Ballina Kronika Apeli uli dënimin për Axel Hoxhajn, familja e viktimës akuza drejtësisë: Beteja...

Apeli uli dënimin për Axel Hoxhajn, familja e viktimës akuza drejtësisë: Beteja jonë nis tani!

22
0

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi me 12 vite burg të riun Axel Hoxhaj duke zbritur 6 vite nga vendimi i Shkallës së Parë që e dënoi me 18 vite heqje lirie për vrasjen e 20-vjeçarit Stivën Toshkëzi.

Ky vendim shkaktoi tensione në gjyq dhe nuk u pranua nga familjarët e të ndjerit Stiven Toshkëzi. Në një intervistë për A2CNN nëna e të ndjerit tregon se çfarë ndodhi në sallën e gjyqit.

Po ashtu familja e 20-vjeçarit hedh akuza ndaj sistemit të drejtësisë se kanë manipuluar të vërtetën dhe se po fshehin edhe dy autorët e tjerë Arbër Muratajn, djalin e Admir Muratajt dhe Ensi Mazen.

Nëna e të ndjerit akuzon edhe prokurorin Albert Demirneli se ka manipuluar ngjarjen. Fakt që vërtetohet edhe në dosjen hetimore ku në konkluzionet perfundimtare prokurori thotë që nxjerrja e mjetit prerës është bërë nga viktima dhe ky i fundit ka sulmuar i pari Akselin. Ndërkohë që Aksel Hoxhaj ka pohuar vetë në gjyq që thika ishte e tij dhe e mbante sepse hapte kutiat e kremit te dyqani i babait. Po ashtu sipas ekspertit të videos Akseli ka sulmuar i pari.

Familja e Stiven Toshkëzit akuzon babain e Ensi Mazes për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë për të amnistuar autorët e vrasjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 Prill 2023, rreth orës 00:15, në rrugën “Skënder Sallaku”, në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”. Axel Hoxhaj dhe Ensi Maze kishin patur konflikt me Stiven Toshkëzin pasi ky i fundit ishte konfliktuar fizikisht me mikun e tyre Arbër Murataj.

Më 18 prill dy të rinjtë Axel Hoxhaj dhe Ensi Maze kanë pritur sapo viktima të mbaronte punën dhe e kanë goditur me thikë, e cila fatkeqësisht rezultoi fatale për të riun.