Aulon Kalaja i cili është një nga personat që ishte pjesë e takimit “sekret” me Ervin Salianjin, Ilir Alimehmetin dhe eksponentë të tjerë të PD, ka zbuluar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin se cili ishte qëllimi i kësaj “mbledhjeje”.
Nëse kemi të bëjmë me një kryengritje në PD ndaj Berishës, Aulon Kalaja theksoi se takimi ishte i thjeshtë midis demokratëve që kanë marrë disa vota nga lista e hapur.
Aulon Kalaja u shpreh se ftesën për të marrë pjesë në këtë takim e ka marrë nga Ervin Salianji, ndërsa theksoi se s’kemi të bëjmë me asnjë lëvizje apo fraksion të ri brenda PD-së.
Ish-kandidati Aulon Kalaja u shpreh se ishte kafe miqësore ndërsa shtoi se kritikat ndaj Partisë Demokratike i ka bërë gjithmonë publikisht.
“Ishim njerëzit që kemi marrë më shumë vota nga lista e hapur. Nuk jam pjesë e asnjë lëvizje të re, asnjë fraksioni të ri. Ishte kafe miqësore. Nuk u prodhua asnjë lajm, deklaratë apo foto.
U fol për çështje që shqetësojnë PD-në. Unë kam pasur kritika për PD-në dhe i kam bërë publikisht. Mu kërkua të marr pjesë në këtë takim.
Ftesat i ka bërë Ervin Salianji. Unë kam marrë pjesë në takim dhe do marr pjesë në çdo takim tjetër që është në të mirë të PD dhe në ringritjen e PD“-tha Kalaja.







