Gjatë ditës së sotme, më 21 nëntor, janë evakuuar 5 persona në zona problematike të qarkut të Beratit, pas disa ditësh radhazi reshjesh intensive.
Kështu, Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, përfshirë një të moshuar 100-vjeçare nga fshati Çiflik.
Ndërsa në Devoll, Policia u shkoi në ndihmë banorëve të fshatit Progër për shkak të përmbytjeve. Prej mëngjesit, shërbimet policore vijojnë kërkimet për një 75-vjeçare nga Progëri, e cila është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas të dhënave paraprake, ekziston mundësia që ajo të jetë marrë nga rrjedha e ujit.
Në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës. Specialistët e Policisë janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative për të koordinuar ndihmën ndaj banorëve.
Në njoftimin për mediat thuhet se Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të motit të keq, duke angazhuar shërbime vendore, patrulla të përgjithshme dhe njësinë “Shqiponjat” për të ndihmuar banorët e prekur në të gjithë vendin.







