Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohej se vinte në qarkullim kartëmonedha euro të falsifikuara.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë: Alesio Brungaj, 19 vjeç, banues në Shkodër, një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë, Serxhio Lala , 26 vjeç, banues në Tiranë, Enis Aliaj, 19 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, A. P., 19 vjeç, banues në Krujë, u shpall në kërkim.
Sipas policisë, S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në një postë në Tiranë, teksa tentonin të tërhiqnin 11 pako me kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa ishin bërë nga A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar aktivitetin dhe për të shpërndarë kartëmonedhat falsifikate.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.







