Ballina Kronika Dosja ‘Revanshi’/ Aldo Avdylit i komunikohet mbyllja e hetimeve, materialet pritet t’i...

Dosja ‘Revanshi’/ Aldo Avdylit i komunikohet mbyllja e hetimeve, materialet pritet t’i kalojnë GJKKO

43
0

Aldo Avdylit i është komunikuar këtë të premte, mbyllja e hetimeve për dosjen “Revanshi”, dhe materialet tashmë pritet t’i kalojnë GJKKO-së me kërkesën për gjykim.

Ndërkohë që prej korrikut të këtij viti, GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen ‘Revanshi’, ku të pandehur janë marrë mes të tjerëve, Emiliano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka e Gjergji Cukali. Në total janë 14 të pandehur, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale por për Aldo Avdylin për shkak të arrestimit të mëvonshëm, gjykimi pritet të bëhet veç.

Lidhur me këtë dosje, ndaj tij kishte një masë në mungesë prej muajit maj 2024, pasi gjatë një hetimi të dosjes Nr. 59, gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj Durim Bamit. Avdyli përfshihet në një grup prej më shumë se 16 personash, të cilët sigurojnë mjetet dhe planifikojnë eliminimin fizik të Bamit, qëllim që nuk u arrit.

Për këtë dosje, u kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen.

Për të ekzekutuar Durim Bamin, një të shumëkërkuar tashmë për drejtësinë,  për llogari të Arben Nokës që e akuzonte për vrasjen e të vëllait, bashkëpunuan disa persona mes të cilëve anëtarë të familjes Avdyli, Ervis Martinaj, etj.

Një tjetër procedim penal të bazuar kryesisht në transkriptet e SKY ECC, ekspozojnë Aldo Avdylin në një tjetër ngjarje, vrasjen e Edmir Bregut më 21 janar të vitit 2021 në Durrës. SPAK lëshoi disa masa sigurie mes të cilave edhe për Aldo Avdylin, por që për disa kohë nuk u ekzekutua. Pas disa muajsh i riu lokalizohet në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë ku kishte marrë një apartament me qira dhe arrestohet.

Sipas SPAK, Avdyli ishte drejtues dhe koordinator i grupit kriminal, ndihmës në krim ishte Enea Kume, ndërsa ekzekutor Alfred Doka. Vrasja e Bregut thotë SPAK u krye me porosi të Astrit Avdylit në shenjë hakmarrjeje, pasi më herët viktima kishte tentuar të vriste nipin e tij Aldo Avdylin. Në lidhje me këtë çështje, Aldo Avdyli akuzohet për “vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, “kryerje të veprave nga organizata kriminale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.