Mjegulla toksike që mbështjell kryeqytetin indian, Delhi, nuk kursen askënd, por fëmijët e tij po përballen me koston më të madhe të problemit të ndotjes që po përkeqësohet dhe rikthehet në jetë të qytetit.
Askund nuk është kjo më e dukshme sesa në klinikat e pediatërve. BBC vizitoi një strukturë të tillë në Noida, pranë Delhit.
Në një sallë pritjeje të mbushur plot jashtë dhomës së konsultave të mjekut, prindër të shqetësuar qëndronin në radhë me fëmijët që teshtinin, kollisnin ose ankoheshin për vështirësi në frymëmarrje.
Shumica filluan të sëmuren në tetor, kur cilësia e ajrit në kryeqytet ra në nivele të rrezikshme dhe koha e pritjes për takimin me mjekun ishte zgjatur më shumë se zakonisht.
Ajri toksik është një problem i përsëritur në Delhi dhe në të gjithë pjesët e Indisë veriore gjatë dimrit.
Nuk ka një shkak të vetëm pas problemit, por një përzierje faktorësh si shpejtësia e ulët e erës, emetimet industriale, shkarkimet e automjeteve, rënia e temperaturave dhe djegia sezonale e kashtës së të korrave në shtetet fqinje.
Që nga muaji i kaluar, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) i Delhit – i cili mat lloje të ndryshme ndotësish, duke përfshirë nivelin e grimcave të imëta PM2.5 që mund të bllokojnë mushkëritë – ka qenë duke luhatur midis 300 dhe 400. Kjo është më shumë se 20 herë më e lartë se limiti i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Vlerat mbi 400 prekin të gjithë njerëzit e shëndetshëm dhe ndikojnë seriozisht tek ata me sëmundje ekzistuese, por ekspozimi i lartë ndaj PM2.5 i godet më rëndë fëmijët dhe të moshuarit.
Në të gjithë kryeqytetin, shumë spitale kanë parë një fluks fëmijësh të sëmurë për shkak të ajrit të pakëndshëm.
“Këto grimca mund të ndikojnë në imunitetin e fëmijës, veçanërisht sepse sistemi i tyre është ende në zhvillim dhe qelizat po mësojnë një përgjigje imune në vitet e para”, tha për BBC-në Dr. Shishir Bhatnagar, pediatri në klinikën Noida.
“Këto raste janë dhjetëfishuar vitet e fundit. Nga përvoja ime, nëse normalisht shoh mesatarisht 20-30% të pacientëve me ankesa të tilla, ky numër rritet në 50-70% gjatë sezonit të ndotjes.”
Çdo vit, qeveria ndërmerr masa emergjente – duke ndaluar ndërtimet, duke ndaluar automjetet ndotëse – për të frenuar smogun. Këtë vit, ajo madje u përpoq të përhapte retë për të shkaktuar shi artificial, por pa sukses.
Por asnjëra prej tyre nuk ka ndihmuar në lehtësimin e krizës së ndotjes që shkakton ankth midis 20 milionë banorëve të qytetit – veçanërisht midis prindërve të fëmijëve të vegjël.
Khushboo Bharti, 31 vjeç, thotë se dridhet sa herë që kujton natën e 13 nëntorit, kur iu desh ta çonte me urgjencë vajzën njëvjeçare, Samaira në spital.
“Më kujtohet që zgjohej me një kollë të fortë që e bënte të vjellte disa herë”, tha ajo teks atregon se provoi kurat e zakonshme shtëpiake, por asgjë nuk funksionoi. Përfundimisht, e çoi foshnjën në spital në mes të natës.
“Gjatë rrugës për atje, Samaira nuk reagoi ndaj askujt dhe asgjëje. Ishte shumë ndryshe, ajo është një fëmijë i gëzuar. Ajo as nuk donte ta ngrinte kokën. Ishte momenti më i keq i jetës sime.”
Në spital, vogëlushja u trajtua me nebulizator me steroide të forta dhe qëndroi në mbështetje me oksigjen për dy ditë. Më vonë ajo u diagnostikua me pneumoni.
Që atëherë, znj. Bharti është vazhdimisht në ankth.
“Edhe nëse ajo kollitet vetëm disa herë, unë panikohem.”
Samaira tani është shëruar, por prindër të tjerë kanë frikë se ajri vdekjeprurës mund të ketë shkaktuar dëme të pakthyeshme në shëndetin e fëmijëve të tyre.
“Mjekët më thanë se mund të duhet të përdorë inhalatorë për ca kohë”, tha një tjetër për BBC.
Hulumtimet gjatë viteve kanë nxjerrë në pah ndikimin shkatërrues që ndotja e ajrit po ka tek fëmijët e vegjël në të gjithë botën – duke çuar në zhvillim të ngadaltë , imunitet më të dobët dhe aftësi më të ulët njohëse.
Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti i Kembrixhit, që përfshin të dhëna nga pothuajse 30 milionë njerëz, ka zbuluar gjithashtu se ekspozimi ndaj ndotësve të caktuar shoqërohet me një rrezik më të lartë të zhvillimit të llojeve të ndryshme të demencës, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit.
Këto rreziqe në rritje i kanë bërë shumë prindër të marrin në konsideratë largimin nga Delhi.
“Çfarë kuptimi ka të jetosh në një qytet ku vajza ime nuk mund të marrë frymë e sigurt?” pyet ajo. “Biznesi i burrit tim është në Delhi, kështu që nuk mund të lëmë gjithçka dhe të ikim. Por sapo të kemi mundësi, do të shpërngulemi.”







