Ballina Bota U plagos në sulmin në Uashington, vdes anëtarja 20-vjeçare e Gardës Kombëtare....

U plagos në sulmin në Uashington, vdes anëtarja 20-vjeçare e Gardës Kombëtare. Paralajmërimi i Trump

27
0

Sarah Beckstrom, 20 vjeç, një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare të plagosur të mërkurën e kaluar në Uashington gjatë një sulmi të armatosur që i atribuohet një të dyshuari afgan, ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Lajmin e bëri të ditur të enjten Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. “Beckstrom, nga Virxhinia Perëndimore… ishte e re, e respektuar dhe madhështore. Ajo nisi shërbimin në qershor 2023 dhe shkëlqente në çdo aspekt. Ajo sapo na la,” deklaroi Trump në një fjalim televiziv nga Florida. Ai shtoi se ushtari tjetër i plagosur “po lufton për jetën”, duke theksuar se është në gjendje shumë të rëndë. Beckstrom iu bashkua Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore më 26 qershor 2023.

Kolonel Larry Dawn, komandant i Task Forcës Ndër-Shërbimore të Distriktit të Kolumbias, e quajti vdekjen e saj “një humbje të dhimbshme”. “Specialistja Sarah Backstrom erdhi në Distrikt nga Virxhinia Perëndimore për të mbrojtur kryeqytetin tonë. Ajo është një heroinë dhe ne vajtojmë humbjen e saj,” u shpreh ai, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe bashkëluftëtarët e saj.
Sulmi i së mërkurës ndodhi në një klimë tensioni të lartë në SHBA. Në fillim të shtatorit, ndikuesi konservator Charlie Kirk — aleat dhe figurë kyçe për të rinjtë në fushatat e Trump — u vra. Po ashtu, vetë Presidenti Trump i shpëtoi për pak një atentati gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024.

Në muajt e fundit, Trump ka urdhëruar vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në Los Angeles, Washington dhe Memphis, pavarësisht kundërshtimeve nga autoritetet lokale të drejtuara nga demokratët.

Trump ka argumentuar se këto masa janë të domosdoshme për të luftuar kriminalitetin dhe për të mbështetur shërbimin e imigracionit (ICE). Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi pas sulmit se 500 trupa shtesë do të dërgoheshin në Uashington, duke e çuar numrin total të forcave në kryeqytet në mbi 2.500. Presidenti Trump konfirmoi se e kishte urdhëruar personalisht këtë përforcim.