi në çështje globale të rëndësishme.

Gjithçka nisi më 13 nëntor, kur Billie ndau në rrjetet e saj sociale një postim nga iniciativa “My Voice My Choice”, ku theksohej se çfarë mund të arrinte Musk me pasurinë e tij të jashtëzakonshme, përfshirë përfundimin e urisë botërore, shërimin e sëmundjeve, rindërtimin e Gazës dhe shpëtimin e specieve të rrezikuara. Në fund të postimit, këngëtarja e mbylli mesazhin me një thirrje të drejtpërdrejtë dhe provokuese: “I mjerë, frikacak.”

Story i saj u përhap me shpejtësi dhe u kthye në temë diskutimi në platformën X (ish-Twitter). Pesë ditë më vonë, më 17 nëntor, Elon Musk vendosi të reagojë. Në një postim ku përmblidheshin storiet e Eilish, ai shkroi shkurtimisht: “Ajo nuk është më e zgjuara.”

Komenti i tij ndezi më tej debatet në rrjet, duke polarizuar opinionin mes mbështetësve të sipërmarrësit dhe fansave të artistes.

Përplasja vjen vetëm disa javë pasi Billie Eilish foli publikisht për pabarazinë ekonomike dhe nevojën që miliarderët të kontribuojnë më shumë. Gjatë fjalimit të saj në Çmimet e Inovatorëve të Wall Street Journal, ajo theksoi se bota po kalon një periudhë të errët dhe njerëzit kanë më shumë nevojë për empati dhe veprim konkret. “Nëse ke para, përdori për kauza të mira. Dhe nëse je miliarder… pse je miliarder? Pa urrejtje, por po, jep nga paratë e tua,” deklaroi këngëtarja.

Replikat e të dyve kanë ndezur diskutime të shumta rreth etikës së pasurisë, rolit të figurave publike dhe kufijve të kritikës në rrjetet sociale. Ndërsa debati vazhdon të qarkullojë me intensitet të lartë, mbetet për t’u parë nëse Billie Eilish do t’i përgjigjet sërish komentit të Musk apo përplasja do të shuhet gradualisht.