Ballina Aktualitet Përfundon sot mandatin në GJK, Zaçaj: Dhashë kontribut sa i takon mandateve...

Përfundon sot mandatin në GJK, Zaçaj: Dhashë kontribut sa i takon mandateve të anëtarëve përtej kahjes personale

5
0

Në prag të përfundimit të mandatit të saj si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka dhënë një deklaratë për mediat. Ajo ka ndarë me publikun disa reflektime mbi punën dhe arritjet e Gjykatës Kushtetuese gjatë tre viteve që ajo ushtroi funksionin kushtetues. Sipas saj, viti 2025 u mbyll me një prej sfidave më të rëndësishme për institucionin që është kohëzgjatja e mandateve të gjyqtarëve kushtetues.

“Sa kohë mandati i gjyqtarit kushtetues është i lidhur ngushtë me pavarësinë e vetë atij sikundër edhe të kësaj Gjykate, paqartësitë në këtë drejtim ndikojnë në funksionimin sistemik të institucionit, por edhe në aspektin personal të gjyqtarëve. Në këtë drejtim mendoj se dhashë një kontribut që shkon përtej kahjes personale, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm”, u shpreh ajo.

Zaçaj theksoi se gjatë periudhës 2023-2025 Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë.

“Të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës. Trupa e gjyqtarëve ka punuar me përkushtim, duke përballuar një numër rekord çështjesh, të cilat në tre vitet e fundit janë shtuar me 35-40%, duke arritur edhe deri në rreth 400 çështje të shqyrtuara në vit, nga të cilat një numër i konsiderueshëm, 85-90 çështje, janë mbyllur me vendime përfundimtare. Gjykata ka vazhduar të shqyrtojë çështjet e kaluara në seancë plenare brenda një periudhe 8-mujore dhe çështjet e tjera brenda afatit ligjor 3-mujor, duke vazhduar të mos ketë çështje të prapambetura”, deklaroi ajo.

Zaçaj theksoi se gjatë tre viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka forcuar rolin dhe profilin e saj, duke shënuar arritje të rëndësishme ndërkombëtare. Ajo shtoi se janë ndërmarrë nisma institucionale për të rritur transparencën dhe aksesin, përfshirë publikimin e Udhërrëfyesve të Jurisprudencës, buletineve dymujore dhe doracakut edukativ për fëmijë “Kushtetuta ime”.

Sipas saj komunikimi me publikun është forcuar përmes konferencave për shtyp, raporteve vjetore, transmetimeve live dhe publikimit të informacionit në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale.

Zaçaj përfundoi duke u shprehur se Gjykata ka modernizuar strukturën e saj me një faqe zyrtare të re dhe sistem elektronik për menaxhimin e çështjeve dhe se këto përpjekje kanë vendosur Gjykatën në një nivel më të lartë transparence, aksesueshmërie dhe digjitalizimi.

Deklarata e Zaçajt vjen vetëm pak para se Asim Vokshi të bëjë betimin në Presidencë si anëtari i ri i kësaj gjykate, duke zëvendësuar në këtë mënyrë Zaçajn. Ajo ka mbajtur njëkohësisht edhe detyrën e kësaj gjykate, teksa me ikjen e saj gjykata do duhet të zgjedhë edhe një kryetar të ri.

Gjykata e Lartë shpalli fitues Asim Vokshin për zëvendësimin e Zaçajt, por rezultati u kundërshtua nga kandidatja tjetër Naureda Llagami. Ajo pretendoi në Gjykatë Administrative dhe më pas në Kushtetuese, që një votë e shpallur e pavlefshme, i takonte asaj, e rrjedhimisht e bënte atë gjyqtare kushtetuese.

Por Kushtetuesja ia rrëzoi kërkesën dhe pas kësaj, presidenca caktoi datën e betimit të Vokshit.