Ballina Ekonomia FMN i kërkon Bankës së Shqipërisë të heqë lehtësimet e kreditimit të...

FMN i kërkon Bankës së Shqipërisë të heqë lehtësimet e kreditimit të oligarkisë

25
0

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi publikisht Bankës së Shqipërisë që të mos luajë me standardet e mbikqyrjes dhe të zhbëjë lehtësimet e fundit të kreditimit për koncesionet e rrugëve, porteve dhe aeroporteve. Kërkesa e drejtëpërdrejtë ishte pjesë e deklaratës përmbyllëse të misionit të FMN në Tiranë.

“Lehtësimet e fundit në nivelet e rrezikut në kuadër të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ekspozimeve të mëdha të bankave për kreditë që mbështesin infrastrukturën strategjike të transportit nuk janë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe duhet të rishqyrtohen, pasi rregullimet prudenciale duhet të bazohen në rrezik dhe të mos përdoren për të inkurajuar huadhënien në sektorë specifikë,” deklaroi FMN.

Në korrik të këtij viti, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren për mjaftueshmërinë e kapitalit duke përgjysmuar peshën e rrezikut për kreditë që bankat private japin për koncesionet e rrugëve, porteve dhe aeroporteve. “Bankat ponderojnë ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastrukturë strategjike transporti, me peshën e rrezikut 50%,” thotë rregullorja e ndryshuar.

Deri në korrik çdo kredi që bankat jepnin për koncesionet klasifikohej me peshë rreziku 100 për qind për efekt të mjaftueshmërisë së kapitalit. Rrjedhimisht sa më shumë kredi jepte një bankë, aq më shumë kapital duhet të shtonte ajo për të mbajtur brenda kufijve ligjore raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Por me ndryshimin e rregullores, kreditë e dhëna për bizneset që ndërtojnë rrugë, porte dhe aeroporte me koncesion, do të ponderohen me gjysmën e rrezikut, çka u jep bankave më shumë hapësirë për të kredituar këto projekte pa patur nevojë që të rrisin kapitalin.

Ky ishte lehtësimi i parë, por jo i vetëm që BSH miratoi në korrik. Lehtësimi i dytë ishte ai i zbutjes së kufizimeve për ekspozimet e mëdha. Deri tre muaj më parë, bankat shqiptare nuk mund të jepnin kredi për një biznes të caktuar me vlerë më të madhe se sa 15 për qind e kapitalit të bankës.

Kjo do të thoshte se një bankë me kapital 100 milionë euro nuk mund të jepte më shumë se 15 milionë euro kredi për një projekt apo biznes të vetëm. Por edhe kjo hapësirë u dyfishua me rregulloren e re duke bërë që hapësira e kreditimit të bankës me kapital 100 milionë euro për një biznes apo projekt të vetëm të shkojë deri në 30 milionë euro.

Ndonëse Banka e Shqipërisë vendosi një masë mbrojtëse kundër këtyre lehtësimeve duke u kufizuar bankave shpërndarjen e dividentit kjo nuk e ka bindur FMN-në, e cila kërkon heqjen e lehtësimeve.

Lehtësimi i kufizimeve rregullatore për projektet strategjike në infrastrukturë ishte kërkuar nga shoqata e bankave. Përmes një kërkesë zyrtare drejtuar Bankës së Shqipërisë, në fillim të këtij viti, Shoqata e Bankave kërkoni zbutjen e koefiçientëve të përllogaritjes së riskut për kreditë që jepen për ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore si rrugët, hekurudhat, portet, aeroportet dhe ujësjellësat.

Por arsyeja e vërtetë e investimit të Shoqatës së Bankave në këtë çështje, si dhe e vendimarrjes së BSH ishte flirtimi i disa bankave me kreditimin e projekteve të mëdha koncesionare duke dalë tërësisht nga parametrat rregullatorë të mbikqyrjes. Përtej kësaj, rasti i fundit në aeroportin e Vlorës tregon se këto kredi mund të shndërrohen një një rrezik potencial, ndaj FMN i kërkon Bankës së Shqipërisë që të rikthejë standardet e mbikqyrjes./Kapitali