Ballina Politika Shkarkim me ngut, rikthim me turp. Saga e turpshme e Këshillit Bashkiak...

Shkarkim me ngut, rikthim me turp. Saga e turpshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës në shërbim të Ramës ndaj Veliajt

91
0

Tashmë marrëdhëniet brenda PS kanë hyrë në një fazë krejt të re. Të paktën këtë po e provon Edi Rama. Askush nuk kishte as më të voglin dyshim, në fillim të shtatorit, kur Rama “kalëroi” mandatin e katërt me 83 deputetë, lëvizja e parë që bëri ishte të hiqte qafe me shpejtësi, ferrën e vjetër në këmbë: Erion Veliajn. Arroganca me të cilën e shpalli publikisht planin, servilizmi me të cilin u detyruan bufonat e këshillit bashkiak të votonin qorrazi urdhrin e tij, përfshirja pa asnjë rezistencë e Presidentit — të gjitha këto e bënë të qartë skenarin. Por sharra i ngeci në gozhdë te Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, i ndodhi e papritura tjetër me zëvendëskryeministren. Sot ajo është nën hetim.Po sikur të ishte një çështje e thjeshtë teknike, Rama, me të njëjtin brutalitet si gjithmonë, do ta kishte hedhur në koshin e plehrave politike të tij znj. Balluku. Sigurisht duke recituar si zakonisht epitafin: “Drejtësia të bëjë punën e vet, dhe kush ka hall me drejtësinë ta sqarojë vetë, por pa përfshirë PS-në.”

Problemi është se znj. Balluku nuk i rezultoi si të tjerët që Rama i ka sakrifikuar me qetësi kirurgjikale: Tahiri, Koka, Bllako, Beqja, Ahmetaj, Veliaj. Këta u larguan gjithmonë me ceremoninë teatrale të “lamtumirës me lot në sy” përpara se t’i përpinte drejtësia. Me Ballukun formula nuk eci. Dhe sot Rama ka dy fronte lufte brenda derës: frontin e Veliajt dhe atë të Ballukut. Sidomos ky i fundit është shumë për t’u menaxhuar.

Ndaj edhe strategjia ka ndryshuar: nga lufta po kthehemi te “paqja”! Por vetëm si mekanizëm mbijetese ndaj drejtësisë. Sugjerimet e Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese — se, pasi nuk e shkarkoi Veliajn, atëherë “duhet ta nxjerrë nga burgu” — e dëshmojnë këtë kthesë të beftë. Po ashtu, atmosfera që po ndërton ai, pak nga pak, për të bërë këtë rrëshqitje të duket “normale” në opinion publik e dëshmon këtë qasje te re.

E në këtë tragjikomedi, ka gjithnjë vend për palaçot e oborrit. Skena më absurde është përpjekja e fundit në Këshillin Bashkiak: të njëjtët njerëz që e shkarkuan Veliajn pa e dëgjuar fare, sot kërkojnë… ta dëgjojnë. Për gjasme veprimtarinë e bashkisë gjatë vitit. Një përçudnim i pastër politik e njerëzor. Por për Ramën, ia vlen barra qeranë. Sepse nëse SPAK toleron një “bashkëpunim të vogël”, qoftë edhe online, pas disa ditësh vjen një kërkesë e dytë. Pastaj e treta. Derisa të bëhet normalitet. E pastaj, natyrshëm, në opinion krijohet ideja se “ndoshta ky duhet liruar”.

Ky është rrenimi i butë i autoritetit të SPAK: asnjë përballje e hapur, vetëm relativizim, zbutje, krijim konfuzioni dhe lodhje psikologjike të publikut. Dhe kjo është strategjia e re e Ramës, i cili sot është në pikën e tij më të dobët në raport me drejtësinë, por edhe më i rrezikshmi, pikërisht se po vepron me një instinkt mbijetese që nuk njeh as limite morale, as institucionale./vna