Ballina Dossier Saga tragjike e motrave Popa – familja që u persekutua brez pas...

Saga tragjike e motrave Popa – familja që u persekutua brez pas brezi dhe guxoi t’i shkruante diktatorit për t’i kërkuar të drejtën elementare për të jetuar në vendlindjen e vet

69
0

Në vitet e errëta të diktaturës komuniste, kur fati i individit varej nga biografia dhe jo nga e drejta, katër vajza të reja nga Durrësi – motrat Iljana, Irena, Ermjoni dhe Zhaneta Popa – guxuan t’i shkruanin një letër të gjatë dhe të dhimbshme Enver Hoxhës. Ishte viti 1975, dhe kjo letër përbën një nga dëshmitë më të forta të arbitraritetit shtetëror, padrejtësive dhe hakmarrjeve politike që ushtronte regjimi mbi qytetarë të pafajshëm.

Sipas dokumenteve zyrtare, familja Popa u etiketua që në vitin 1968 si “familje me përbërje armike”. Arsyeja nuk lidhej me vajzat, por me biografinë e prindërve: Babai, Moisi Popa, u akuzua se kishte qenë i afërt me Zogun dhe më pas bashkëpunëtor i fashistëve. Ai u arrestua në vitin 1952 së bashku me bashkëshorten, ndërsa vdiq në burg.

Një vëlla, Arqile Popa, u dënua me 10 vjet burg për “krime kundër shtetit”. Një tjetër vëlla dhe dy motra të familjes ishin të arratisur në Jugosllavi. Kjo biografi e rëndë politike u përdor për t’i goditur padrejtësisht katër vajzat, të cilat nuk kishin asnjë faj personale.

Më 6 shkurt 1968, motrat Popa u ngritën me forcë nga shtëpia dhe u dërguan në fshatin Kullë të Sukthit. Asnjë arsye nuk iu dha. Ato shkruajnë se “versionet qenë të ndryshme, por fakti është se ne na mbajnë akoma atje pa asnjë motiv”.

Më vonë, organet e Punëve të Brendshme u dhanë dokumente që vërtetonin se ato nuk kishin qenë kurrë të internuara zyrtarisht, gjë që e thellonte absurditetin e situatës.

Shpresa e kthimit dhe mashtrimet e njëpasnjëshme

Në përpjekjen për t’u kthyer në Durrës, motrat iu drejtuan Komitetit Ekzekutiv, ku kryetari Halit Nova u tha se kishte “urdhër nga lart” që ato të lejoheshin të ktheheshin. Premtimet për punë dhe banesë qenë të shumta, por në praktikë u sorollatën muaj të tërë.

Pas shumë kërkimesh, një mik i vjetër i familjes, 93-vjeçari Sterjo Koxhai, u vuri në dispozicion një banesë në lagjen nr.1, nga humanizmi dhe mëshira për gjendjen e tyre. Më 10 korrik 1975 motrat u vendosën në banesë me dokumente të rregullta.

Por vetëm 18 ditë më vonë, fatkeqësia u përsërit.

Një grup prej tetë policësh, të uniformuar dhe civilë, të kryesuar nga drejtuesi i pasaportizimit, Demir Peza, i dëbuan vajzat me forcë. Sipas letrës së tyre, policët u zunë rrugën për t’i penguar të shkonin në Tiranë për të bërë ankesë, ndërsa banorët e lagjes mbetën të tronditur nga trajtimi i padrejtë ndaj tyre.

E ndodhur në këtë situatë motrat vendosën t’i shkruajnë drejtpërdrejt Enver Hoxhës, duke shpresuar se ai do t’u kthente të drejtën.

Saga tragjike e motrave Popa – familja që u persekutua brez pas brezi