Ballina Politika Deklaratat e Komisioneres Kos/ Zhulali: Vlerësimi për zgjedhjet, i guximshëm në një...

Deklaratat e Komisioneres Kos/ Zhulali: Vlerësimi për zgjedhjet, i guximshëm në një kohë krize politike

28
0

Ekspertja e integrimit, Ilda Zhulali komentoi sot deklaratat e bëra gjatë së premtes nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Zhulali deklaroi se vlerësimi i bërë nga Kos për zgjedhjet e 11 majit është i guximshëm, tëksa sipas saj, vendi gjendet në një kohë krize politike.

“Personi që ka kryesuar delegacionin e Parlamentit Evropian në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet, Michael Gahler, ndër të tjera ka thënë që në Shqipëri ne nuk duhet të mbyllim sytë përpara një problemi shumë të madh që është krimi i organizuar, i cili ka struktura të qëndrueshme dhe nuk është i interesuar që situata në Shqipëri të ndryshojë, për arsye se ata duan të mbrojnë strukturat e tyre atje.

Kjo është një deklaratë shumë e rëndë që shkon edhe më shumë, edhe përtej asaj që ka pranuar OSBE/ODIHR-i që është ndikimi i krimit në zgjedhje. Ai ka kaluar përtej duke thënë që krimi në fakt është i interesuar të mos lejojë rotacionin politik në Shqipëri. Pra e bën bashkëpunëtor të drejtpërdrejtë dhe të ngushtë qeverinë, partinë shtet, siç ka thënë OSBE/ODIHR-i, me krimin e organizuar dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet në Shqipëri.

Prandaj, kundër kësaj deklarate kaq të fortë dhe këtij debati që ka patur pikërisht këto nota kritike ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, nuk mundet që Marta Kos, po një zyrtare e lartë e Bashkimit Evropian, të vijë dhe t’i fshijë këto deklarata si nuk sikur nuk kanë ndodhur dhe të gjithë raportin e OSBE/ODIHR-it, qoftë atë paraprak prej 13 faqesh, qoftë atë përfundimtar prej 46 faqesh, ku nuk e cilësojnë në asnjë rresht dhe në asnjë paragraf që zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.

Jo vetëm kaq, por dhe raporti i progresit, siç e quajmë ne, ose raporti vjetor i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, që është 103 faqe, nuk e ka këtë cilësim. Pra ku e gjeti këtë guxim do ta quaja unë, shumë të madh, zonja Kos, që bën këtë vlerësim për zgjedhjet në Shqipëri, e aq më keq duke përkuar me kohën e një krize shumë të rëndë politike që ka kapluar qeverinë shqiptare pikërisht për korrupsionin galopant të gjendur në qeverinë shqiptare në nivelet më të larta, siç është rasti i zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës, që për ironi të fatit, në raportin vjetor të Bashkimit Evropian, qarku që ajo drejtonte cilësohej si qarku më problematik për abuzimin me pushtetin për të favorizuar zgjedhjet në favor të Partisë Socialiste.

Kështu që këto deklarata, e përsëris, nuk janë vetëm një sfidë ndaj qytetarëve shqiptarë apo opozitës shqiptare, por janë një sfidë ndaj vetë institucioneve evropiane dhe organizatës së OSBE/ODIHR-it.

Kështu që besoj që do ta çojmë në këtë drejtim siç duhet të trajtohet. Pra kjo nuk është për t’u marrë as thjesht me një batutë, as për ta kundërshtuar me një deklaratë. Kjo kërkon një qëndrim të prerë dhe ne duhet ta bëjmë, mendoj unë, shembull këtë rast për të mos u përsëritur në të ardhmen, siç e kemi parë që është përsëritur në të kaluarën.

Pra do të vendosim një kufi, i cili nuk duhet të tejkalohet më nga asnjë zyrtar i lartë në Shqipëri.

Pyetjet që unë kam shtruar për Bashkimin Europian, janë fare të thjeshta dhe kanë të bëjnë me faktet. Pra fakti i parë, pyetja e parë që unë shtroj, është, në cilën prej 46 faqeve të raportit përfundimtar të ODIHR-it, apo 13 faqeve të raportit paraprak të ODIHR-it, gjendet cilësimi që në Shqipëri zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme?

Sepse nuk ekziston ky përkufizim, në asnjë nga këto rreshta. Përkundrazi, siç e thashë, mjafton tre elementë që janë përmendur në këtë raport, që në Shqipëri nuk pati një fushë loje të barabartë.

E para. Zgjedhjet u zhvilluan në kushtet ku sundon partia-shtet, pra nuk ka një ndarje mes partisë dhe shtetit. Dhe elementi i tretë që e bën edhe më skandaloz, që krimi i organizuar ndikoi në zgjedhje, e thotë automatikisht, i rrëzon pra këtë që thotë zonja Kos, se zgjedhjet ishin të lira dhe të barabarta. Kjo është e para. E dyta, unë ngre një pyetje: Si ka mundësi që komisionerja Kos, ngre ose hedh poshtë raportin e OSBE/ODIHR, po dhe raportin e Parlamentit Evropian.

E përsëris, zonja Kos është komisionere që është votëbesuar nga parlamenti evropian. Kështu që nuk ka tagrin që ta hedhë poshtë deklaratën dhe misionin e një institucioni që qëndron mbi të, e para, dhe të mos harrojmë që për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri janë paguar para nga taksapaguesit evropianë, kështu që ato raporte janë bërë me përgjegjësinë maksimale dhe nuk mund të zhbëhen me një deklaratë aty për aty të zonjës Kos. Pra duhet mbajtur përgjegjësi”,-tha Zhulali.