Ballina Sport FIFA njofton shitje rekord të biletave para shortit të grupeve

FIFA njofton shitje rekord të biletave para shortit të grupeve

31
0

Edhe pse ndarja e Kupës së Botës 2026 është ende më shumë se gjashtë muaj larg, atmosfera futbollistike po ndizet gjithnjë e më shumë.

Turneu, i cili do të zhvillohet në Meksikë, Kanada dhe SHBA, është shpallur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si “Kupa e Botës më e madhe ndonjëherë” dhe shifrat e para e konfirmojnë këtë.

Sipas raportimeve të “Kicker”, FIFA ka bërë të ditur se afro dy milionë bileta janë shitur tashmë, megjithëse tifozët ende nuk e dinë se cilën ndeshje do të shohin. Shorti zyrtar i fazës së grupeve do të hidhet më 5 dhjetor në Uashington, duke përcaktuar kundërshtarët dhe kalendarin e turneut.

Vetëm pas publikimit të orarit, një ditë më vonë, do të hapet edhe periudha e shitjes së biletave individuale për ndeshje specifike dhe për ekipe të zgjedhura në fazën e grupeve. Megjithatë, pritja për shortin nuk i ka penguar tifozët të sigurojnë bileta paraprakisht.

FIFA njofton se qytetarë nga 212 vende dhe territore kanë blerë bileta deri tani. Përveç tre vendeve pritëse, interes të madh kanë treguar edhe tifozët nga Anglia, Gjermania, Brazili, Kolumbia, Spanja, Argjentina dhe Franca.

Presidenti Infantino përgëzoi të gjithë ata që tashmë kanë siguruar vendin e tyre në Botëror: “Urime të gjithëve që kanë marrë bileta. Të tjerët do të kenë një mundësi të re duke filluar nga 11 dhjetori, pak ditë pas shortit në Uashington.”

Nga 11 dhjetori deri më 13 janar 2026, të interesuarit do të mund të regjistrohen në faqen zyrtare të FIFA-s për fazën e tretë të shitjes, e cila pritet të sjellë sërish kërkesë të lartë dhe konkurrencë intensive.

Botërori 2026 nuk ka nisur ende, por entuziazmi në tribuna duket se ka shpërthyer shumë përpara vërshëllimës së parë.