Policia e Tiranës ka goditur një rast kontrabande të mallrave të dyshuara të vjedhura në Greqi, duke vënë në pranga administratoren e një dyqani në Yzberisht.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në subjektin tregtar që administronte 49-vjeçarja u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme veshjesh të ndryshme, për të cilat ajo nuk dispononte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje.
“Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet në Volum në DPPSh, si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Outlet”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasja: E. K., 49 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjatë kontrollit në subjektin tregtar që administronte kjo shtetase, në rrugën “Demneri”, Yzberisht, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme veshjesh të ndryshme, për të cilat ajo nuk dispononte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje”. njoftoi policia.
Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.







