Ballina Aktualitet Akuzohet se ndërtoi urë për familjarët përmes tenderit të hapur, GJKKO pranon...

Akuzohet se ndërtoi urë për familjarët përmes tenderit të hapur, GJKKO pranon kërkesën e SPAK, nis gjykimin për kryetaren në detyrë të Bashkisë Tropojë dhe ndërtuesin

26
0

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për nisjes e gjykimit për Kryetaren në detyrë të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, me akuzën për korrupsion dhe për ndërtuesin Rrok Gega.

Sipas njoftimit zyrtar rezulton se Zyra Islamaj, aktualisht në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj.

Po ashtu ajo planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin. Sipas SPAK, edhe ndërtuesi, nga ana e tij, ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë.

NJOFTIMI I SPAK
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga
neni 259/2 i Kodit Penal”.

2. Në seancën e datës 25.11.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika
1, gërma “a”, 332/ë, 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 149, datë 25.11.2025, vendosi:
I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:
1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.
III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).
IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.
Tiranë, më datë 26.11.2025