Ballina Aktualitet Nesër betohet anëtari i ri Kushtetueses, i hapet rruga zgjedhjes së kryetarit...

Nesër betohet anëtari i ri Kushtetueses, i hapet rruga zgjedhjes së kryetarit të ri

42
0

Presidenti i Republikës ka thirrur nesër në orën 10 gjyqtarin Asim Vokshi, të betohet si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, merr fund ‘odiseja’ për gjyqtarin që do të zëvendësojë Holta Zacajn, mandati i së cilës ka mbaruar që në muajin prill.

Gjykata e Lartë shpalli fitues Asim Vokshin për zëvendësimin e Zaçajt, por rezultati u kundërshtua nga kandidatja tjetër Naureda Llagami. Ajo pretendoi në Gjykatë Administrative dhe më pas në Gjykatë Kushtetuese, që një votë e shpallur e pavlefshme, i takonte asaj, e rrjedhimisht e bënte atë gjyqtare kushtetuese.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë kërkesë, dhe nuk mbetej më asnjë pengesë për betimin e Asim Vokshit tek presidenti, dhe nisjen e detyrës së tij.

Betimi i tij largon nga Gjykata Kushtetuese Holta Zaçajn, e cila mban edhe detyrën e kryetares së këtij institucioni. Ikja e saj do të bëjë që gjykata të zgjedhë edhe një kryetar të ri, teksa përkohësisht drejtohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.

Një tjetër gjyqtare është në proces largimi. Presidenti i Republikës që në fillim të këtij muaji, ka hapur thirrjen për kandidatë që do të zëvendësojnë Sonila Bejten, thirrje e cila është e hapur deri në 30 nëntor.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që ka një gjyqtar kushtetues mangët.

Elsa Toska u dorëhoq në shtatorin e vitit 2024, por prej asaj kohe, përplasjet institucionale kanë penguar zëvendësimin e saj.

Së fundmi, vetë Gjykata Kushtetuese, vendosi, se vendi i Elsa Toskës, njëjtë si ai i Sonila Bejtes dhe Holta Zacajt mbaronte këtë vit, dhe duhej të plotësohej. Por teksa për Sonila Bejten doli me vendim e shpalli vakancë, duke i hapur rrugë Presidentit të thërrasë kandidatë të rinj, Kushtetuesja nuk e shpalli vakancën për Elsa Toskën, gjë që do të lejonte Kuvendin, si institucion emërtese, për ta zëvendësuar.

Skema e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese me 3 anëtarë çdo tre vjet, u bë mollë sherri gjatë këtij viti mes politikës dhe vetë institucioneve.