Ballina Politika ‘Koha për të çliruar Shqipërinë nga grabitësit’/ Berisha: PD kërkon dorëheqjen e...

‘Koha për të çliruar Shqipërinë nga grabitësit’/ Berisha: PD kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut dhe gjykim pa kompromis!

33
0

Sipas PD-së, takimi 7-orësh i së mërkurës në Kryeministri, i zhvilluar pas vendimit të gjykatës për pezullimin nga detyra të Ballukut, tregon për “përpjekje të maxhorancës për të gjetur rrugëdalje politike” dhe, siç shprehet opozita, për të shmangur përgjegjësitë penale. PD akuzon kryeministrin Rama se po kundërshton shkarkimin e Ballukut, duke bërë “presione dhe manovra juridike”.

Në deklaratë, PD përsërit akuzat e saj për abuzime financiare në disa projekte publike, përfshirë tunelin e Llogarasë dhe disa koncesione rrugore, duke u shprehur se Rama është “organizatori dhe urdhëruesi” i shkeljeve. Asnjë nga këto pretendime nuk është provuar nga organet e drejtësisë, ndërsa qeveria nuk ka reaguar ende ndaj deklaratës së fundit të opozitës.

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut “për të shmangur ndikimin e tyre në hetime” dhe thotë se ky hap duhet t’i hapë rrugën “zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta”.

Postimi i plotë i Berishës:

Koha për të çliruar Shqipërinë nga grabitësit/ PD: Dorëheqje e menjëhershme e Ramës dhe Ballukut dhe gjykim pa kompromis!

*Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë*

Takimi 7-orësh i së mërkurës në Kryeministri, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, i cili u shoqërua me akuza dhe presione të ndërsjella mes Ramës dhe Ballukut, nuk ishte asgjë më shumë se një mbledhje tipike mafiozësh për gjetjen e një rrugëdaljeje dhe shpëtimin e Edi Ramës nga ndjekja penale.

Kundërshtimi i tij për të shkarkuar Belinda Ballukun, duke u fshehur pas spërdredhjeve të jurisprudencës, të cilat në të vërtetë nuk i kupton, nuk është gjë tjetër veçse përçartje për të fshehur një të vërtetë që tashmë është e qartë si drita e diellit: urdhëruesi për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë ka një emër, dhe ai është Edi Rama.

Ky individ është përgjegjës direkt edhe për vjedhjen me termocentralet e Vlorës Tigri 1 dhe Tigri 3, Unazën e Madhe, koncesionet prej qindra milionë eurosh të rrugëve dhe për çdo akuzë tjetër me të cilën po përballet ekzekutuesi, por jo urdhëruesi.

Me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, dhe vënien e tyre para drejtësisë, duke u hequr mundësinë të ndikojnë apo të prishin provat. Kjo duhet t’u hapë rrugën zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta.

Partia Demokratike e akuzon Edi Ramën si njeriun që, me veprimet e tij, po përpiqet të pengojë zbardhjen e të vërtetës për një vepër penale në të cilën është në rolin e organizatorit dhe urdhëruesit.

Partia Demokratike fton qytetarët t’i bashkohen Foltores qytetaro-parlamentare përballë Kryeministrisë ditën e hënë, më datë 24, për t’i thënë ndal korrupsionit, marrjes peng të vendit dhe për dërgimin para drejtësisë të kusarëve që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë.