Ballina Aktualitet Skandali i Qukës-Qafë Pllocë/ 2T e Sakove dhe Rawafed përlanë 75 mln...

Skandali i Qukës-Qafë Pllocë/ 2T e Sakove dhe Rawafed përlanë 75 mln usd për vetëm 9 km rrugë, që u shemb një muaj pas inaugurimit

33
0

Shembja e lotit 3, segmentit më të kushutueshëm të rrugën Qukës-Qafë Pllocë, vetëm një muaj pas inaugurimit, nxjerr në pah një histori të pamëshirshme plaçkitje të parasë publike, në qendër të të cilit qëndrojnë një kompania nga Arabia Saudite dhe kallauzi i saj në Shqipëri. Kjo e fundit është kompania 2 T, që zotërohet nga vëllai i krebashkiakut të sapozgjedhur të Tepelenës, Gramos Sako.

Rawafed Al Torok dhe 2 T përlanë së bashku rreth 75 milionë dollarë për të ndërtuar segmentin 9.5 kilometër të lotit 3. Kjo është një sagë zvarritjesh dhe rritjesh të pandalshme kostosh, e cila çoi në rezultatin e shembjes së rrugës.

Skandali i Qukës-Qafë Pllocë/ 2T e Sakove dhe Rawafed

Loti 3 i rruges

Pronari i 2T, Artan Sako, i cili është në rrjetën e SPAK për disa hetime, thuhet se është zhvendosur në Londër prej disa kohësh. Nuk dihet nëse ky largim ka lidhje me hetimet e SPAK apo është thjesht një zhvendosje rutinë për çështje personale.

Skandali i Qukës-Qafë Pllocë/ 2T e Sakove dhe Rawafed

Artan Sako, pronar i 2T

Por e sigurtë është që qytetarët shqiptarë, pasi paguan 75 milionë dollarë për 9 kilometër rrugë, tani po pësojnë mbi kurriz koston e korrupsionit galopant nga banda e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanitë e afërta me qeverinë.

Saga

Në vitin 2014, Parlamenti miratoi marrëveshje e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për Financimin e Projektit të Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës”.

Rruga Qukës-Qafë Pllocë u tenderua e ndarë në tre loti. Loti 3, i cili përfshinte një gjatësi totale prej 9.5 kilometrash, fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 25 milionë dollarë. Por paratë për këtë lot firuan shpejt dhe tre vjet më vonë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoi dyfishimin e fondit.

“Me shkresën nr.120, datë 22.01.2017, Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit i ka kthyer përgjigje Kordinatorit të Projekteve të Huaja me tabelën financiare duke e vënë në dijeni se shuma e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim arrin vlerën 25 milion USD dhe vlera e kërkuar për përfundimin e projektit është 49,3 milionë dollarë, e konfirmuar edhe nga shkresa me nr.ref A2014-02/2017-75 e Konsulentit,” zbuloi një raport i KLSH-së.

Sipas ARRSH dhe Njësisë së Menaxhimit të Projektit, kjo diferencë vinte si pasojë se projekti nuk ka pasur financim të plotë. Këtu nis një histori kaosi shifrash, që ndryshonin çdo javë.

Fillimisht, ministria e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr. 23447/3 prot., datë 17.06.2020, i kërkoi Fondit Saudit për Zhvillim një kredi në shumën 49 milionë USD për plotësimin e financimit të Lotit 2 në rrugën, Qukës Qafë Pllocë. Por vetëm një javë më vonë ndërroi mendje dhe kërkoi vetëm gjysmën.

Me shkresën nr. 23447/3 prot., datë 25.06.2020, MFE i kërkoi Fondit Saudit për Zhvillim një kredi, por këtë herë në shumën 25 milionë USD për përfundimin e Lotit III.

Por 6 muaj më vonë, kostoja ndryshoi sërish dhe u rikthye tek varianti fillestar. Me shkresën nr. 17876/5 prot., datë 18.12.2020, MFE i kërkon Fondit Saudit për Zhvillim edhe 24 milionë të tjera për financimin e plotë të Projektit (Loti III).

Me miratimin në parlament të kësaj shtese të financimit prej 49 milion USD praktikisht kosto për Lotin 3 u rrit krahasimisht me 48 për qind me kontratën bazë me 48%, një vlerë tepër e lartë krahasimisht me marrëveshjen fillestare nga 50 milion dollarë në 74 milion USD vetëm për Lotin 3.

Shtesa prej 25 milionë dollarësh krahasuar me koston fillestare u kërkua pikërisht me motivacionin e stabilizimit të skarpatave të rrugës. Ironikisht ato skarpata, të cilat u shembën vetëm një muaj pas përurimit të rrugës.

KLSH paralajmëroi shembjen

Ajo që ndodhi sot me shembjen masive të rrugës nuk është një rrufe në qiell të hapur. Rënia e rrugës në lotin 3, ishte paralajmëruar pak muaj më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport auditimi, KLSH konstatonte se projektzbatimi për lotin 3 ka rezultuar me mangësi të theksuara.

“Trupi i rrugës sipas projektit origjinal është dhënë kudo i njëjtë, duke mos llogaritur zgjerimet e nevojshme të rrugës, kryqëzimet, vend parkimet, sistemet e kullimit dhe drenazhet, si dhe përforcimin e trupit të rrugës. Paketa e shtresave rrugore është projektuar uniformë, pavarësisht formacioneve gjeologjike-gjeoteknike, kur rruga është në gërmim apo mbushje,” thuhej në raportin e KLSH.

Sipas raportit, vizatimet e rrugës nuk përputheshin me udhëzimet e raportit gjeoteknik, përsa i takon kategorisë së gërmimeve të shpateve dhe ndërkohë nuk ishte parashikuar ndërtimi i mureve gabione si masë mbrojtëse për parandalimin e rrëshqitjeve.

“Nga verifikimi në terren rezultoi se pjesa më e madhe e materialit shkëmbor i cili del nga gërmimet e skarpatave është i papërdorshëm pasi copëzohet dhe shkriftohet në prezencë të agjentëve atmosferik. Ky fenomen do të krijojë probleme serioze edhe në lartësinë e skarpatave, pasi do të krijohen fenomene të rrëshqitjes së tyre, sidomos për faktin se për këto skarpata nuk është parashikuar asnjë fenomen mbrojtjeje për rrëshqitje të tyre,” paralajmërohej në raportin e KLSH-së./Kapitali