Tregu i sigurimeve njohu rritje të konsiderueshme gjatë periudhës janar-tetor.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën 22,397 milionë lekë, një rritje prej 10,53% krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo rritje pasqyron një zgjerim të tregut dhe një rritje të kërkesës për produkte sigurimesh. Gjatë këtij periudhe, numri i kontratave të lidhura është rritur me 5,12%, duke arritur në 1,384,414 kontrata.
Sigurimet e Jo-Jetës mbeten dominueset në treg, duke përfaqësuar 91,65% të totalit të primeve të shkruara, ndërsa sigurimet e Jetës përbëjnë vetëm 8,32%.
Ky raport tregon se tregu i sigurimeve në Shqipëri është ende i orientuar kryesisht drejt produkteve që ofrojnë mbrojtje për pasuritë dhe aksidentet, sesa për sigurimet afatgjata të jetës.
Në segmentin e sigurimeve motorike, sigurimi i detyrueshëm motorik (MTPL) njohu rritje të fortë prej 13,97%, duke pasuar një rritje të numrit të kontratave me 7,47%. Ndërsa sigurimi kufitar pësoi rënie të lehtë prej 1,47%.
Sigurimet vullnetare patën gjithashtu një rritje prej 6,79% në primet e shkruara, duke arritur 8,493 milionë lekë.
Sigurimi i pronës dhe përgjegjësisë ka kontribuar ndjeshëm në këtë rritje, veçanërisht sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, që pati rritje prej 4,53%. Nga ana tjetër, sigurimet e Jetës shënuan një rritje të dukshme prej 13,87%.







