Kryeqyteti po përgatitet për festat e 28–29 Nëntorit dhe ato të fundvitit, ndërsa Bashkia e Tiranës ka hartuar një kalendar të pasur me aktivitete kulturore dhe artistike për të gjitha grup-moshat dhe gjinitë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, Iva Beharaj, tha se aktivitetet do të realizohen në bashkëpunim me individë, shoqata artistike dhe institucione të ndryshme. Sipas saj, dekori festiv i këtij viti do të ketë si temë “Liza në Botën e Çudirave”, duke sjellë në Tiranë një atmosferë të frymëzuar nga fantazia, imagjinata dhe bota e fëmijërisë.
Dekorimet festive do të shtrihen në disa nga hapësirat më të frekuentuara të kryeqytetit, përfshirë Sheshi Skënderbej, si edhe zona të tjera qendrore. Sipas Beharajt, të gjitha dritat dhe instalacionet janë dizajnuar posaçërisht për të gjallëruar qytetin gjatë kësaj periudhe.
Ajo theksoi se krijimi i një atmosfere festive rrit bashkëpunimin komunitar, gjallëron ekonominë lokale, nxit turizmin dhe promovon imazhin e Tiranës si një qytet modern dhe mikpritës.
Sa i përket masave të sigurisë, Beharaj bëri të ditur se strukturat përkatëse, përfshirë Policia e Shtetit dhe shërbimet bashkiake, do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë periudhës festive.
Aktivitetet për Festat e Nëntorit do të nisin më 28 Nëntor, në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit, ndërsa gjatë ditës do të zhvillohen veprimtari kulturore dhe artistike në disa prej hapësirave publike të qytetit.
Më 29 Nëntor, Nata e Bardhë do të shoqërohet me hyrje falas në aktivitetet e qytetit. Pjesë qendrore e mbrëmjes do të jetë koncerti në sheshin qendror, i cili do të nisë në orën 19:00 dhe do të vijojë deri në mesnatë, me pjesëmarrjen e artistëve Era Istrefi, Majk, Lumi B, Soni Malaj dhe Kida, disa prej këngëtarëve më në zë.
Programi festiv përfshin gjithashtu përfshirjen e rinisë dhe institucioneve arsimore përmes koreve të fëmijëve, performancave artistike dhe projekteve kreative me tematika patriotike.
Beharaj konfirmoi se ndezja e dritave të pemës së Krishtlindjes do të realizohet më 6 dhjetor, në orën 18:00, me performancën e korit të fëmijëve. Ndërsa ndërrimi i viteve do të shënohet me koncertin tradicional dhe spektaklin e fishekzjarrëve në mesnatë.
“Qyteti do të ofrojë instalacione ndërvepruese, aktivitete për fëmijë dhe elementë dekorativë të frymëzuar nga tema e këtij viti, duke krijuar një atmosferë festive për të gjithë qytetarët”, përfundoi Beharaj.







