Ballina Kronika Durrës/ Shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së drogës pranë shkollave, 12 të arrestuar...

Durrës/ Shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së drogës pranë shkollave, 12 të arrestuar në operacionin “CLEANING 3”

31
0

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e tretë të njëpasnjëshëm kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, goditje që çoi në prangosjen e 12 personave dhe shpalljen në kërkim të një tjetri. Operacioni “CLEANING 3”, i ndjekur me metoda speciale hetimi nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë, u fokusua tek një grup i organizuar që shpërndante drogë kryesisht pranë shkollave dhe gjimnazeve të qytetit.

Arrestime dhe akuza të shumta
Mes të arrestuarve është edhe organizatori i grupit, 30-vjeçari F. A., i cili përveç akuzës kryesore “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, përballet edhe me një sërë veprash të tjera penale, duke përfshirë kontrabandën, fshehjen e të ardhurave, moslëshimin e kuponit tatimor, armëmbajtje pa leje dhe punësim të paligjshëm.

Të arrestuarit e tjerë janë: B. O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; si dhe M. K., 29 vjeç dhe V. Sh., 20 vjeç, të cilët akuzohen edhe për “armë të ftohta pa leje”.
Në kërkim vazhdon të jetë shtetasi B. M.

Gjatë operacionit Policia sekuestroi:

-180 doza kokaine (100 gr)

-620 doza kanabisi (1.25 kg)

-2 peshore elektronike

-16 telefona celularë

-3 armë të ftohta (thika)

-1 përforcues grushti

-Municion luftarak

Hetimet kanë zbuluar se grupi shpërndante lëndët narkotike në zona pranë shkollave të mesme në qytetin e Durrësit, duke funksionuar në formë rrjeti.

Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.

Njoftimi i policisë:

Durrës / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “CLEANING 3”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.

Vihen në pranga 12 shtetas, ndërmjet tyre edhe organizatori i grupit, dhe vijon puna për kapjen edhe të një shtetasi tjetër, pjesëtar i këtij grupi.

Sekuestrohet kokainë, kanabis, peshore elektronike, municion luftarak, armë të ftohta dhe 16 aparate celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale të kësaj Drejtorie, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “CLEANING 3”.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve policore, ka ndjekur me metoda speciale të hetimit procedimin penal nr. 880, i vitit 2025, ku si rezultat i hetimeve në kuadër të operacioneve policore të koduara “CLEANING 1” dhe “CLEANING 2” janë arrestuar disa shtetas për veprën penale “Shpërndarja e lëndëve narkotike”, në afërsi apo pranë shkollave në qytetin e Durrësit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në vijim të hetimeve dhe provave të siguruara, është bërë i mundur zbulimi, identifikimi dhe dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit, shërbimet policore të DVP Durrës kanë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht:

F. A., 30 vjeç (i dyshuar si organizator). Në ngarkim të tij janë vendosur gjithashtu veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

B. O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; dhe shtetasit M. K., 29 vjeç, dhe V. Sh., 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.

Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.

Materialet procedurale, në ngarkim të personave të mësipërm, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.