Ballina Bota ​Rasti i parë te njeriu me gripin e shpendëve H5N5 përfundon me...

​Rasti i parë te njeriu me gripin e shpendëve H5N5 përfundon me vdekje

38
0

Një banor i shtetit të Uashingtonit, i infektuar me gripin e shpendëve H5N5, ka vdekur, njoftoi sot Departamenti amerikan i Shëndetësisë.

Ky është rasti i parë i konfirmuar i këtij varianti të gripit te një njeri në botë.

Viktima ishte një person i moshuar me probleme shëndetësore ekzistuese dhe ishte shtruar në spital në King County që nga fillimi i nëntorit, njoftoi departamenti. Gjithashtu vuri në dukje se personi “kishte një tufë shpezësh të ndryshëm shtëpiakë në oborrin e tij”.

“Testimi në Laboratorin e Virologjisë Klinike të Universitetit të Uashingtonit identifikoi virusin si H5N5, i cili është infeksioni i parë i regjistruar te njeriu me këtë variant në botë. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan rezultatin”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet shëndetësore thonë se rreziku i përgjithshëm mbetet i ulët dhe se asnjë person tjetër i lidhur me rastin nuk ka rezultuar pozitiv për gripin e shpendëve.

Zyrtarët po vazhdojnë të monitorojnë këdo që ka qenë në kontakt të ngushtë me pacientin për të përjashtuar përhapjen e mundshme të virusit nga njeriu te njeriu.