Ballina Opinion SONDAZHI: 20.1% nën ndikimin e alkoolit/drogës, 16.7% pa rripin e sigurisë

SONDAZHI: 20.1% nën ndikimin e alkoolit/drogës, 16.7% pa rripin e sigurisë

28
0

Nga Eduard Zaloshnja

Në kuadrin e një studimi të Qendrës Agenda, zhvillova një sondazh elektronik me banorë 18 vjeç e sipër në qytetet e fshatrat e Shqipërisë rreth përdorimit të alkolit/drogave dhe rripit të sigurisë në udhëtimet me automjete.

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në gjithë vendin. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga 1103 të anketuar. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, dhe arsimore. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor rezultoi +/- 3%.

Bazuar në vetdeklarimin e të anketuarve, rezultoi se 20.1% e të anketuarve kanë udhëtuar gjatë muajit të fundit në automjete të drejtuara nën ndikimin e alkolit/drogës (shihni grafikun e mëposhtëm).

SONDAZHI: 20.1% nën ndikimin e alkoolit/drogës, 16.7% pa rripin e

SHËNIM: Nuk janë përfshirë të anketuarit që nuk kishin udhëtuar me automjet gjatë muajit të fundit

Bazuar në vetdeklarimin e të anketuarve, rezultoi se 16.7% e drejtuesve të automjeteve apo pasagjerëve të tyre në vendet e para e kanë përdorur rripin rrallë herë ose asnjëherë kur kanë udhëtuar gjatë muajit të fundit (shihni tabelën e mëposhtme).

SONDAZHI: 20.1% nën ndikimin e alkoolit/drogës, 16.7% pa rripin e

SHËNIM: Nuk janë përfshirë të anketuarit që nuk kishin udhëtuar me automjet gjatë muajit të fundit

Për krahasim:

Sondazhi i ngjashëm (por jo identik) NSDUH (National Survey on Drug Use and Health) tregon se në SHBA, 7.2% e të anketuarve vetdeklarojnë se e kanë drejtuar vjet automjetin nën influencën e alkolit, 4.5% nën ndikimin e marijuanës, dhe 0.9% nën ndikimin e drogave të tjera – në total 12.6% (kjo shifër nuk përfshin edhe deklarimet e pasagjerëve për shoferët e tyre).

Sipas CDC (Centers for Disease Control and Prevention), gjatë dekadës së fundit në SHBA, kanë vdekur mesatarisht çdo vit 11000 amerikanë në aksidente rrugore ku alkoli/droga ishte faktor. Ndryshe, në 26.3% të vdekjeve rrugore alkoli/droga ka qenë faktor.

Sipas sondazhit NOPUS (National Occupant Protection Use Survey), rezultoi se vjet në SHBA, 8.9% e drejtuesve të automjeteve apo pasagjerëve të tyre në vendet e para e kanë përdorur rripin rrallë herë ose asnjëherë në udhëtimet e kryera.

Sipas CDC, rreth 15 mijë jetë shpëtohen mesatarisht në vit në SHBA nga përdorimi i rripit të sigurisë.