Ballina Dossier Fejzo Arrëza, nga oficer në Perandorinë Osmane, tek qëndresa dhe rënia heroike...

Fejzo Arrëza, nga oficer në Perandorinë Osmane, tek qëndresa dhe rënia heroike në luftë kundër andartëve grekë

71
0

– Kush ishte Kapedan Fejzo Arrëza? Jeta e tij si oficer në Perandorinë Osmane, çeta, qëndresa dhe rënia heroike në luftë kundër andartëve grekë, gjatë zbatimit prej tyre të doktrinës shoviniste të “Megali Idea-së” për aneksimin e Jugut të Shqipërisë deri në Shkumbin, në gjysmën e dytë të shekullit XIX.

– Viti i trazuar 1914: rikthimi i andartëve grekë me të njëjtën oreks aneksoinist dhe zbarkimi i tyre në Arrëz për të zhdukur pasardhësit e Fejzo Arrëzës. Si arritën këta të fundit t’i shpëtonin hakmarrjes së pamëshirshme dhe ku i gjeti Lufta Italo-Greke.

Nga Feti ZENELI

Në shpatin veriperëndimor të Trebeshinës, aty ku retë zbresin për t’u prehur mbi supet e dy maleve, të cilët pasohen më tej nga dy vargmale të njohur në juglindje të vendit, pikërisht ku era e veriut dhe verilindjes mbledhin e përplasin në vjeshtën e vonë gjethet e lisave shekullorë të krahinës heroike të Buzit, shtrihet një fshat i vogël, por me emër të madh që kumbon thellë në kujtesën historike të jugut shqiptar – Arrëza e rrethit Tepelenë. Natyra këtu ngjan me një mozaik, mbase dhe me një pikturë që merr frymë; ku drita vallëzon mbi gurët e bardhë, ndërsa maja e malit rri pezull mbi fshat si një bekim i përjetshëm, si një rojtar qiellor që s’fle kurrë.

Arrëza është një margaritar i krahinës së Buzit, ku madhështia e historisë gërshetohet me hijeshinë e natyrës. Këtu, çdo gur ka një kujtim, çdo përrua një këngë, e çdo qafë mali një dëshmi trimërie. Në kohët e errëta të pushtimit, gjatë kryengritjeve kundër reformave osmane të Tanzimatit në gjysmën e parë të shekullit XIX, bijtë e Arrëzës u ngritën me armë në dorë, nën flamurin e Tafil Buzit, për të mbrojtur nderin dhe lirinë. Guximi, besa dhe shqiptaria nuk ishin fjalë, por frymë që i mbante gjallë ata.

Në këtë kështjellë të gurit e të shpirtit lindi dhe u burrërua një figurë që do të mbetej dritë e pashuar në kujtesën kombëtare: Fejzo Xhafo Veizaj, i njohur në gojëtarinë popullore si Fejzo Arrëza. Ai e shndërroi pushkën në fjalë nderi, ndërsa vdekjen në akt pavdekësie. Tek ky arrëziot tipik mishërohet shpirti krenar, i drejtë dhe i pamposhtur i shqiptarit – si vetë Trebeshina, që e lindi, e rriti dhe e burrëroi me kujdes atëror.

Sot, kur ecën nëpër rrugët dhe shtigjet e Arrëzës, ndien sikur koha të flet. Era që zbret nga grykat e maleve mbart jehonën e krismave të dikurshme, ndërsa krojet e fshatit tek rrjedhin qetë pëshpëritin emrat e trimave që kanë lënë gjurmë këtyre anëve, kohë pas kohe. Këtu, në çdo shtëpi ruhet një kujtim, dhe në çdo zemër arrëzjote jeton një histori trimërie – dëshmi e gjallë e qëndresës shqiptare.

 

Molla e Kuqe e Kosovës dhe gjaku arrëzjot

Historia e Arrëzës, ashtu si dhe e shumë fshatrave të tjerë të vendit tonë, mund të jetë e lidhur me migrimet e dhimbshme shqiptare që pasuan dyndjet sllave në Ballkan gjatë shekujve XIII – XIV. Të parët e arrëzjotëve, ku përfshihen dhe ata të Fejzo Xhafo Veizaj, sipas disa dëshmive gojore të mbartura brez pas brezi, duhet të kenë ardhur nga Molla e Kuqe e Kosovës. Fillimisht ata u vendosën në lindje të fshatit Kurtez, në një vend që ende ruan emrin e vet të lashtë – Manastir. Por koha, luftërat dhe rreziqet e pandërprera i shtynë të ngjiteshin më lart, drejt shpateve mbrojtëse të Trebeshinës, duke themeluar vendbanimin e sotëm, që do të ruante përjetësisht kujtimin e origjinës dhe shpirtin dradan të lirisë. Ata ishin bij të një kohe të trazuar, kur harta e trojeve shqiptare ndryshonte herë pas here, me kufij që rrudheshin arbitrarisht, nën shtypjen e fuqive të mëdha dhe pangopësinë e shovinizmave fqinjë.

E megjithatë, Arrëza mbeti një fortesë e qëndresës shqiptare, një vatër e besës dhe e nderit, ku fjalët “burrëri” dhe “tokë” kishin kuptimin identik. Pikërisht nga kjo tokë do të shpërthente si vullkan, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Kapedan Fejzo Arrëza, një burrë që historia e kujton si mbrojtës të kufijve shpirtërorë dhe etnikë të kombit.

Tërë Ballkani jetonte një periudhë tronditjesh të mëdha. Perandoria Osmane, e cila për shekuj me radhë kishte mbajtur nën sundim popujt e gadishullit, po hynte në fazën e saj të rënies. Brenda kufijve të saj pushtues, vendet kërkonin liri, ndërsa fqinjët tanë ishin të etur për zgjerim. Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, shihnin në rrënimin e Portës së Lartë një mundësi të artë për të përfituar territore të reja në dëm të trojeve shqiptare.

Në këtë kontekst, më 1844, qeveria greke shpalli programin famëkeq të njohur si “Megali Idea” (Ideja e Madhe), një doktrinë që synonte krijimin e një shteti të madh helenik mbi rrënojat e Perandorisë Osmane. Ky projekt shovinist përfshinte në kufijtë e vet jo vetëm Maqedoninë dhe Trakinë, por edhe Shqipërinë e Jugut deri në lumin Shkumbin. Mbështetur fuqishëm nga Patrikana Ortodokse e Stambollit, “Megali Idea” shërbeu për dekada me radhë si busull e politikës greke në Ballkan dhe si bazë për ndërhyrjet ushtarake e propagandistike në territoret shqiptare.

Në vitet ’70 të shekullit XIX, kur shpërtheu Kriza Lindore – periudhë që shënoi fillimin e shpërbërjes së shpejtë të Perandorisë Osmane dhe përpjekjet e shteteve ballkanike për të zgjeruar kufijtë e tyre u shtuan – rreziku për trojet shqiptare u bë i prekshëm. Në jug, bandat e armatosura greke, të njohura si andartë, përhapnin frikë e dhunë, duke synuar të shtrinin ndikimin e tyre deri në Shqipërinë e mesme.

Në këtë periudhë tensioni dhe pasigurie, fshati Arrëz do të gjendej sërish përballë lakmisë së të huajve. Por burrat trima arrëzjotë nuk do të lejonin që historia dramatike e shpopullimit të mëhershëm të paraardhësve të tyre të përsëritej. Nga kjo tokë e bekuar doli Fejzo Arrëza, që me shpirtin e një luftëtari të lindur, mori përsipër të mos lejonte një asimilim të dytë, këtë herë nga andartët grekë. Ai luftoi trimërisht për nderin e vendlindjes dhe për ruajtjen e tërësisë sonë territoriale. Rrëfimet popullore e përshkruajnë Fejzo Arrëzën si njeri të drejtë e fjalëurtë, por të ashpër e të pamëshirshëm në beteja. Ai udhëhoqi bashkëfshatarët e bashkëkrahinarët e vet në një sërë përplasjesh kundër andartëve grekë që përpiqeshin të depërtonin në zonat e Shqipërisë së Jugut. Veprimtaria e tij u bë simbol i qëndresës shqiptare, një dëshmi e gjallë se liria nuk mund të jetë dhuratë, por trashëgimi që duhet mbrojtur me gjak.

Shpateve të Trebeshinës, ku çdo gur mban kujtime luftrash, Fejzo Arrëza u bë fjala e pathënë e një kombi që ende nuk kishte shtet, por kishte ndërgjegje shteformuese. Ai ishte pjesë e atij brezi burrash që përgatitën terrenin shpirtëror e politiko-shoqëror për Rilindjen Kombëtare, për krjimin e një Shqipërie që më në fund do të ishte vetvetja.

Sot, kur ecën nëpër shtigjet e Arrëzës dhe dëgjon fëshfërimën e erërave që zbresin nga Trebeshina, duket sikur zëri i Fejzo Arrëzës ende jehon nëpër lugina. Ai nuk është vetëm figurë e një kohe të shkuar, por simbol i rezistencës kundër çdo përpjekjeje për tjetërsim kombëtar. Historia e Fejzo Arrëzës dhe e gjithë fshatit Arrëz është pjesë e pandashme e sagës së qëndresës shqiptare në shekullin XIX. Ajo shënon kalimin nga mbijetesa në vetëdije kombëtare, nga lufta për tokën në luftë për identitetin. Në sfondin e errët të “Megali Ideas” dhe ambicieve gllabëruese të fqinjëve, u ndezën dritat e trimërisë së burrave si Fejzo Arrëza – drita që nuk shuhen kurrë, sepse ndriçojnë jo vetëm historinë e një fshati, por shpirtin e një kombi të tërë.

Fejzo Arrëza – nga oficer i Perandorisë, në luftëtar i lirisë

Në historinë e popullit shqiptar, në faqet ku lavdia e qëndresa ngërthehen si palët e një flamuri të përgjakur por të papërkulur, feksin herë pas here emra që s’janë thjesht njerëz, por simbole. Ata janë si malet që rrinë përjetësisht në horizont, të heshtur e madhështorë, por që brenda gjoksit të tyre ruajnë bubullimat e stuhive që kanë kaluar. Siç e përmendëm pak më lart, një prej tyre është edhe Kapedan Fejzo Arrëza.

Ai vinte nga një familje e ndershme dhe punëtore, ku buka sigurohej me djersën e ballit dhe nderi ruhej si një amanet i shenjtë. Në atë truall të varfër në ekonomi, por të pasur në virtyte, Fejzoja u rrit me këngët për trimat e Ali Pashë Tepelenës – Hasan Agën dhe Asllan Kondurin – bij të kësaj toke që kurrë nuk e duruan robërinë.

Në netët e gjata të dimrit, pranë zjarrit që kërciste në oxhak, djaloshi arrëzjot dëgjonte rrëfime për kryengritjet, gjakun e derdhur për liri dhe nderin që s’mund të këmbehej as me vetë jetën biologjike. Këto histori e farkëtuan shpirtin e tij si hekuri në kudhrën dhe nxehtësinë e zjarrit – të fortë, të qëndrueshëm, të gatshëm për t’mos u përkulur para armikut, por vetëm përpara flamurit të atdheut.

Si shumë të rinj të asaj kohe, Fejzo Arrëza mori pjesë në radhët e ushtrisë osmane. Shërbeu si oficer dhe u dallua për zgjuarsi, për guxim dhe për drejtësi në veprim. Por zemra e tij shqiptare nuk mund të pajtohej me uniformën e një pushtuesi. Ai pa me sytë e tij padrejtësinë, shtypjen, dhe poshtërimin e popujve që kërkonin të ishin të lirë. Dhe atëherë, me vendosmërinë e një njeriu që e di ç’është nderi e dinjiteti, hoqi gradat, u kthye në vendlindje dhe mori pushkën jo vetëm për Arrëzën, por për tërë Shqipërinë.

Ky akt ishte një betim i shenjtë. Fejzo Arrëza nuk e njihte kompromisin me të keqen; në shpirtin e tij vlonte një urrejtje e madhe ndaj çdo zgjedhe që rëndonte mbi atdheun. Ai mblodhi rreth vetes një çetë prej 40 trimash dhe u bë kapedani i tyre – udhëheqësi që do t’i çonte drejt përballjeve legjendare me armiqtë tanë shekullorë. Në atë çetë nuk kishte grada – kishte vetëm besë, gjak dhe atdhedashuri.

Siç thamë pak më lart, shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte epoka e stuhive të forta për trojet arbërore. Shovinizmi grek, i mbështetur nga qarqe të huaja, kërkonte që të zgjeronte kufijtë mbi kurrizin e shqiptarëve. Bandat andarte, të armatosura e të egërsuara, digjnin, plaçkitnin dhe shkatërronin fshatrat tona, duke kërkuar t’i përzinin shqiptarët nga trojet e tyre të lashta. Pikërisht në këtë kohë, në zonat jugore të vendit, nisi të dëgjohet krisma e pushkës së Fejzo Arrëzës. Në udhët e përgjakura të Ballabanit, në kreshtat e Skraparit e deri në shpatet e Leskovikut, jehona e çetës së tij ngrihej deri në kupë të qiellit dhe hynte në zemrat e njerëzve tanë liridashës. Ishte koha kur burrëria matej me krismat e plumbit që dilte nga gryka e pushkës për lirinë e atdheut. Në këto kushte, Fejzo Arrëza u bë më shumë se një luftëtar apo komandant i një çete; ai u bë simbol i një brezi që refuzoi të jetonte nën robëri.

Në korrik të vitit 1878, një re e zezë andartësh grekë zbarkoi në jug të vendit, në zbatim të planeve aneksuese të “Megali Idea”. Fejzo Arrëza, me çetën e tij të vogël, u përballë trimërisht me një ushtri shumëfish më të madhe. Luftimet qenë të ashpra e të përgjakshme, toka u mbulua me pluhur dhe tym, ndërsa qielli i Toskërisë u ndriçua nga flakët e betejës. Kur armiqtë i dërguan fjalë për t’u dorëzuar, Fejzoja buzëqeshi hidhur dhe, sipas gojëdhënave që ende rrëfehen në Arrëz, tha: “Shqiptari lind për të ecur në këmbë me dinjitet, jo për t’u zbarritur. Pushka ime dorëzohet vetëm kur s’kam më frymë për ta mbajtur!” Ai dhe shokët e tij luftuan deri në frymën e fundit, duke kthyer fushën e betejës në një altar lirie. Gjaku i derdhur në këtë përballje luftarake u përzie me atë të trimave të tjerë, të flijuar më herët për këtë tokë të shenjtë, duke ushqyer shpresat shqiptare të Rilindjes Kombëtare.

Kësisoj, Fejzo Arrëza u bë legjendë. Ai i përket atij brezi që mbolli në ndërgjegjen kombëtare ndjenjën e sakrificës, të krenarisë dhe të bashkimit. Emri i tij, është i lidhur ngushtë me historinë qëndrestare të Shqipërisë, dhe duhet të kujtohet si mësim për brezat që vijnë. Historia e Fejzo Arrëzës është historia e një populli që, mes pushtimesh dhe përçarjesh të shumta, nuk e humbi kurrë dinjitetin. Si biri i denjë i malit të Trebeshinës, ai u bë burim frymëzimi i gjithë shqiptarëve në luftra e beteja. Krismat e pushkës së tij vazhdojnë të dëgjohen ende; ato u bënë histori e këngë…

Dielli majave seç ra…

Ishte tetori i largët i vitit 1983. Kalaja e Gjirokastrës, ajo mbretëreshë guri që ruan shekuj kujtese, priste në gjirin e saj Festivalin Folklorik Kombëtar të radhës. Në atë skenë ku guri dhe kënga takohen si dy rrjedha të të njëjtit lumë, u ngjitën edhe burrat e Arrëzës me këngën e tyre për Kapedan Fejzo Arrëzën.
Nuk qe thjesht një interpretim artistik, apo një melodi e bukur që çan hapësirën – ishte vetë historia që u ringrit në këmbë; e gjallë, e dridhshme, e përflakur. Zërat e burrave u përplasën me bedenat e kalasë si jehona të vjetra krismash, si vajtime nënash që ende presin, si një kujtesë me përjetësinë e gurit. Ajo këngë, që ndoshta u lind pranë një vatre të lashtë arrëziote, u bë më pas një amanet brezash – një urë e padukshme që lidh të gjallët me të rënët, një flakë shpirti që s’di të shuhet: “Dielli majave seç ra,/ lule Fejzo Arrëza./ Erdhi çobanka të tha:/ Ik o Fejzo mos u vra,/ se nëna mezi të ka,/ se je djalë e bën hata./ Ktheu, Fejzo, mor vëlla,/ se janë të shumë ata;/ janë katërqind e ca,/ janë katër kapedanë,/ Leonidha me të vëllanë./ S’kthehet Fejzua i gjallë,/ Pa e marrë plumbin në ballë,/ pa e bërë kërmë dynjanë,/ Leonidhën me gjithë vëllanë./ Në shpëtofsha këtë radhë,/ nuk e le hakun pa marrë,/ mos paca faqen e bardhë,/ Vuvuzë po si vura zjarrë./ Fejzo Xhafua lule/ kur të dhanë batare/ flakë më flakë u re…”. Në këto vargje nuk zbardh një mëngjes i zakonshëm malor, por lind dita e fundit e një trimi me fletë. “Dielli majave seç ra” është metafora e dritës që lind e perëndon, dëshmitar i një përballjeje legjendare me fatin. Ai diell, simbol i pavdekësisë, ngrihej atë ditë mbi Trebeshinë duke ndriçuar majat me ngjyrën e gjakut, sikur qielli vetë të derdhte lot për një bir që s’do të shihej më fizikisht këtyre anëve. Në atë orë të purpurt, lindi kënga që do t’i jepte emër përjetësisë – kënga e Fejzo Arrëzës, birit të asaj toke që ka ushqyer burra me shpirt mali e zemër shqiponje.
Kësisoj, Fejzo Xhafua – Fejzo Arrëza, siç e pagëzoi populli – nuk është më emër, por shenjë, simbol, flakë që ndriçoi errësirën e robërisë. Ai qe krisma që çau heshtjen, burrëria që s’u lodh kurrë së frymëzuari. Kur “çobanka” i thërret me mall nëne: “Ik, o Fejzo, mos u vra,/ se nëna mezi të ka…”, klithma e saj ta rrënqeth edhe sot shpirtin.

Në legjendën e këngës, Fejzoja del përballë një ushtrie të tërë – “katërqind e ca”, me në krye “katër kapedanë”, dhe megjithatë nuk bën pas, nuk dredhon, nuk kthehet. Ai është një, por përballë tij qëndron gjithë turma e padrejtësisë, gjithë dhuna e huaj që kërkon t’i nëpërkëmbë tokën e të parëve tanë. Ndaj kur kënga mbyllet me vargun: “S’kthehet Fejzua i gjallë,/ pa e marrë plumbin në ballë”, nuk dëgjohet vetëm jehona e një vdekjeje – aty kumbon lindja e pavdekësisë. Në atë çast, ndalet dhe vetë dielli që “ra mbi male” duke u shndërruar në një flamur të kuq gjaku që valëvitet me emrin e Kapedanit të Arrëzës. Plumbi që ai merrë në ballë nuk është fundi i jetës, por vula e përjetësisë së tij. Në sytë e nënës, ai mbetet djalë; në sytë e popullit, bëhet kapedan; në kujtesën e historisë, shndërrohet në flakadan lirie. Ai është mishërimi i krenarisë, i besës dhe i asaj dashurie të thellë për vendlindjen që buron nga gjaku dhe shpirti atdhetar. Kur zërat e fundit shuhen dhe kënga mbyllet, mbetet një ndjenjë drite që lind nga errësira e sakrificës. Dielli sa herë do ngrihet mbi Trebeshinë do të ndalet për një çast për të nderuar qellësisht emrin e ndritur të Fejzos. Ndërkohë, në zërin e lashtë të erës së malit që do fryjë mbi Arrëz, do dëgjohet vazhdimisht si pëshpërimë vargu i fundit i këngës: “Flakë më flakë u re…” Dhe kështu, historia del nga librat e arkivat; për t’u bërë këngë e frymë përjetësie, gjak që rrjedh pa pushim në damarët e popullit.

Këngët për Fejzo Arrëzën s’kanë mbarim. Midis atyre që kënduan për të, më i pari qe shoku i tij i armëve, Myftar Sevrani, që para trupit të Fejzos u betua me zërin që i dridhej si tel violine: “Kapedan Leonidha, s’të jam për t’u ndarë,/ti që vrave Fejzon, një krah më ke tharë!”. E një tjetër bir i Arrëzës, Besnik Hoxha, ngriti, tash së fundi, zërin e këngës mbi kreshta: “Shtatë male kaptove,/ si hero Fejzo qëndrove./ Në Konicë kur re në këmbë,/ të kënduan dhjetëra këngë.”  Kështu, në çdo varg e në çdo kujtim, Fejzo Arrëza jeton ende – si një flakë burrërie e trimërie e pashuar në zemrën e popullit.

Fejzo Arrëza: Edhe i vdekur, tmerr për armiqtë

Vitet kaluan, dhe gjysma e parë e shekullit të njëzetë solli dy prova të tjera të zjarrit për këto gryka dhe male hijerëndë. Së pari, në vitin 1914, mësymjen e andartëve grekë që dogjën, vranë e shkretuan tokat shqiptare; së dyti, njëzet e tre vjet më vonë, qenë bubullimat e Luftës Italo-Greke, ato që u përplasën mbi Qafën e Kiçokut.
Grekët, të cilët në vitet ’70 të shekullit XIX kishin përjetuar krismat e çetës së Fejzo Arrëzës, nuk kishin harruar tmerrin që ajo mbillte. Ndaj në 1914, me zjarr në duar e verbëri në shpirt, ata kërkonin me tërbim çdo pasardhës të njerëzve të Fejzos, për t’i zhdukur si kujtim. Kjo ishte arsyeja që këta të fundit u strehuan në Gjirokastër duke ndërruar mbiemrin për t’i shpëtuar gjëmës greke. Megjithatë emri i Fejzos, që digjte si prush në kujtesën e armiqve, u trashëgua, i gjallë dhe krenar, tek nipi i xhaxhait të tij.

Më pas, lufta italo-greke, veçanërisht në Qafë të Kiçokut pranë fshatit Arrëz, u kthye në një skenë të papërshkrueshme. Më 9 dhe 10 mars të vitit 1941, toka u përgjak si kurrë më parë: mbi një mijë e gjashtëqind trupa mbetën të vrarë brenda një dite të vetme. Qielli flakëronte, toka dridhej nga shpërthimet, ajri rëndonte nga tymi i barutit dhe dhimbja njerëzore – çdo element përzihej në një simfoni të egër vdekjeje.

Deko Cenollari, biri i këtyre anëve, la pas kujtime që kullonin si plagë të hapura. Ai rrëfente se si ushtarët rrëzoheshin ngatërruar njëri mbi tjetrin, si një pikturë e gjallë e tmerrit: “Njëra dorë në flokët e tjetrit, tjetra në syngji,” përsëriste me zë të dridhur, sikur të përpiqej të shkundte kujtimet nga pluhuri i harresës.

Në atë qafë mali, atë ditë, edhe zogjtë heshtën; era sillte vetëm aromën e gjakut dhe barutit. Përpara fjalës “luftë”, madje dhe vetë natyra dukej më e traumatizuar së njerëzit. Dëbora e maleve aty pranë u shkri brenda ditës, si në korrik; ajri u mbulua me pluhur dhe tym, ndërsa çdo gur i fshatit Arrëzë mbështillej me britmën e njerëzve dhe psherëtimën e drurëve të pyllit. Dëmet ishin të pallogaritshme, ku midis të tjerash edhe teqeja bektashiane u rrafshua, dervishët u masakruan; shpirti i gjithë trevës së Buzit u godit e përgjak për llogari të lakmive të huaja. Por mes gjithë këtij barbarizmi e shkatërrimi, emri i Fejzo Arrëzës ngrihej si maja e Trebeshinës mbi fshat. Se, ai në kohën e vet nuk luftoi vetëm për tokën, por dhe për shpirtin e njerëzve të saj. Në këngë, kujtime e rrëfime që përcillen nga brezi në brez, Kapedani arrëzjot jeton përtej vdekjes, si stuhia dhe drita e rrufeve që binte mbi armiqtë.

Fejzo Arrëza nuk është vetëm figurë e së kaluarës – ai është frymë e përjetshme për ata që e ndjejnë në të gjithë qënien e tyre dashurinë për atdheun, dhe e dinë shumë mirë, se liria paguhet me guxim, gjak dhe besë. Sot, në fshatrat e rrëzës së Trebeshinës dhe Shëndëllisë; çdo shpatë, çdo gur, çdo rrjedhë uji ruan në heshtje rrëfimin e jetës së tij – një rrëfim sa tronditës e i përgjakur, aq dhe i lavdishëm e i pavdekshëm…