Krimet e vrasësve serialë janë gjithmonë shqetësuese. Por vrasësit serialë adoleshentë dhe të mitur, na njohin me një nivel tjetër tmerri. Është gati e pamundur të imagjinosh dikë që as nuk ka mbaruar shkollën fillore, që të planifikojë dhe kryejë vrasje të tmerrshme.
Në vitin 1968, Meri Bell nga Njukasëll, Angli, ishte vetëm 10 vjeç kur kreu vrasjen e saj të parë duke mbytur 4-vjeçarin Martin Braun, dhe duke lënë disa shënime shqetësuese për familjen e tij. Dy muaj më vonë, ajo vrau dhe gjymtoi 3-vjeçarin Brajan Houi.
Përpara këtyre akteve të tmerrshme, Meri u përpoq të mbyste disa fëmijë të tjerë, dhe shprehu në shënimet e saj dëshirën për të vazhduar vrasjet. Megjithatë, planet e saj makabre u ndërprenë kur u arrestua nga policia.
Pavarësisht se i kreu këto krime në një moshë aq të re, Meri u lirua nga burgu në moshën 23 vjeçare, pasi vuajti një dënim me 12 vjet burg për vrasjet e kryera. Që atëherë, ajo ka jetuar e lirë.
Një fëmijëri e trazuar
E lindur më 26 maj 1957, nga Beti Mekriket, një prostitutë 16-vjeçare, e cila thuhet se shprehte pak dashuri për vajzën e saj që në lindje, jeta e hershme e Merit u shënua nga neglizhenca dhe abuzimi.
Mungesat e shpeshta të Betit në udhëtimet “e punës”, i siguronin asaj një pushim të shkurtër nga keqtrajtimi që Meri përballej në prani të nënës së saj. Dëshmitë e nxjerra gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor, tregonin se në një moment Beti u përpoq t’ia jepte Merin një nëne adoptuese, por pa sukses.
Vogëlushja Meri përfshihej shpesh në aksidente misterioze, duke bërë që disa të spekulonin rreth neglizhencës apo Sindromës së mundshme të Mynshhauzenit falë prokurës që nëna e saj u jepte të tjerëve për t’u kujdesur për të bijën.
Edukimi i trazuar i Merit, dukej se paralajmëroi edhe sjelljen e saj të dhunshme. Në moshën 10 vjeç, ajo shfaqi tendenca tërheqjeje nga shoqërimi me të tjerët, por dhe prirje manipuluese, të cilat ishin në kufijtë e dhunës.
Në javët që i paraprinë vrasjes së saj të parë, Meri nisi të shfaqte sjellje gjithnjë e më të çuditshme. Më 11 maj 1968, ajo po luante me një djalë 3-vjeçar i cili pësoi një rrëzim fatal nga një strehë kundërajrore.
Fillimisht ngjarja u konsideruar si aksident nga prindërit e tij. Të nesërmen, dolën raportime për përpjekjen e Merit për të mbytur 3 vajza të vogla, duke çuar në marrjen e saj në pyetje nga agjentet e policisë, e cila u pasua nga një paralajmërim, por pa ndonjë akuzë.
Më 25 maj, një ditë para ditëlindjes së saj të 11-të, Meri vrau të voglin Martin Braun duke e mbytur në një shtëpi të braktisur në Skotsud në Angli. Më vonë ajo u kthye në vendngjarje me një shoqe, Norma Bell (pa lidhje familjare), teksa panë se dy djem banorë të zonës e kishin zbuluar tashmë trupin e pajetë.
Pas vdekjes së Martinit, Meri u shfaq në shtëpinë e tij, duke kërkuar që ta shihte në arkivol, dhe duke zbuluar edhe të dhënat e saj shqetësuese mbi mënyrën e vdekjes së tij. Po ashtu, ajo dhe Norma vandalizuan një çerdhe, duke lënë shënime ku ajo merrte përgjegjësinë për vdekjen e Martinit, dhe duke kërcënuar me vrasje të tjera
në të ardhmen.
Por ato shënime u konsideruan si një shaka nga policia. Disa ditë më vonë, Meri dhe Norma u kapën jashtë shkollës së tyre, por u liruan pa akuza. Pretendimet e Merit për vrasjen e Martinit u hodhën fillimisht poshtë si një shkak për të tërhequr vëmendjen.
Kjo qasje vazhdoi deri kur një djalë tjetër i vogël, Brian Houi, u gjet i vdekur më 31 korrik 1968. Meri dhe Norma e kishin mbytur dhe gjymtuar trupin e tij. Gjatë gjyqit të saj, veprimet e Meri Bell u përshkruan si të nxitura “vetëm për kënaqësinë dhe emocionin e vrasjes”, duke çuar në dënimin e saj për vrasje të paqëllimshme për shkak të tendencave psikopatike të diagnostikuara.
Ndërkohë Norma Bell, e konsideruar si një pjesëmarrëse e pavetëdijshme në krime, u lirua nga të gjith akuzat. Duke pasur parasysh natyrën e saj të rrezikshme dhe kërcënimin që paraqiste për fëmijët, Meri Bell u dënua fillimisht me një burgim të pacaktuar, të quajtur kështu “sipas dëshirës së Madhërisë së Saj, mbretëreshës Elisabet”, duke reflektuar egërsinë e krimeve të saj.







