Ballina Sport Fishkëllimat e tifozëve kosovarë ndaj Xhakës bën jehonë edhe në Serbi: U...

Fishkëllimat e tifozëve kosovarë ndaj Xhakës bën jehonë edhe në Serbi: U poshtërua nga të vetët

101
0

Kur askush nuk e pristje, Granit Xhaka mbrëmjen e djeshme u fishkëllya pa fund nga tifozët “Dardanë” në sfidën që Zvicra barazoi 1-1 me Kosovën. Në “Fadil Vokrri” thuajse në çdo top që prekte, mesfushori shqiptar që mban në krah shiritin e kapitenit te “helvetët” fishkëllehej nga një pjesë e tifozëve, me këtë të fundit që nuk e mbështetën aspak “djalin e tyre”.

Pas sfidës mjaft i zhgënjyer ishte 33-vjeçari, i cili ka pranuar se nuk është ndjerë mirë dhe se gjesti i bërë ndaj tij e ka “goditur”. Gjithashtu Xhaka u pa të debatonte me tone të ashpra me kryetifozin e “Dardanëve”, Lulzim Berishën.

Nga ana tjetër, fryma e dhënë në stadium kundër Xhakës, nuk u ka shpëtuar as mediave serbe të cilat i kanë bërë “jehonë” faktit që futbollisti po sulmohej nga të vetët. Për serbët ky ishte moment ideal për të përforcuar shkrimet kundër 33-vjeçarit, pas një “inati” që vijon në kohë.

B92” në artikullin e saj shkruan se:  “Xhaka u fishkëllye në Prishtinë”, ndërsa vendosin edhe deklaratëne  shqiptarit, ku theksonte se diçka e tillë i ka “dhembur”.

Ndërkohë “Kurir” i ka dhënë më shumë “zë” diçkaje të tillë, teksa shkruajnë se: “Granit Xhaka u shemb, pasi u POSHTËRUA në një ndeshje kundër shtetit të rremë të Kosovës”.

Dukshëm ky gjest i bërë nga një pjesë e tifozëve “Dardanë” ka “kënaqur” serbët, të cilët kanë shfrytëzuar rastin për të “goditur” sërish.  Rikujtojmë se Granit Xhaka në çdo përballje në fushë ka treguar me krenari origjinën e tij, shoqëruar dhe me simbolin e shqiponjës, gjë e cila vazhdon të “dhembi” shumë te serbët.