Gjendja e detyrimeve të papaguara tatimore në vend gjatë vitit 2024 ka shënuar një rritje të ndjeshme, sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në fillim të vitit, totali i borxhit tatimor ishte rreth 155.1 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit kjo shumë arriti në 162.5 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej rreth 7.4 miliardë lekë.
Në fund të vitit 2024, numri i përgjithshëm i tatimpaguesve me detyrime të papaguara arriti në 202,387 raste, përfshirë si subjektet aktive, ashtu edhe ato pasive. Të dhënat tregojnë se tatimpaguesit pasivë përbëjnë pjesën më të madhe të borxhit, me 120,557 raste, të cilat mbajnë një shumë prej 120.9 miliardë lekë, ose rreth 75% të totalit. Nga ana tjetër, subjektet aktive numërohen në 81,830 raste, me detyrime në vlerën 41.5 miliardë lekë.
Gjatë vitit 2024, borxhi tatimor i akumuluar nga bizneset e mëdha, ndërmarrjet shtetërore dhe entet buxhetore arriti në 141 miliardë lekë. Bizneset e mëdha mbeten kontribuuesit kryesorë të detyrimeve të papaguara, duke zënë 87% të totalit kombëtar. Ndërmarrjet shtetërore, megjithëse më të pakta në numër, mbajnë një pjesë të konsiderueshme të borxhit në shumën 16 miluardë lekë.
Analiza e të dhënave tregon se borxhi tatimor përqendrohet kryesisht në Tatimin mbi Fitimin dhe TVSH, ndërsa tatimet e tjera mbajnë peshë më të moderuar.
Në fillim të vitit 2024, detyrimet për Tatimin mbi Fitimin ishin 47,177,968 mijë lekë. Gjatë vitit është vërejtur një dinamikë e ndryshme mes rajoneve, me ulje progresive të borxhit në disa zona gjatë periudhës maj–dhjetor dhe rritje neto në zona të tjera për shkak të gjobave dhe interesave. Në fund të vitit, borxhi i akumuluar arriti në 47,331,355 mijë lekë.
Borxhi për këtë kategori ishte 56,723,987 mijë lekë në fillim të vitit dhe u rrit në 57,008,514 mijë lekë në fund të tij, një rritje prej 284,547 mijë lekë. Gjatë vitit u shënua rritje e qëndrueshme në shumicën e rajoneve, me rënie të përkohshme në muaj të caktuar. Muajt janar, shkurt dhe nëntor rezultuan më problematikët për rritjen e borxhit.
Borxhi i papaguar për sigurimet shoqërore në vitin 2024 arriti në 24,158,039 mijë lekë, me një rritje prej 7,142 mijë lekë krahasuar me vitin e kaluar. Ky trend rrezikon stabilitetin e skemës së pensioneve dhe tregon vështirësi të punëdhënësve në respektimin e detyrimeve të tyre.
Borxhi i TAP paraqiti rënie. Nga 56,723,987 mijë lekë në fillim të vitit, kjo shumë zbriti në 2,645,792 mijë lekë në fund të 2024-s, duke reflektuar një ulje prej 8,621 mijë lekë.
Në fillim të vitit, borxhi për Tatimin në Burim ishte 6,435,278 mijë lekë, ndërsa në fund arriti në 6,440,549 mijë lekë, duke shënuar një rënie të lehtë prej 5,271 mijë lekë nga çelja e vitit./ekofin.al







