Ballina Opinion Kodifikimi i korrupsionit dhe kultura shtetërore e vjedhjes si rrotat e Kalit...

Kodifikimi i korrupsionit dhe kultura shtetërore e vjedhjes si rrotat e Kalit të Trojës

29
0

Nga Endrit Reka

Korrupsioni si industri e rëndë

Në Shqipëri ka kohë që ka ndodhur një transformim i heshtur, por i rrezikshëm: fjala ‘korrupsion’ është zhveshur nga kuptimi i saj, se si ndodh dhe kush e bën. Sot përdoret aq shpesh sa është kthyer në metaforë sikur të flisnim për fenomene meterologjike, që ‘vetëm ndodh’, ashtu si shiu apo mjegulla. Por korrupsioni nuk bie nga qielli – është vjedhje e organizuar dhe ka autorë me emër, mbiemër, firmë dhe funksion të shtrirë në kohë e në vend.

Sipas raportimeve të KLSH, dëmi i shkaktuar gjatë 10 viteve të fundit nga kjo qeveri, është mbi 8 miliardë euro. Ndërkohë që fatura e papaguar nga shteti shqiptar në çështjet e humbura në arbitrazhin ndërkombëtar është mbi 200 milionë euro. Kush e shkaktoi dëmin? Si u morën vendimet e ‘gabuara’ që çuan në humbje të çështjeve gjyqësore? Por kjo është vetëm një anë e medaljes.

Ajo që po e shkatërron shtetin është krijimi i kulturës së vjedhjes përmes procedurës: mjeshtëria për të qepur VKM-ra për interesa të posaçme, shpejtësia marrja e vendimeve në kohë rekord, ‘fap e fap’,  bukurshkrimi në hartimin e rregulloreve për të krijuar mundësi shfrytëzimi, formulimi i udhëzimeve që heqin përgjegjësinë, porositja e studimeve të fizibilitetit për të legjitimuar shkeljet, etj. Dhe tek kjo kulturë e magjishme është e përfshirë një administratë e tërë shtetërore e cila, për t’i shtuar plagës edhe ofendimin, si kudo paguhet me taksat e popullit. Administrata aktuale është kthyer në një makineri që ka vetëm një objektiv – t’i bëjë abuzimet të duken të ligjshme.
Kjo na çon te thelbi: në Shqipëri nuk po përballemi me korrupsion të rastësishëm. Po përballemi me kapjen e shtetit përmes dokumenteve ligjore ku rregullat dhe ligjet shikohen si pengesa që duhen kapërcyer për të realizuar vjedhjen e radhës. Jemi në fazën ku gjenialiteti ligjor i administratës po përdoret për të fshehur të paligjshmen, jo për ta ndaluar atë.

Paraliza institucionale

Por problemi nuk mbaron këtu. Do të ishte abuzim dhe gënjeshtër nëse themi që e gjithë administrata është e përfshirë. Por kjo ka krijuar një klasë tjetër punonjësish të cilët janë e kundërta e atyre të devotshmëve, energjikë dhe të përkushtuar për të vjedhur. Kemi klasën e të paralizuarve.

Aktualisht ka punonjës, drejtorë dhe juristë të cilët refuzojnë të nënshkruajnë, jo për arsye profesionalizmi, por nga frika se mos e përdor dikush firmën e tyre për të ‘rregulluar’ realizuar vjedhjen e radhës. Ky është një fenomen i ri: mpirja ose më mirë paraliza institucionale. Dhe kjo gjë është po aq shkatërrimtare sa korrupsioni vetë. Por për të ruajtur vendin e punës dhe pozicionin që i është besuar, bëjnë sikur punojnë dhe nuk bëjnë asnjë gjë – në vend numëro. Dhe në fund të ditës, shteti ngec, investitorët largohen, administrata terrorizohet nga vetë procedura. Në këtë klimë, çdo nismë legjitime dhe e ligjshme zvarritet, çdo projekt bllokohet, çdo reformë pret një firmë që askush nuk guxon ta vërë. E keni vënë re se sa shpesh ndryshohen ministrat dhe zëvendësministrat në këto dy qeveritë e fundit? Aq shpesh saqë edhe emrat nuk ia dimë më. Dhe rezultati: vendi është në kaos, asnjë gjë nuk funksionon dhe shteti është kthyer në një makineri të rëndë e cila punon kundër qytetarëve të tij.

Pieter Bruegel i Vjetër, Triumfi i Vdekjes (1562) Kjo pikturë pasqyron logjikën e korrupsionit sistemik: kur institucionet dështojnë, mekanizmat që duhet të mbrojnë qytetarët kthehen në instrumente shkatërrimi. Korrupsioni nuk është thyerje rregulli — është spiralja e vdekjes së një civilizimi.

Kali i Trojës 

Pasojat Gjeopolitike – Konferenca e Ambasadorëve (II)

Korrupsioni është arma më e favorshme për çdo aktor dashakeq ndaj Shqipërisë, sepse pikërisht ky tip korrupsioni – i kodifikuar, i qëllimshëm, i kopsitur me letra – krijon terrenin ideal për shantazh të drejtpërdrejtë ndaj vendimmarrësve. Çdo vendim i deformuar, çdo VKM e qepur, çdo tender i manipuluar është lehtësisht i transformueshëm në një dosje. Dhe çdo dosje shndërrohet në mjet presioni ndaj zyrtarëve, duke i bërë institucionet të kapshme, të shantazhueshme dhe të varura nga ata që kanë akses në materiale komprometuese.

Kjo situatë bëhet më e rrezikshme kur shteti shqiptar duhet të përballet me një mos-marrëveshje ndërkombëtare. Kur administrata është e korruptuar ose e frikësuar, aktorët e jashtëm gjejnë dyert e hapura, jo vetëm për ndikim politik, por edhe për projekte, investime, tendera dhe politikat e sigurisë të cilat mund të sjellin edhe cenim të sovranitetit.
Nuk është i çuditshëm fakti se si pikërisht tani, në ditët e saj më të këqija në historinë e kësaj qeverie, u lajmërua edhe takimi mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë në datën 16 Dhjetor 2025, për partneritetin strategjik dhe marrëveshjet e rëndësishme mes dy vendeve. Ky takim është i një rëndësie të veçantë për marrëdhëniet fqinjësore të dy popujve, por koha e zgjedhur, është ajo më e papërshtatshmja për interesat tona. Në Nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris vulosi kufijtë e vitit 1913, duke lënë jashtë territore të mëdha shqiptare për shkak të dobësisë së shtetit shqiptar të asaj kohe dhe presionit ndërkombëtar. Sot, rrezikojmë një déjà vu: një shtet i korruptuar, i dobësuar dhe pa besueshmëri po futet në një marrëveshje të ndjeshme, ku mund të vendosen kushte për integrimin , njëjtë siç u vendosën kushte në 1913 që Shqipëria të lëshonte territore që të njihej ndërkombëtarisht. Dhe gjithmonë në marrëveshjet dypalëshe territoriale, humbet ai shtet i cili udhëhiqen nga një qeveri e korruptuar – dobësi fatale e cila nuk lihet pa u shfrytëzuar nga pala tjetër.

Në të tilla raste kur korrupsioni është tejet i madh dhe shumë dimensional,  manipulimi, shantazhi apo shpëtimi politik i një figure të korruptuar nuk është më pasojë e korrupsionit – ai kthehet në objektiv të tij.

Korrupsioni i ka bërë drejtuesit e kësaj qeverie më të brishtë, më të kapshëm dhe të cënueshme, pikërisht në momentin kur rajoni po futet në faza të reja tensioni gjeopolitik dhe pikërisht kur priten të merren vendime të rëndësishme me pasoja shekullore, siç është marrëveshja për detin. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është problem vetëm i brendshëm; është dobësi strategjike e ekspozuar edhe nga jashtë. Është mjeti me rendimentin më të lartë i cili funksionon kundër interesave të kombit shqiptar.
Korrupsioni është vjedhje me qëllim – është kapje e shtetit dhe si pasojë, sjell dobësim të  qëllimshëm të institucioneve. Është mjeti më i favorshëm për këdo që dëshiron të shantazhojë, të ndërhyjë, të ngadalësojë dhe të deformojë rrugën e Shqipërisë drejt sigurisë dhe zhvillimit.

Për sa kohë që flasim për abstraksionin e jo për autorët; për korrupsionin e jo për vjedhjen; për fenomene meteorologjike e jo për përgjegjësinë; për hajdutë xhepash e jo për strategji anti-kombëtare – ky vend i ngecur midis dy skenarëve, (administratë që firmos për të vjedhur ose administratë që nuk firmos nga frika), do të jetë gjithmonë në pritje për t’u ‘shpëtuar’ nga faktorë të jashtëm, të cilët janë gjithmonë të ‘gatshëm’.
Kjo gjendje i shërben çdokujt, përveç shqiptarëve dhe real partneres të tyre.