Një studim i ri i publikuar në revistën Music and Medicine sugjeron se pacientët që dëgjojnë muzikë gjatë anestezisë së përgjithshme kanë nevojë për më pak ilaçe dhe zgjohen më shpejt pas operacionit. Kërkimi u zhvillua në Maulana Azad Medical College dhe spitalin Lok Nayak në Delhi, me pacientë që iu nënshtruan heqjes së fshikëzës së tëmthit me laparoskopi.
Gjatë ndërhyrjes, pacientët ishin të pavetëdijshëm, por rruga dëgjimore e trurit mbetej aktive. Ata që dëgjuan flute ose piano kërkuan më pak propofol dhe fentanyl, patën tension më të qëndrueshëm dhe u rikuperuan më shpejt. Studiuesit theksojnë se stresi i trupit gjatë intubimit dhe operacionit mbetet i lartë, edhe kur pacienti nuk ka kujtesë të procedurës, ndaj çdo mënyrë për ta ulur këtë reagim është e vlefshme.
Mjekët thonë se edhe pse muzika nuk mbahet mend pas zgjimit, truri e “regjistron” atë dhe ajo ndihmon në qetësimin e reagimeve të brendshme. Studimi, i cili përfshiu 56 pacientë, përforcon idenë se ndërhyrjet jofarmakologjike mund të përmirësojnë ndjeshëm përvojën kirurgjikale.
Stafi kërkimor po përgatit fazën e radhës së studimit për të eksploruar rolin e muzikës edhe në sedacion. Por një gjë tashmë është e qartë: edhe kur trupi është i palëvizur dhe mendja në gjumë të thellë, disa tinguj të butë mund ta ndihmojnë shërimin të nisë më shpejt.







