Komisioni i posaçëm i ngritur nga SPAK ka propozuar zyrtarisht Joni Ketën për postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një nga institucionet kyçe të sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit në vend.
Kush është hetuesi që SPAK i beson për drejtimin e BKH-së?!
Komisioni i përbërë nga prokurorët e SPAK ka vlerësuar performancën profesionale, eksperiencën dhe integritetin e Ketës, duke i dhënë atij vlerësimin më të lartë mes kandidatëve të paraqitur në garë.
Aktualisht, Joni Keta mban detyrën e zëvendësdrejtorit të BKH-së, si edhe ka shërbyer për disa muaj si drejtues i komanduar i institucionit. Përvoja e tij në hetime të specializuara dhe kontributi në strukturën e BKH-së janë ndër elementet që kanë ndikuar në propozimin e tij të sotëm.
Dosja e tij tashmë i është dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), i cili pritet të marrë vendimin përfundimtar mbi emërimin më datë 2 dhjetor. Nëse miratohet, Joni Keta do të marrë drejtimin e BKH-së për një mandat 5-vjeçar, në përputhje me ligjin për SPAK dhe BKH.
Emërimi i ri vjen në një moment kur institucionet e drejtësisë po kërkojnë të forcojnë kapacitetet hetimore, sidomos në fushat që lidhen me korrupsionin e niveleve të larta, krimin ekonomik dhe investigimet komplekse.







