Depot e spitaleve publikë në Shqipëri mbajnë medikamente të skaduara — një fakt i rëndë që nuk shpallet hapur, por shkruhet mes rreshtave në raportin zyrtar të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Megjithatë, pothuajse asnjë media nuk e ka bërë publik këtë skandal, duke lënë të kuptohet se pas kësaj heshtjeje fshihen interesa të mëdha.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024 janë vendosur 4 gjoba, 2 vendime të ndërmjetëm për marrje mase urgjente dhe 1 paralajmërim për shkelje serioze në depot farmaceutike të disa spitaleve. Mangësitë lidhen me mosplotësimin e standardeve infrastrukturore dhe me mospërmbushjen e rregullores për menaxhimin e barnave të skaduara. Problemet janë identifikuar në një spital publik, si edhe në spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës dhe Fierit, që janë gjobitur. Spitalet e Durrësit dhe Shkodrës kanë marrë urdhër për masa urgjente, ndërsa ai i Gjirokastrës është paralajmëruar.
Por barnat e skaduara janë vetëm maja e ajsbergut. Raporti evidenton probleme të thella në Shërbimin e Urgjencës: zonat e klasifikimit sipas kodeve nuk funksionojnë siç duhet, standardet infrastrukturore janë të paplota dhe ambientet e recepsionit e të Triazhimit plotësojnë vetëm pjesërisht kërkesat higjieno-sanitare. Edhe pavijonet e spitaleve arrijnë të plotësojnë vetëm pjesërisht standardet bazë — ndërsa dhomat e pacientëve nuk respektojnë sipërfaqen minimale për shtrat, në kundërshtim me kriteret ligjore.
Një raport që flet qartë — por që askush nuk e thotë me zë. Dhe ndërkohë, pacientët hyjnë çdo ditë në spitale me standarde të ulëta, barna të skaduara në depo dhe problematika që duhen trajtuar me urgjencë, jo heshtur në sirtarë.








